Home

Lajme

Gjyqi i ish-bodigardit të Berishës, ja dëshmia e mbesës së Sali Berishës për vrasjen e Hajdarit dhe sherri me Izet Haxhinë në sallë

No Comments Lajme Opinion

Idajet Beqiri, avokati i Izet Haxhisë ka zbuluar të tjera detaje mbi gjyqin e klientit të tij. Në vazhdën e artikullit të djeshëm, Idajet Beqiri ka rrëfyer për gazetën se çfarë ndodhi ditën e vrasjes së Azem Hajdarit. Po ashtu ai ka zbuluar se në gjyqin e Izet Haxhisë është thirrur si dëshmitare edhe mbesa e Sali Berishës, e cila sipas avokatit, dyshohet se ka informuar Berishën se poshtë selisë së PD ndodhej Fatmir Haklaj. Avokati ka treguar detaje mbi lëvizjet e saj mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Po ashtu sipas tij, Berisha duke e ditur se Fatmir Haklaj ishte aty, telefonoi mbi 10 herë Azem Hajdarin, i cili ndodhej në një miting në Fier.

DVD-ja me deklarimet e Berishës

…Dëshmitari Agim Logu, shoferi që bëri transportimin e Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmanit etj, i cili sikurse theksuam, kishte një përvojë të admirueshme profesionale policore, çka do të thotë se, në rast se Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani etj, do të ishin nisur nga Tropoja për të kryer vrasjen e ish deputetit Azem Hajdari, gjatë gjithë udhëtimit më shumë se 9 orë nga Tropoja, në Tiranë, do të ishte zhvilluar ndonjë bisedë, qoftë edhe e koduar midis tyre, dhe ky dëshmitar, sikurse pohoi para Gjykatës në dëshminë e tij, ishte në gjendje të kapte qëllimin e këtij udhëtimi. Mirëpo bisedat gjatë udhëtimit ishin nga më normalet, njerëzore, familjare, të qeta, pa as më të voglin mbingarkesë që normalisht ta jep faza e përgatitjes së një krimi, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vrasje të tillë me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare. E vërteta është se Dem Dollapi, njeriu që kishte në dorë regjistrimin ku ndodhej prova bazë dhe kryesore, e cila vërtetonte pa mëdyshje që i interesuari, urdhëruesi, frymëzuesi dhe organizatori kryesor i vrasjes së Shkëlqim Haklaj, ishte Sali Berisha, luante me dy porta, edhe me Fatmir Haklaj donte t’a mbante mirë, por edhe me Sali Berishën gjithashtu, për rrjedhojë ka bërë shumë manovrime ditën që mbërritën në Tiranë Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani për të marrë prej tij regjistrimin. Pritja pranë Selisë së PD-së së Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmanit, të cilët qëndronin brenda një autoveture me targa të Vlorës, pikërisht në vendin ku sot gjendet memoriali i Azem Hajdarit, ishte pikërisht pritja që po i bënin Dem Dollapit, i cili e kishte marrë miratimin nga Azem Hajdari për t’ia dorëzuar regjistrimin në kasetë të urdhrit të Sali Berishës në mitingun e Tropojës, por ende qëndronte i dyzuar për shkak të marrëdhënieve me Sali Berishën. Ndaj pritja e Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani pranë selisë së PD-së, ishte e gjatë. Kjo pritje e gjatë, mesa duket lidhej edhe me faktin që Azem Hajdari këtë ditë ishte në Fier, në një miting me simpatizantë të PD-së. Dem Dollapi, mesa duket, kishte vendosur që para se të takohej me Fatmir Haklaj për t’i dhënë regjistrimin, donte të merrte mendimin përfundimtar të Azem Hajdarit. Më i interesuari për kthimin sa më parë në Selinë e PD-së të Azem Hajdarit ishte Sali Berisha. Lind pyetja, përse?

Dëshmia e mbesës së Berishës

Pranë Selisë së PD-së ishte një lokal të cilin e administronte Guxim Biberaj. Në këtë lokal grumbulloheshin dhe qëndronin me orë të tëra mjaft militantë të zjarrtë të PD-së. Aty qëndronin edhe personat më të afërt të Sali Berishës, badigardë, ish badigardë, militantë të tjerë, të cilët, kur Berisha “i binte bilbilit” për t’i pasur te Selia e PD-së, ata menjëherë shkonin. Ditën e ngjarjes së vrasjes së Azem Hajdarit, në këtë lokal ka hyrë dhe ka dalë plotë 4 herë në orë të ndryshme mbesa e Sali Berishës, e quajtura Shpresa Breçani. Këtë mbesë të Sali Berishës e thirrëm si dëshmitare në gjyq. Ajo, meqenëse i kishte marrë të regjistruara përgjigjet e pyetjeve prej Sali Berishës, nuk dha ndonjë dëshmi me interes për këtë proçes, madje tentoi ta kthente foltoren e gjyqit si zëdhënëse e Sali Berishës, duke folur pa lidhje gjëra që nuk kishin të bënin me procesin gjyqësor. Në një situatë të tillë, Izet Haxhia, si njohës i përsosur i saj dhe i bashkëshortit të saj, ju kundërvu me disa të vërteta, të cilat ishin vërtetë shokuese për trupin gjykues, për atë vetë, por mbi të gjitha për Sali Berishën, sepse indirekt tregonin se cilat janë lidhjet e tij me të keqen, me antishqiptarizmin dhe me të qënurit e tij kokë e këmbë i inkriminuar në krime të shumta shumëplanëshe. Gjithsesi Shpresa Breçani nuk e mohoi faktin që kishte qenë 4 herë atë ditë në lokalin e Guxim Biberaj. Pranë këtij lokali kanë qëndruar të hipur në makinën me targa të Vlorës Vl 0676 për orë të tëra Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani. Shpresa Breçani nga lokali i Guxim Biberaj, plotë 4 herë, ka kaluar pranë makinës ku ishin Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani, të cilët i njihte shumë mirë dhe ka hyrë në zyrën e Sali Berishës. E pyetur nga ana jonë, si përfaqësues ligjor të Izet Haxhisë se përse ajo ka kaluar plotë 4 herë atë ditë para makinës ku ishin Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani dhe më pas ka hyrë në zyrën e Sali Berishës dhe çfarë kishte biseduar me këtë të fundit në këtë ditë, ajo u përgjigj se ishte e zgjedhur si anëtare e Këshillit Drejtues të PD-së dhe nuk e ndalonte askush të bisedonte me kryetarin e PD-së, Sali Berishën, dajën e saj. Në fakt, kur Shpresa Breçani ka vënë në dijeni Sali Berishën për ekzistencën e Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani pranë selisë së PD-së, të armatosur, në zyrën e Sali Berishës kanë qenë prezentë Linda Ihsani, sekretare e Berishës, e cila vdiq parakohe në një moshë fare të re dhe tepër të mistershme, si dhe intelektuali Fisnik Sina. Këtë të fundit Gjykata nuk pranoi ta thërriste si dëshmitar. Kjo është një provë indirekte që tregon se Sali Berisha u vu në dijeni të faktit se Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani po qëndronin të armatosur pranë selisë së PD-së.

Berisha telefonoi 10 herë Hajdarin

Në kohën që Sali Berisha u vu në dijeni të qëndrimit të Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani pak metra larg zyrës së tij, ai i ka telefonuar Azem Hajdarit, i cili, sikurse theksuam, ishte në një miting në Fier. Në telefonin e Azem Hajdarit janë regjistruar këtë ditë mbi 10 thirrje të ardhura nga Sali Berisha. Azem Hajdari nuk kishte të regjistruar asnjë numër telefoni në emrin e tij. Ai përdorte gjithmonë një telefon me numër në emër dhe me kontratë të një mikes së vet, emrin e së cilës ia paraqitëm Gjykatës. Në këtë numër telefoni e ka marrë Sali Berisha 10 herë në datën 12 shtator 1998. I kërkuam Gjykatës që të kërkonte dhe të administronte si prova tabulatet telefonike të telefonit të Sali Berishës dhe të mikes së Azem Hajdarit, telefon të cilin de facto e përdorte vetëm Azem Hajdari. Gjykata edhe këtë provë nuk pranoi t’a merrte pranë shoqërisë celulare. Por përse kaq shumë telefonata të Sali Berishës në adresën e Azem Hajdarit kur ky i fundit ishte në mitingun e Fierit? Përse Sali Berisha kërkoi me ngulm kthimin e Azem Hajdarit në Tiranë, qoftë edhe pa e mbaruar mitingun? Dhe përse Azem Hajdari nuk i vlerësoi këto telefonata të Berishës, por erdhi me “nge” në Tiranë, madje edhe duke qëndruar në Lushnje ku pati një takim me disa persona, e cila ka lidhje me një ngjarje tjetër kriminale, që nuk ka lidhje me vrasjen e 12 shtatorit 1998 të Azem Hajdarit?!

Biseda me Muharrem Haklajn

Sali Berisha kur mori vesh takimin e Muharrem Haklaj me Azem Hajdarin në datën 2 shtator 1998 në zyrën e Azemit, ka shfaqur dukshëm pakënaqësinë e tij, por edhe dyshimin e tij ndaj Azem Hajdarit, i cili edhe në raste të tjera, ose i kishte kthyer krahët Sali Berishës, ose “e kishte lënë në baltë”! Sali Berisha kishte marrë vesh krahas gjërave të tjera nga biseda e Muharrem Haklajt me Azem Hajdarin, edhe faktin që ky i fundit, për të larë përfundimisht veten nga dijenia ose të qënurit bashkëpunëtorë në vrasjen e Shkëlqim Haklaj në datën 5 janar 1998, ishte betuar për Dervish Luzhën, çka do të thotë se po thoshte të vërtetën, pasi Dervish Luzha për tropojanët, e posaçërisht për Azem Hajdarin, ishte shenjt, emri i të cilit nuk mund të keqpërdorohej kollaj!

Për Sali Berishën ky takim dhe vënia në be për shenjtin Dervish Luzha, e përjashtonte Azem Hajdarin si bashkëpunëtorë në vrasjen e Shkëlqim Haklaj dhe dyshimet mbesnin mbi atë vet, për më shumë që me zë, me figurë dhe në prani të qindra vetëve në mitingun e Tropojës 6 muaj më parë se të vritej Shkëlqim Haklaj, ky, Sali Berisha e donte atë të gjallë ose të vdekur.

Burimi/sot.com.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *