Home

Lajme

Roli dhe fati tragjik i shqiptarëve në Betejën e Çanakalasë më 1915-1916

No Comments Argëtim Histori

Në fund të korrikut 1914 do shpërthejë Lufta e Parë Botërore. Turqia në atë kohë ndodhej në një gjendje të rëndë ekonomike ende nuk ishte shkëputur nga sundimi perandor i sulltanit dhe kalifatit të tij. Më 28 korrik, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë.

Në ditët e para të gushtit 1914 konflikti austro-serb u shndërrua në një luftë botërore midis Gjermanisë e Austro-Hungarisë nga njëra anë dhe Anglisë, Francës e Rusisë nga ana tjetër Turqia atëbotë ishte rreshtuar në anën e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë.

Shkaqet e Luftës së Parë Botërore qëndronin në zhvillimin jo të barabartë të kapitalizmit në disa vende të Evropës dhe se shtetet e fuqishme kapitaliste posedonin koloni dhe kishin një rol që dominonte nëpër botë. Pronat më të mëdha kolonialiste i kishte Britania e Madhe, kështu që ajo i kishte 140 herë territor ma të madh se territori i saj shtetëror. Deri në fillim të shekullit XX, u formuan dy aleanca ushtarako-politike a) blloku i Fuqive qendrore (Pakti trepalësh) dhe b) fuqitë e Antantës. Me kohë, marrëdhëniet mes blloqeve ishin ashpërsuar dhe se lufta ka mundur të fillonte edhe para vitit 1914, sepse atëbotë ekzistonin shumë vatra, krize politike dhe luftëra lokale.

Më 25 prill 1915, do të zhvillohej njëra ndër betejat më të përgjakshme deri atëherë e quajtur Beteja e Çanakalasë.

Babai i Turqisë moderne Mustafë Kemajl Ataturku, e komandonte Divizionin e 19 të redifëve shqiptarë që ishin me shumicë nga trojet shqiptare si nga: Presheva, Kumanova, Shkupi, Manastiri, Ohri, Peja, Gjakova, Vlora, Elbasani etj. Ku e kalonte numrin prej 25.000 ushtarëve vullnetarë.

Beteja e përgjakshme e Çanakalasë do të përfundonte më 9 janar 1916, kur anglezët dhe francezët e kuptuan se këtë betejë të madhe kolonialiste nuk mund ta ngadhënjenin dhe me turp dhe humbje të mëdha tërhiqen nga Çanakalaja dhe ngushtica e Dardaneleve.

Sipas disa statistikave në Betejën e Çanakalasë morën pjesë mase 500.000 ushtarë nga të cilët jetën e humbën 200 mijë prej tyre.

Roli i shqiptarëve në betejen e Çanakalesë

Beteja e Çanakalasë ishte një fitore e madhe për Kemal Ataturkun dhe Turqinë , por një humbje historike në njerëz (shqiptarë ) të vrarë dhe në humbje të përkrahjes europiane për ne , dhe një mbamendje e keqe që do të na përcjellë historikisht.

Dr. Ibrahim Krosi, në “Qemal Ataturku dhe Shqiptarët “, shkruan se “ Divizioni i 19 i Armatës së Turqisë në Betejën e Ç anakales komanduar nga Mustfa Qemali sipas dëshmive të studjuesve dhe historianëve përbëhej kryesisht nga shqiptarët”.

Sipas të dhënave në luftën e Çanakalasë kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë pothuajse nga të gjitha viset etnike, sepse në vitin 1915, edhe pse ishte shpallur Shteti i pavarur shqiptar, nuk ishte vendosur kufiri, ndërsa forcat ushtarake të Perandorisë Osmane ishin kudo në katër vilajetet shqiptare, në luftë për të përballura aleancën e krishterë sllave dhe evropiane, e cila nuk bënte dallim mes shqiptarëve, turqve, boshnjakëve myslimanë, hebrenjve dhe të gjithë jo-krishterëve.

Është e vërtetë e pamohueshme se shumë shqiptarë ishin mobilizuar për të shkuar dhe për ta mbrojtur Turqinë, të cilën ende e konsideronin shtet të tyre, por kishte më shumë të tjerë të cilët ishin dyndur për në Turqi, që në fillim të Luftërave Ballkanike kur kishte filluar rrebeshi i ushtrive sllave, ruse, bullgare, serbe, në luftë për ta zhbërë Turqinë dhe gjithçka që konsideronin turke, në radhë të parë duke u mbështetur mbi baza fetare. Gjatë ikjes ishin vrarë dhjetëra mijëra, turq, shqiptarë, boshnjakë, hebrenj e të tjerë.

Fushata ushtarake e Galipolit, e njohur edhe si fushata e Dardaneleve, Beteja e Galipolit ose Beteja e Çanakkales (turqisht: Çanakkale Savaşı), ishte një fushatë e Luftës së Parë Botërore që u zhvillua në gadishullin, Gelibolu në Turqi, nga 17 Shkurt i vitit 1915 – deri më 9 Janar 1916. Fuqitë e Antantës, Britania, Franca dhe Rusia, u përpoqën të dobësojnë Perandorinë Osmane, një prej Fuqive Qendrore, duke marrë nën kontroll ngushticat që siguruan një rrugë furnizimi për në Rusi. Sulmi i aleatëve në kalatë osmane në hyrjen e Dardaneleve në shkurt 1915 dështoi dhe u pasua nga një ulje amfibe në gadishullin Gallipoli në prill 1915 për të kapur kryeqytetin osman të Stambollit, ish-Kostandinopojës. Në Janar 1916, pas luftimeve tetë muajsh, me afro 250,000 viktima nga secila anë, fushata tokësore u braktis dhe u tërhoq forca e pushtimit. Ishte një humbje e kushtueshme për Aleatët dhe sponsorët, veçanërisht Lordi i Parë i Admiralit (1911-1915), Winston Churchill. Fushata u vlerësua si një fitore e madhe Osmane. Në Turqi, vlerësohet si një moment përcaktues në historinë e shtetit, një ngritje përfundimtare në mbrojtjen e atdheut ndërsa Perandoria Osmane kishte rënë. Lufta formoi bazën për Luftën Turke të Pavarësisë dhe shpalljen e Republikës së Turqisë tetë vjet më vonë, me Mustafë Kemal Atatürkun, i cili u ngrit si komandanti më i spikatur në Gallipoli, dhe si themelues dhe Kryetari i parë i Turqisë pas perandorake.

Kënga e Çanakales, kënga e vajit e dëshpërimit dhe për luftëtarët shqiptarë

Njëra ndër krijimet më të fuqishme rapsodike të folklorit popullor shqiptar është edhe Kënga e Çanakalasë, e cila është kënduar në shumë variante po thuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë.

Kjo këngë, e cila i përket luftës së përgjakshme të forcave aleate evropiane e Aziatike kundër Turqisë, që ishte sulmuar nga të gjitha anët me qëllim të zhdukjes së shtetit turk, por edhe të banorëve të Turqisë, përshkruan fatin e luftëtarëve shqiptarë, të cilët kishin mbetur në ushtrinë turke edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shumica tyre vazhdonin të mbaheshin nizamë e redifë, disa syrsh i kishin familjet në Turqi, shumë prej luftonin si vullnetarë me qëllim për ta ruajtur ekzistencën e shtetit turk, shumë prej tyre me gjithë familjet ishin shpërngulur në Turqi nga represioni fashist që ushtronin popujt sllavë gjatë luftërave ballkanike, që kishin për qëllim ta zhduknin edhe qenien shqiptare, atë turke por edhe shtetin e sapoformuar shqiptar. Lufta, që këndohet në këtë këngë, ka të bëjë me betejën e Çanakalasë, e cila u zhvillua në Luftën Parë Botërore gjatë viteve 1915-1916, në mes forcave detare angleze të përkrahura edhe nga anijet franceze me gjithë ushtrinë dhe makinerinë luftarake të fuqive aleate të Antantës, të cilëve me potencial njerëzor u arritën ndihma me vullnetarë edhe nga vende shumë të largëta si Australia dhe Zelanda e Re.

Kënga e Çanakalasë këndohet edhe sot në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Në esencë është një këngë turke, po ashtu me melodi turke, por që është përkthyer në disa gjuhë të popujve të Ballkanit. Këndohet edhe greqisht, madje është kënduar nga këngëtarja më e njohur greke e të gjitha kohëve, Roza Eshkenazi, pastaj është kënduar dhe këndohet edhe në Bullgari e Maqedoni.

Betejës së Çanakalesë iu janë kushtuar shumë këngë, ku jehona e tyre ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe këto këngë kanë depërtuar në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, si pjesëmarrës në këtë luftë, nuk kishin si edhe të mos këndonin dhe trashëgonin këngët për Çanakalenë. Sot një ndër qytetet në Shqipëri që e ka bërë pjesë të tij këtë këngë dhe e ka trashëguar ndër breza të ndryshëm këngëtarësh është Elbasani, ndërsa njëri prej këtyre këngëtarëve të muzikës popullore shqiptare që ka kënduar këngën e Çankalesë është Medi Zena, i cili ka lindur në këtë qytet. ( Medi Zena, këngëtari nga Elbasani që i këndon Çanakalasë në shqip)

Pse shqiptarët ndihmuan turqit në Çanakale

Kjo ndodhi me faktin se qindra mijëra shqiptarë jetonin në Turqi dhe qindra mijëra të tjerë u shpërngulën nga trojet e Shqipërisë, qysh në fillim të vitit 1912, për shkak se llava shtazarake sllave po derdhej si lubi shumëkrerëshe kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve. Për të përkujtuar mizoritë që bënin bishat sllave, mjafton të kujtojmë vetëm raportet e intelektualit rus, Leon Trocki, i cili duke qenë reporter lufte në frontet serbe në Kosovë, Kumanovë e Shkup ka përshkruar shumë nga mizoritë, që ushtarët serbë, rusë e bullgarë ushtronin kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Në një katrahurë të tillë, kur qenia shqiptare ishte sulmuar nga të gjitha anët, qindra mijëra shqiptarë ikën për në Turqi. (RKL: Leon Trocki, një personalitet jo sa duhet i njohur për shqiptarët, 5. 1. 2016).

Ata, kishin humbur Vatanin, por luftonin për ta mbrojtur vendin, që i kishte mirëpritur dhe shtetin në të cilin kishin bashkëjetuar afër 500 vjet. Këtu qëndron esenca e rezistencës heroike të shqiptarëve në Çanakale, këtu qëndron edhe motivi i kësaj kënge homerike, e cila përshkruan detale të tmerrshme të një lufte shumë të pabarabartë, por një luftë për jetë a vdekje, sikur kanë luftuar shqiptarët gjithnjë gjatë historisë së tyre. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Burimi/kultplus.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *