Home

Lajme

ALUMNI _ Liceu Artistik – MARSIDA KONI – pianiste ( Itali)

No Comments Kulture

“ … Pianizmi i saj është i kërkuar dhe intim në veprat që kërkojnë delikatesë dhe ekspresivitet, dinamik dhe energjik në veprat virtuoze… Marsida Koni është një pianiste me vlera të sigurta. Karakteristikat e pianizimit të saj duken te jenë të lidhura ngushtë me repertorin modern dhe kontemporean, duke i kthyer dëgjuesit të kujdesshëm qartësi dhe komunikim të menjëherëshëm, cilësi që e bëjnë Atë një interpretuese të rrallë…. Kështu shprehet kritika italiane pas një recitali të saj në Romë.
MARSIDA KONI ka lindur në Elbasan në vitin 1981. Fillon studimet pranë Shkollës së Mesme Artistike “Onufri” me pedagogët Nermin Asllani dhe Keti Qosja për tu transferuar më pas pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku studjon intensivisht nën drejtimin e pedagoges Enika Gjokoreci. Nga viti 1999-2003 studjon pranë Akademisë së Arteve në Tiranë nën drejtimin e Prof. Rudina Ciko dhe çdo vit rezulton fituese e bursës së vënë në dispozicion nga Qeveria Shqiptare për studentët me rezultate maksimale. Menjëherë mbas përfundimit të studimeve, fiton konkursin si Pedagoge e brëndëshme pranë të njëjtit Institucioni.
Në vitin 2005 transferohet në Itali ku mbron Diplomën Italiane dhe Masterin, të dyja me nota maksimale. Perfeksionohet në Itali me profesorë të ardhur nga shkolla te rëndesishme të pianizmit botëror si Elena Ashkenazy, Lucia Passaglia (studente e Alfred Cortot), Ennio Pastorino, An Li Pang (studentë të Arturo Benedetti Michelangeli), Franco Scala ( student i Carlo Zecchi), etj
Luan si soliste dhe formacione dhome në Europe, USA, Azi.
Bashkëpunon me muzikantë të ndryshëm si E.Abbühl (obojë e parë e London Symphony Orchestra), N. Cismondi (obojë e parë e Orchestra National de France), C. Giufreddi (klarinetë e parë e Orchestra della Svizzera-Italiana), I. Grubert (violinë, fitues i Konkursit Paganini në Genova dhe Tchaikovsky në Moskë), K. Leister (klarinetë e parë e Berliner Philarmoniker e H. von Karajan), M. Lugaresi (fagot i parë i Camerata Salzburg), C. Palermo (klarinetë e parë soliste e Orchestra Royal Concertgebouwe Amsterdam), F. J. Silveira (profesor në Universitetin e Rio de Janeiro – Brasile) etj.
Që prej vitit 2005 luan ne duo me klarinetistin Piero Vincenti. Bashkë kanë rregjistruar CD të ndryshme të cilat janë transmetuar edhe për Radio Vaticana.
Në vitin 2012 prezanton në shumë qytete italiane CD e saj “La mia storia…. L’Albania musicale sotto la dittatura di Enver Hoxha”. Një ndër këto koncerte u mbajt pranë Konservatorit “G. Verdi” në Milano ku u ftua të mbante edhe një seminar. Kjo CD është transmetuar e plotë në Radion Svizzera Italiana: “Pata kënaqesinë të dëgjoj dhe të transmetoj në radio një ndër punët diskografike të virtuozes së pianos Marsida Koni, kushtuar kompozitorëve shqiptarë. Një punë e cmuar kërkimi që dhuron mundësine e zbulimit të një muzike pak të njohur nga publiku i gjerë. E gjithë kjo, përmes një leximi shumë të kërkuar dhe të detajuar, një game të madhe ngjyrash, eleganze dhe një tingulli brilant. Urime…” C. Farinone, muzikolog, drejtues radiofonik i Radio Svizzera Italiana.
Në vitin 2012 (vit i kremtimit të 100 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë), përfshihet në projektin e “Albanian Excellence” si një ndër 100 ekselentët shqiptarë në botë. Në të njëjtin vit, votohet nga publiku si një ndër 100 gratë shqiptare në karrierë brënda dhe jashtë Shqipërisë me motivimin: “Për përhapjen e muzikës shqiptare nëpër botë”.
Në vitin 2014 Bashkia e qytetit te Perugia-s (qytet i cili jetonte prej pothuajse 10 vitesh) e vlerëson me stemën e qytetit “Grifo d’argento” për aktivitetin e rëndësishëm të saj artistik dhe kulturor.
Nga viti 2016 – 2019 bashkëpunon me Konservatorin Shtetëror tëe Muzikës “ F. Morlacchi” në Perugia
Në vitin 2017 rregjistron për etiketën diskografike hollandese “Brilliant Classics” një CD “Albanian Piano Music” e cila u shpërnda në 40 vende të botës duke mbledhur aprovime dhe suksese si nga ana e kritikës dhe ajo e publikut. Kritika italiane, anglese dhe ajo gjermane e konsideruan Konin si eksponentin ideal për këtë muzikë. Gjithashtu CD u transmetua nga Radio Svizzera – Italiana si dhe u rendit në Top Ten në Radio Classic në Itali.
Në vitin 2019 publikon me etiketen diskografike italiane Aulikus CD “Shqipëria në art” Albanian Piano Works, me vepra nga kompozitori i parë qe ka shkruajur për piano, deri tek kompozitorët e sotëm.
Në vitin 2021 publikon për të njëjtën etiketë diskografike një Cd me vepra nga kompozitorët Prokofiev, Ravel, De Falla e Faurè, CD që pritet shumë mirë sidomos nga kritika amerikane.
Që prej vitit 2019 është pedagoge e pianos principale pranë Konservatorit Shtetëror të Muzikës “ B. Maderna” në Cesena (Emilia – Romagna).
“…Kjo pianiste zotëron një kapacitet profesional të jashtëzakonshëm. Loja e saj dëshmon një art të mrekullueshëm pianistik dhe një sens të jashtëzakonshëm stili. Ka qenë një kënaqesi të degjoje interpretimin surprizues të saj e cila i dha ekzekutimit një magji të vecantë dhe të papërsëritshme. I uroj Marsidës shumë suksese dhe shpresoj të kem përsëri rastin të degjoj nje koncert të saj…”
E. Ashkenazy – Rusi
“…Më bëri përshtypje entuziazmi i kësaj pianisteje, përkushtimi dhe drejtimi i të gjitheë energjisë së saj drejt pianos… një hapje mendore dhe artistike e jashtëzakonshme … Ne një moment kaq të vështirë për kulturën dhe në vecanti për muzikën, jam i sigurt që Marsida do ta nderojë vendin e saj duke vazhduar ti dedikohet me dashuri misionit të saj si përhapëse e kultures, artit dhe talentit”. Franco Scala, Drejtor i Accademia Pianistica Internazionale “ Incontri col Maestro” Imola.
Burimi/ALUMNI _ Liceu Artistik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *