Home

Lajme

Kastriot Myftaraj- Çuditë e fushatës amerikane kundër Sali Berishës

No Comments Lajme Opinion

Në 4 gusht ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim botoi në gazetën “Panorama” atë që paraqit si: editorial i shkruar posaçërisht për këtë gazetë.
Në gjuhën diplomatike kjo do të thotë se gazeta “Panorama” duhet parë si një zëdhënëse jozyrtare e ambasadës amerikane.
Në praktikën e gazetës së përditshme “Panorama” është që autorëve të opinioneve t’ u shënojë edhe detyrat publike që kanë mbajtur. Sipas kësaj praktike, autori me emrin Alfred Duka, i cili në 10 gusht të këtij viti kur botoi artikullin me titull “Berisha duhet të përballet i vetëm” duhet të kishte të shënuar “Ish-kryetar i SHIK Tropojë”, detyrë që e ka mbajtur kur PD ishte në pushtet në vitet nëntëdhjetë.
Por gazeta nuk e ka bërë këtë gjë, ndonëse arsyeja për të cilën është botuar artikulli i këtij individi është pikërisht se ka mbajtur këtë detyrë dikur. Por ata që kanë botuar artikullin kanë llogaritur që Berisha e di se cili është autori, e di Basha dhe një rreth njerëzish në PD. Pra artikulli është shkruar dhe botuar për një rreth të caktuar njerëzish.
Nëse do të bëni një kërkim të thjeshtë në google do të vini re se individi me emrin Alfred Duka nuk ka botuar kurrë më parë një opinion, aq më tepër me fotografi në gazetën e përditshme “Panorama”. Alfred Duka është mirditor i cili gjatë kohës që mbajti detyrën e drejtuesit të SHIK në Tropojë u bë dhëndër atje. Pra ka një lidhje të posaçme me Tropojën. Kuptohet që dikush i ka kërkuar gazetës “Panorama” që t’ u jepet hapësirë njerëzve si ky Alfred Duka të shkruajnë për Berishën. Do të ketë edhe të tjerë deri në 9 shtator që është afati I ultimatumit amerikan të 30 korrikut. Ky “dikush” është në ambasadën amerikane.
Emri i Alfred Dukës u bë i njohur për publikun kur atë e përmendi në gjyqin për vrasjen e Azem Hajdarit babai i Fatmir Haklajt, Muharrem Haklaj. Ky i fundit tha se kishte qenë Alfred Duka ai që i kërkoi në emër të Azem Hajdarit të takohej me këtë të fundit pikërisht në zyrën e Azem Hajdarit në selinë e PD-së në Tiranë, takim që ndodhi në 2 shtator 1998. Fatmir Haklaj e fajësonte Azem Hajdarin për vrasjen e vëllait të tij dhe Azem Hajdari donte të shfajësohej duke bërë përgjegjës Sali Berishën, gjë që u vërtetua nga publikimi i bisedës të regjistruar dhe publikuar nga babai i Fatmir Haklajt. Alfred Duka nuk mund të mos e dinte se ky ishte qëllimi i Azem Hajdarit kur e thirri babain e Fatmir Haklajt në zyrë. Muharrem Haklaj tha se do të jepte përgjigje pas dhjetë ditësh pasi të bisedonte me djalin e tij. Fatmir Haklaj nuk e besoi shpjegimin e Azem Hajdarit dhe pas dhjetë ditësh shkoi dhe e vrau këtë në Tiranë para selisë së PD-së duke mos qëlluar as një plumb të vetëm ndaj dritareve të zyrës së Sali Berishës, gjë që sipas Kanunit ishte një sqarim publik për atë se cilin fajësonte për vrasjen e vëllait.
Alfred Duka, duke qenë edhe njeri me përvojë si ish-drejtues i shërbimit të fshehtë në një rreth problematik si Tropoja, nuk mund të mos e kuptonte se me ndërmjetësimin mes Azem Hajdarit dhe Muharrem Haklajt ishte bërë bashkëpunëtor në një plan të Azem Hajdarit për të vrarë dy zogj me një gur, pra edhe të shpëtonte jetën e tij nga Haklajt që donin ta vrisnin, edhe të eliminonte Sali Berishën duke ia zënë vendin në krye të PD-së.
Artikulli i Alfred Dukës për Sali Berishën është interesant duke pasur parasysh të kaluarën e autorit. Pasi bën sikur e merr në mbrojtje Sali Berishën, Alfred Duka thotë se po i lejon vetes që të bëjë orakullin. Herën e fundit që ka bërë orakullin kjo histori përfundoi me dy kufoma në oborrin e selisë së PD dhe të tjera më pas. Parashikimi i Alfredit-orakull është se Sali Berisha në shtator do të dalë si deputet i pavarur, i vecuar nga grupi parlamentar i PD-së, sepse Berisha nuk do t’ i lejojë vetes që të përdorë Bashën dhe PD-në si mburojë. Por a mjafton kjo gjë?
Alfredi i cili ka përvojë në këto çështje, në fund të artikullit të tij tregon edhe një anekdotë që bart një kumt domethënës. Sipas tij në vitet shtatëdhjetë një veteran ish-partizan I cili po dëgjonte një komisar të lavdëronte ushtrinë komuniste duke thënë se ajo mund t’ i mposhtte të gjithë, grekët, serbët, italianët, rusët, kinezët, izraelitët, amerikanët, kërceu përpjetë kur dëgjoi të përmenden këta të fundit dhe tha se amerikanët nuk duhet t’ i përmendte.
Një anekdotë e sajuar keq sepse askush nuk do të guxonte në atë kohë të thoshte se ushtria jonë nuk ishte në gjendje të fitonte ndaj asaj amerikane.
Dhe cili është kuptimi i kësaj anekdote në rastin tonë? Që Amerika duhet pasur frikë se përdor vrasjen politike si mënyrë të zgjidhjes së problemeve në politikën e jashtme? A i shërben Amerikës ky lloj servilizmi nga një shkrues me prejardhje nga një krahinë e cila ka nxjerrë burra me dinjitet por edhe rapsodë që bënin këngë si ajo se do të luftonin përkrah Bardhok Bibës dhe Enver Hoxhës duke u marrë gjermanëve rrotat e makinave për të bërë opinga? Alfredi duhet ta dijë se edhe superfuqia mendohet mirë para se të bëjë një vrasje politike ndërkombëtare sepse nëse këto ndodhin shpesh siç fantazon Alfredi bota e tërë alarmohet dhe kundërpërgjigjet masivisht në të njëjtën mënyrë.
Artikulli i këtij Alfred Dukës mbyllet me një kërcënim, jo vetëm për Berishën, por edhe për të tjerë në PD, se ka edhe më keq se ngrënia e barit, ka edhe plumba për t’ u ngrënë.
Duhet pranuar se Alfredit i del fjala në këtë rastin e fundit.
Artikulli, duke marrë parasysh cili është autori dhe përmbajtja e tij, ka cilësitë klasike të një operacioni në media të shërbimeve të fshehta.
Meqënëse Alfredi tregon anekdota, po i tregoj edhe unë një dicka të ngjashme. A i kujtohet sesi në shtator 1998 kur disa tropojanë e panë me Muharrem Haklajn në Tiranë, e pyetën këtë të fundit si me shaka, por me nënkuptimin me të cilin dijnë të flasin malësorët që përdorin kode kanunore: “Ku po shkon me dhëndrin e Matoshëve?”
Dhe Muharremi u përgjigj: “Është dhëndërr i Matoshëve të Begajt.” Nënkuptimi ishte se nuk kishte lidhje me Matoshët e Luzhës djalin e të cilëve e kishte vrarë Fatmir Haklaj.
Dhe ky djali i Matoshëve të Luzhës ishte varrosur me ceremoni nga PD pak kohë më parë, si veprimtar i saj./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *