Home

Lajme

Emigranti nga Lezha blen shtëpi në Shqipëri dhe ikën në Itali, shokohet nga ajo që zbulon

No Comments Aktualitet Lajme

Ai quhet Arben Mazreku dhe eshte nga Lezha. Por jeton e punon në Itali. Para disa kohesh, me parate e fituara ne emigrim, ai bleu një apartament në lagjen “Besëlidhja” nga shoqëria “I-AS sh.p.k.”. Në Gusht 2015, Arbeni u pajis edhe me certifikatë pronësie, por në Shqipëri duket se nuk ka vlerë as hipoteka.

Për shkak të problemeve me bankën, për pronarin e pallatit u vendos sekuestro për 2 apartamente, por përmbaruesi Brahim Muça, në mënyrë arbitrare, vendosi shtëpinë e Arben Mazrekut.

“Unë jam pronar vetëm me letra se çelësat nuk i kam unë! Ma ka bllokuar përmbaruesi Brahim Muça. Në Gusht 2015 u futa në shtëpi. Shkova në Itali dhe më thanë kushërinjtë që përmbaruesi kishte bllokuar shtëpinë. Kishte vendim gjykate për të bllokuar dy hyrje të Ndue Shkurtit, numrin 13 dhe 14”, shprehet denoncuesi.

Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh se sipas gjykatës, përmbaruesi duhet të sekuestronte apartamentet me numër 13 dhe 14 dhe jo apartamentin numër 12 që ishte e Arben Mazrekut.

“Unë bëra denoncim në polici dhe çështja shkoi në prokurori. Prokuroria dhe gjykata e pushuan çështjen, prandaj iu drejtova emisionit ‘Stop’”, thotë Mazreku.

Ndërsa noteri që ka kryer kontratën mes ndërtuesit dhe Arben Mazrekut, Vasil Martini shprehet se ky i fundit posedon të gjithë dokumentacionin e rregullt të pronësisë së këtij apartamenti që i është sekuestruar dhe se vendimi i gjykatës nuk korespondon me veprimin e përmbaruesit Muça.

“Nga verifikimi i dokumentacionit, Arben Mazreku është në apartamentin që ka blerë konform të gjitha rregullave. Është pajisur me certifikatën e pronësisë dhe është poseduesi i vetëm i kësaj pasurie!”

Noteri shton se në hartën treguese të pallatit ekziston një gabim që ka sjellë si pasojë këtë problem, por përmbaruesi nuk ka shkuar për t’u konsultuar, pavarësisht njoftimeve të përsëritura që i ka bërë nëpërmjet ndërtuesit.

“Unë nuk do t’i imponohem në vendim. Ai ta marrë vendimin si të dojë, por të paktën t’i sqaroj se ku është gabuar. Megjithë kërkesave të përsëritura, nuk më ka ardhur. Kam aplikuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme një muaj më parë për ta sqaruar këtë problem, që të mos përsëritet gabimi i ngjyrosjes në hartat treguese. Unë kam marrë dy hartat treguese që janë të ngjyrosura korrekt, sipas numrave. I kam ridërguar fjalë përmbaruesit, por nuk më ka ardhur njeri. Këto të dyja do lirohen dhe Arben Mazrekut duhet t’i kthehen çelësat”, vijoi me shpjegimin noteri Vasil Martini.

Ndaj gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zyrës së përmbaruesit gjyqësor Brahim Muça, i cili u shpreh se ZRPP-së Lezhë ka konfirmuar dy pasuritë që janë lënë për kolateral. Ai shtoi se Arben Mazreku nuk e ka apartamentin në atë kat, ndaj nuk mund të pretendojë pronësinë e apartamentit të sekuestruar.

“Ne do bëjmë një gjë për ta zgjidhur këtë problem, meqë ka ardhur dhe ‘Stopi’. Do shkojmë në Hipotekë të bisedojmë me drejtorin për t’i dhënë zgjidhje. Nëqoftëse është bërë gabimi, është bërë nga eksperti, jo nga unë”, tha përmbaruesi.

Më pas konsulenti inxhinierik tha se është bërë një gabim hartografik nga ana e shoqërisë “I-AS sh.p.k.”, por gazetarja e emisionit “Stop” këmbënguli që është gabim i përmbaruesit.

“Gabimi i ekspertit që ka shkuar në terren, nëse ka patur ekspert”, u shpreh konsulenti. Duke marrë shkas nga kjo, përmbaruesi Brahim Muça u detyrua të bëjë një procesverbal për t’i rikthyer apartamentin pronarit të ligjshëm

Prokuroria dhe gjykata e mbyllën çështjen, por emisioni “Stop” arriti ta zgjidhë atë brenda ditës, duke i dhënë çelësat e apartamentit të tij qytetarit Arben Mazreku.

Burimi/tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *