Home

Lajme

Enver Bytyci – Kosova do jetë aty, edhe nëse politikanët “hanë kokat e veta”!

No Comments Lajme Opinion

Një analist serb, Predrag Djokiç, ka publikuar një karikaturë në mbështetje të talibanëve në Afganistan, më shënimin “Rradhën e ka Kosova”! D.m.th se siç talibanët afganë pushtuan Kabulin, edhe Prishtinën do ta pushtojnë talibanët serbë, pasi “të largohet” NATO prej Kosovës! Paralelizmi është i qartë! Por optimizmi nga buron? Pa asnjë dyshim nga bashkpunimi i Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç!
Ekziston një version, sipas të cilit Mehmet Shehun e “hëngrën” demonstratat e pranverës së vitit 1981. Ka një mendim të përhapur, sipas të cilit ato demonstrata futën në sherr kryeministrin me diktatorin Hoxha. Enver Hoxha e fitoi betejën me ish-bashkëluftëtarin e tij për shkak të kultit të tij dhe kontrollit të Sigurimit të Shtetit. Pra e çoi Mehmet Shehun në ferr. Pas pak vitesh do shkonte gjithashtu vetë atje, por pa “vetëvrasje” me disa plumba, siç ndodhi me ish-kryeministrin më jetëgjatë të Shqipërisë.
Një analogji e tillë më vjen ndërmend në kohët e sotme. Asokohe konflikti midis Enver Hoxhës e Mehmet Shehut sillej rreth idesë, nëse duhej apo jo të ndërhyhej në rast konflikti të armatosur në Kosovë. Shefi i shtetit shqiptar ishte kategorikisht kundër. Kryeminstri bënte planet e veta. Ai ishte edhe ministër i Mbrojtjes. Urdhëroi transferimin e forcave në veri, sidomos në zonën e Hasit. Edhe regjimentet e artilerisë.Por Mehmet Sheun e vranë, diktatori vdiq dhe Kosova e vazhdoi luftën pa Shqipërinë e përçarë në emër të saj!
Sot në politikën shqiptare ndodh i njëjti polarizim. Sigurisht në rrethana krejt tjera. Kosova është përsëri shkaku i ndarjes. Edi Rama, thuajse i vetëm, është në rolin e diktatorit Hoxha dhe ka marrë përsipër të realizojë “bashkim-vëllazërimin” shqiptaro-serb. Politikanët e tjerë, përfshirë presidentin e Republikës, zotin Meta, janë kundër kësaj filozofie, së paku sa kohë që Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Përplasja brenda politikës shqiptare është e hapur, nuk fshihet nga asnjëra palë. Më së shumti e shpalos atë kryeministri i Shqipërisë, i cili i kundërvihet me arrogancë jo vetëm çdo politikani në Shqipëri, por edhe të gjithë politikanëve në Kosovë.
Për herë të parë në Kosovë zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike dhe nuk pritet nga Edi Rama në Tiranë. Memli Krasniqi nuk preferohet nga Edi Rama si kryetar I PDK-së. Ai do të donte të ishte aty Vlora Çitaku, sepse aftësia e tij manipuluese te gratë është e spikatur! E përmenda këtë fakt për të kumtuar lajmin se Edi Rama e ka humbur mesa duket partnerin e tij në Prishtinë, PDK-në e Thaçit, por për ta maskuar këtë ai thërret Vlorën në ndonjë tavolinë për kafe. Kjo është me rëndësi. Enveristët e Kosovës nuk shihnin te diktatori Hoxha tradhëtinë e tij për Kosovën dhe marrosen ende sot me ndonjë fjalë apo fjali që ai ka përdorur për interesat e tij të pushtetit për të. Janë të njëjtët, pra enveristët e Kosovës, që sot preferojnë bashkëpunëtorin e Serbisë në krye të ekzekutivit shqiptar, në vend të atdhetarëve dhe politikanëve të përkushtuar për Kosovën. Ata marrosen pas një fjalie hipokrite të Edi Ramës se “Serbia duhet ta njohë Kosovën”!
Nëse Edi Rama, apo asokohe Enver Hoxha, nuk do të kishin mbështetje ideologjike të natyrës serbo-komuniste në Kosovë, nuk do të ndodhte që në tavolinën e bisedimeve me Beogradin të vihej harta e Kosovës. Nuk do të ndodhte kjo edhe nëse Serbia nuk do të bëhej me marrëveshjen e 2013-ës të Thaçit e 2015-ës të Isa Mustafës aksionere në shtetësinë e Kosovës. Nuk do të ndodhte gjithashtu që Aleksandër Vuçiç të promovonte në forma të ndryshme Jugosllavinë e Re deri te Open Ballkan! Pa ndihmën e shqiptarëve si Edi rama e Hashim Thaçi, nuk kishte shans që presidenti serb të rehabilitohej! Ndaj ekstremisti Djokiç bën parashikimin dhe lutet që “pas Afganistanit, ta ketë radhën Kosova”! Sigurisht që kjo nuk do të ndodhë. Për inat të Vuçiç e të Edi Ramës Kosova do të bëhet brenda 5-6 viteve anëtare e NATO-s dhe kësisoj sovraniteti e shtetësia e saj do të garantohet nga neni 5 i këtij Pakti. Kjo do të jetë rruga më e mirë për të garantuar sigurinë e stabilitetin në Kosovë e në rajon!
Ndaj shpresa e Djokiç është thjesht një ëndërr me sy hapur, edhe pwr faktin se amerikanët me të arritur objektivin e tyre në Shqipëri do ta lëshojnë Edi Ramën. Ata nuk kanë aleatë të përjetshëm, aq më tepër pseudoaleatë! Nuk dihet se kush do ta marrë me vete mikun e vëllain e tij, Rama Vuçiçin apo Vuçiç Ramën! Por një gjë është e sigurt: Të dy talibanët anti-Kosovë do të ikin nga skena politike dhe Kosova do ta arrijë atë që meriton. Në këtë moment edhe politika shqiptare në Shqipëri, Kosovë e madje në Maqedoni do të shpëtojë nga kurthi me emrin Kosovë. Në fakt nga kurthi pro-serb i Edi Ramës. Deri atehërë këta politikanë do ta vazhdojnë betejën për të ngrënë kokat e njëri-tjetrit, po përsëri Kosovën nuk do të mund “ta hanë”! Ajo është aty dhe do të jetë aty edhe më e fortë, më stabile, me shtet të sigurt dhe sovranitet të garantuar!

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *