Home

Lajme

Vasil Sofokli Tole -“Sopranoja jonë e shquar Tefta Tashko Koço, e para këngëtare shqiptare që këndoi në Serbi, në operan e Beogradit”!

No Comments Argëtim Histori

▪︎Ndodhi 76 vjet më parë, në nëntorin e vitit 1945.
Diva e skenës muzikore Tefta Tashko Koço këndoi në rolin kryesor të Mimisë nga opera LA BOHEME e Puçinit, siç e provojnë edhe shkrimet e gazetave serbe të kohës, duke theksuar se falë interpretimit të saj “mbrëmja operistike mori vetvetiu një shkëlqim fisnik”!
Sëmundja e pashërueshme i ishte shfaqur dhe ky mbetet interpretimi i fundit për publikun e operas.
Vdes 2 vjet më pas, në dhjetor të vitit 1947.
▪︎Më poshtë fotografi nga kjo shfaqje historike, faksimile e gazetës dhe përkthimi ne shqip i artikullit te gazetës GLLAS të Bogradit, 14 nëntor 1945, f. 4
“VIZITA E ARTISTES SHQIPTARE TEFTA KOÇO NË OPERAN E BEOGRADIT””
Tefta Tashko Koço, antifashiste e shquar shqiptare që ka kryer edukimin muzikor në Francë (diplomuar në Konservatorin e Parisit) këndoi në Operan e Beogradit rolin e Mimi-së nga “Bohème” e Puçinit, ku paraqitet parizianja e varfër, e qetë dhe e sëmurë. Audienca operistike e kryeqytetit të Jugosllavisë së lirë e demokratike, pikërisht të nesërmen e zgjedhjeve për kuvendin kushtetues, endé në gjendje solemne e shpirtërisht krenare, priti me dashamirësi e ngrohtësi artisten e një populli të dashur e të afërt, që sot është gjithashtu një vend i lirë Ballkanik, artisten e Shqipërisë.
Kështu, në sajë të cilësive të dallueshme artistike të vizitores, ajo mbrëmje operistike mori vetvetiu një shkëlqim fisnik, simbol ky i afrimit kulturor dhe lidhjeve gjithnjë e më të afërta shpirtërore midis dy popujve Ballkanikë.
Tefta Koço është soprano lirike me shkollë të përsosur, timbër të qartë e të shëndoshë, intonacion të pastër si kristali. Vibracionet natyrore të këtij zëri të natyrshëm, me intensitet të lartë e tingëllim të ngjeshur, e bëjnë atë të përshtatshëm për këtë vepër lirike me karakter të thellë e serioz (pa atë lloj elaborimi të vetive të saj natyrore, ajo nuk do mund ti afrohej rolit të Mimi-së). Me një teknikë të përsosur vokale, veprime të matura e frazim plot shije, Tefta Koço, arrin një shkallë bindëse në shtjellimin e saj vokal e artistik duke transmetuar me finesë rolin shprehës të Mimi-së.
Me gjeste shumë të përmbajtura, të qeta e delikate, duke ruajtur gjithnjë me kujdes karakterin liriko-tragjik të rolit, Tefta Koço, me mjetet e saja artistike, shpalosi një krijim operistik të përpunuar me shumë kujdes në përputhje të plotë stilistike me karakterin kryesor të partiturës puçiniane.
P. St.

Mund të jetë një imazh i 2 persona
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *