Home

Lajme

Kastriot Myftaraj – Basha dhe Berisha i thonë Amerikën (më kot) se edhe ata janë gati ta mbushin Shqipërinë me afganë

No Comments Lajme Opinion

Menjëherë sapo Edi Rama njoftoi se ka marrë dhe pranuar një kërkesë të qeverisë amerikane për strehimin në Shqipëri të një numri të papërcaktuar afganësh, Lulzim Basha dhe Sali Berisha u vunë në garë me Ramën dhe njëri-tjetrin për të shprehur miratimin e tyre për këtë kërkesë amerikane. Secili prej tyre për turpin e vet, ndonëse për arsye të ndryshme. Basha si kryetar i partisë më të madhe të opozitës, në emër të 600 mijë shqiptarëve që e kanë votuar, kishte detyrim që t’ i kërkonte kryeministrit shpjegime për marrëveshjen që ai tha se është bërë dhe për përmbajtjen e saj.
Basha na tha se Shqipëria ka detyrime si anëtare e NATO-s për të marrë përgjegjësi për zgjidhjen e asaj që ai e quajti krizë humanitare në Afganistan. Basha, edhe si jurist duhet që ta dijë se detyrimet e një vendi anëtar të NATO-s për një çështje konkrete përcaktohen në një marrëveshje të përbashkët të vendeve të aleancës atlantike, e cila si marrëveshje ndërkombëtare duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, sipas Kushtetutës në fuqi. Si kryetar opozite Basha ka detyrim që ta kërkojë këtë gjë. Por për Bashën Kushtetuta dhe ligjet në fuqi nuk kanë vlerë kur është rasti të bëhet i pëlqyeshëm për amerikanët.
Basha e bën këtë kur ai gjendet në pozitën që nuk ka rast të ngjashëm në historinë e politikës botërore, pra kur ambasadorja amerikane i ka dhënë një ultimatum të stilit taliban që ose të zbatojë si ligj suprem një listë të zezë amerikane, ose të hajë bar bashkë me partinë e tij dhe 600 mijë votuesit e saj të njohur zyrtarisht, pa llogaritur ata që ia kanë vjedhur. Dhe për më tepër kur amerikanët me këtë duan të bëjnë një tymnajë për të mbuluar pikërisht zhurmën e sjelljes së afganëve në Shqipëri.
Basha e bëri deklaratën e mësipërme me shpresën se amerikanët do t’ ia mbajnë shënim si sjellje të mirë dhe do ta sjellin dikur në pushtet por kjo nuk ka për të ndodhur.
PD dhe Shqipëria sot kanë nevojë për një lider opozitar i cili të vihet në krye të një lëvizjeje mbarëpopullore për të shpëtuar vendin nga rreziku që kanoset prej dyndjes afgane me bashkëfajësinë e Ramës me amerikanët. Atëherë kur duhet ta bëjë këtë, Basha vihet në rolin e opozitarit të rremë.
Sali Berisha, nga ana e tij shkon madje edhe përtej qëndrimit të Ramës duke thënë se Shqipëria duhet t’ i strehojë afganët edhe përgjithmonë nëse duhet. Me këtë Berisha kërkon t’ u thotë amerikanëve se ka qenë dhe është i gatshëm të bëjë për ta më shumë se çfarë ata i kanë kërkuar, prandaj le ta rishikojnë edhe një herë atë emrin e tij në listën e zezë të tyre. E pra, amerikanët nuk do të ndikohen nga kjo sjellje e Berishës. Emri i tij do të mbetet në listën e zezë të tyre. Berisha veç sa po e turpëron veten e tij duke mos përmbushur detyrimin që ka si ish-kryetar shteti dhe ish-kryeministër për të denoncuar rrezikun që përbën për Shqipërinë ardhja masive e afganëve.
Ndryshe nga ç’ thonë Berisha, Basha dhe Rama bashkë me ta, pranimi i këtyre afganëve në Shqipëri nuk është një akt solidariteti me popullin afgan, por me grupin që përbënte bazën e regjimit të korruptuar proamerikan në Afganistan dhe që tani po e braktisin vendin e tyre duke tradhtuar popullin e tyre dhe duke e lënë në mëshirën e talibanëve të pamëshirshëm pasi që për njëzet vjet bënë lojën e demokracisë së rreme, institucione të rreme, dhe të gjitha këto duke shpërdoruar paratë e taksapaguesve amerikanë dhe europianë që iu dhanë si ndihmë popullit afgan.
Anëtarëve dhe votuesve të PD-së duhet t’ u vijë neveri nga deklaratat e Bashës dhe Berishës.
Sorosianët që kontrollojnë politikën amerikane ndaj Shqipërisë nuk e duan PD-në në pushtet, qoftë me Bashën qoftë pa Bashën.
Për më tepër Basha dhe Berisha reaguan para se të shprehej Presidenti Meta i cili madje nuk është shprehur ende.
Është fatkeqësi kur një vend ka një qeveri të keqe por është dyfish fatkeqësi kur në këtë vend ka një opozitë që zotohet hapur ta bëjë në përmasa më të mëdha të keqen që po bën qeveria. Pikërisht këtë fatkeqësi ka sot Shqipëria./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *