Home

Lajme

SHBA paralajmëron arrestime të zyrtarëve të lartë/ BKH dhe SPAK do të trazojnë gjumin e të korruptuarve

No Comments Aktualitet Lajme

Nga E.S
Byroja Kombëtare e Hetimit ka nisur zyrtarisht nga puna ditët e sotme.

Të ashtuquajturit “FBI’ shqiptare që nga dita e sotme do të jenë në krah të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Nën moton ‘ndiq paranë” hetuesit e BKH, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme, si nga Policia, ushtria, ekonomia, jurisprudenca e të tjerë, do t’u vënë “lakun” zyrtarëve të lartë, të cilët deri më sot kanë qenë të paprekshëm.

Hetuesit e BKH do të jenë edhe nën mbikqyrjen e ekspertëve të FBI-së, të cilët do të japin në praktikë eksperiencën e tyre.

Për SHBA, kjo strukturë dhe ky segment i drejtësisë janë mjaft të rëndësishëm.

Në mënyrë të vazhdueshme një gjë e tillë është konfirmuar nga ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim.

Dhe së fundmi ka qenë Demian Smith, zëvendës ambasador i SHBA-së, që ka treguar se janë në krah të BKH dhe ju ka bërë thirrje që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Vendi juaj ka nevojë për ju, do të hetoni disa nga krimet më të rëndësishme në këtë vend – korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ju jeni shembull guximi dhe përkushtimi që bëtë përpara për t’i shërbyer vendit tuaj gjatë kësaj kohe të rëndësishme”, ka deklaruar pak ditë më parë Demian Smith.

Sipas diplomatëve amerikanë Shqipëria është në luftë me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Nga mesazhet e tyre kuptohet se ata presin arrestimin e zyrtarëve të lartë, e që në Shqipëri nuk janë të paktë ata që lakohen sit ë dyshuar për korrpsion.

Mesazhet e SHBA-së, duket se do të përkthehen shumë shpejt nga BKH dhe SPAK me arrestime.

Diplomati amerikan Demian Smith e paralajmëroi “furtunën e drejtësisë” në radhët e zyrtarëve të lartë, ndonëse në mënyrë të koduar.

“Shqipëria ka ngritur tashmë që të dy institucionet që përbëjnë SPAK-un – Prokurorinë e Posaçme dhe BKH-në. Prokuroria e Posaçme ka qenë duke punuar pa ju, por tashmë ju do të bashkoni forcat kundër korrupsionit dhe krimit. Vetëm me BKH-në, me të gjithë ju, SPAK-u do të jetë një sukses i plotë.

Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

BKH-ja do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”, deklaroi qartë dhe prerë Smith para pak ditësh.

Burimi/CNA.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *