Home

Lajme

GËRVALLA: DY TË AKSIDENTUAR NDODHEN NË TRAJTIM INTENSIV, NJË NGA TA NË GJENDJE STABILE

No Comments Aktualitet Lajme

Dy persona të aksidentuar në mëngjesin e së dielës në Kroaci, po vazhdojnë të jenë në trajtim intensive – ndërsa njëri nga ta është në gjendje më stabile, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Gërvalla ka treguar se bashkë me kryeministrin Albin Kurti po kthehen për në Kosovë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia do të qëndrojnë në Slavonski Brod për tu kujdesur për udhëtimin e qytetarëve për në Kosovë.

“Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile. Në spital i takuam të gjithë pacientët një nga një dhe me secilin prej tyre shkëmbyem nga pak fjalë. Shumë prej tyre, dhe sidomos fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar.”, ka shkruar ajo.

Gërvalla më tej njoftoi se pas vizitës në spital, kanë vizituar edhe udhëtarët e tjerë të cilët kanë mbijetuar pa lëndime në këtë aksident.

“Më pas u takuam me udhëtarët e autobusit, të cilët aksidentin e kishin mbijetuar pa lëndime. Në pensionin, në të cilin ishin vendosur nga qeveria kroate, i gjetëm të grumbulluar rreth një tavoline të madhe. Me shumë shqetësim pyetën për gjendjen e të shtruarve në spital dhe na treguan përjetimet e tyre”.

“Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo ka falënderuar KFOR-in kroat që ka mundësuar udhëtimin e delegacionit të Kosovës për në Kroaci.

“Nuk ka fjalë që mund të përshkruajë falënderimin dhe mirënjohjen ndaj ndihmës së shpejtë, efektive dhe shumë njerëzore të të gjitha autoriteteve kroate duke filluar që nga policia në vendin e ngjarjes, njësitë e zjarrfikësve, njësitë e shpëtimit, personelin shëndetësor, të gjithë mjekët dhe duke vazhduar me drejtuesin e qarkut Brod-Posavina, Danijel Marushiq, kontigjentin kroat të KFOR-it, pilotët kroat që na çuan në Slavonski Brod, ambasadorët gjerman në Zagreb dhe Prishtinë, ministrat e qeverisë kroate dhe në radhë të parë Kryeministrin kroat Plenkoviq”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj përherë do të mbeten mirënjohës për këtë ndihmë të jashtëzakonshme në ditë të vështira. Sot është ditë zie në Kosovë. Ditë gjatë së cilës lutemi për viktimat e kësaj tragjedie dhe të afërmit dhe të dashurit e tyre. Ditë, e cila na vë edhe më shumë në pah se sa e brishtë është jeta dhe sa i domosdoshëm solidariteti në shoqërinë tonë të rrahur nga sfidat”, ka shkruar Gërvalla.

Burimi/Insajderi.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *