Home

Lajme

Mehmet Elezi – Tregim – DASHNORI

No Comments Argëtim Letersi

Sot në ExLibris

Drejtori mbylli telefonin dhe kërkoi një kafe të shkurtë. Doni të dini për Dogjanin?
Atëherë nuk isha drejtor televizioni, isha kandidat për t’u bërë kurrkush. Kisha fjetur në këmbë si kuajt, në grunishtë. Kisha fjetur në shkollë, duke bashkuar dy banka nxënësish. Kisha fjetur, ç’rëndësi ka, më në fund më gjetën një strehë në pjesën e mbrapme të vatrës së kulturës. Një si kthinë a aneks, mbushur me gjithfarë rrangallash, një daulle e shqyer, do perde të mbledhura duq, një zgjedhë, ç’dreqin donte zgjedha aty?, veshje popullore të brejtura prej tenjës, gazeta të zverdhura palë, mbytur në pluhur. Kryesorja, aty ishte një dritare e madhe, hynte dritë dielli sa të duash. Do dërrasa e listela të kalakryquara, që mbyllnin dritaren, i zhgojova, ua hoqa gozhdët e ndryshkura e njollat e gëlqeres dhe sajova me to një shtrat druri. Tashti mund të mblidhja brinjët rehat-rehat, në vetminë time.
Nuk ju thashë, drita e diellit ka lidhje me minierën, fillimisht më patën çuar në minierë. Sa hyja në galeri, zverdhesha. Ndieja kërcitjet e armaturave, dheu e gurët çuçuritnin, do t’i shtypim si bubrreca, i thoshin shoqi-shoqit. Më terroheshin sytë, disa herë më ra të fikët, duke shtyrë vagonin. Gazetar, bythëpambuk qyteti, i rritur me makarona, më shkundi brigadieri. Mos e çaj kryet, shtylla në këmbë në galeri dhe gruaja shtrirë në shtrat mbajnë sa të duash. Më vizitoi mjeku i minierës, je klostrofob, më tha. Falë tij më caktuan me dhanë mësim në shkollë. Në minierë më patën çuar për riedukim.
Me Dogjanin më afroi ajo fjala e Nastradinit, të vijë me më pa vetëm kush është rrëzuar në dardhë si unë. Dogjani dhe unë qemë rrëzuar në të njëjtën dardhë. Ky do vjet më i ri, kish mbaruar shkëlqyeshëm të mesmen bujqësore, duke bërë dy orë me shkue e dy me ardhë mbi ato këmbë të gjata si të Husein Boltit, për universitet nuk ia dhanë të drejtën. I ati kish mbaruar akademinë ushtarake në Itali, kish qenë oficer i lartë xhandarmërie i mbretnisë. Dreqi di pse e caktuan Dogjanin në atë kooperativë, ai vinte nga malet, atje kish më shumë nevojë. Me gjasë aty qe më i kontrolluar.
Djalë i bukur, në sy kish përherë një mjegull plot mall, stërpikur me gjelbrim. Rrinte i tërhequr, nuk afrohej. Po t’i flisje, buzëqeshte. Ku po fle, i thashë një ditë. Mjegulla e syve të tij u tremb, thua e çau ujku. Pse e pyet, i thashë vetes. Ku flije ti kur erdhe në fillim?
S’e di si u gjet një krevat portativ i harruar diku dhe u bëmë dy në atë që po e quaj dhomë a fjetë. E vetmja kërkesë që më bëri pas do ditësh, qe për librat, mund t’i lexoj edhe unë? Po unë mund t’i bie violinës tënde? Kish një violinë të vjetër, e paskesh prurë i ati nga Italia, im atë e çmon mbi çdo send që ka, tha. Një herë i kam thënë vetes kushedi, po sikur të jetë e Stradivarit? Aq tingëllim qiellor, të dridhshëm kishte. Dogjani luante herë pas here do pjesë të huaja, disa pa ua ditur emrat, luante këngë shkodrane dhe këngë napolitane. Nuk dinte nota, pjesët i mbante mend siç ia kish kapur veshi në fëmini, duke dëgjuar të atin në kullë mes maleve.
Rrallë na binte me ndenjë një orë bashkë, kohën e gjumit nuk po e shti në hesap. Ai vonohej, kooperativa kooperativë, i duhej me dhanë llogari edhe për një bisht shati.
-Si e kalove sot Dogjan?
-Paj, mirë.
Prej qenit të rojes e merrja vesh se po vjen. Lehte si i çartur. Pasi u miqësuan, qeni tundte bishtin, kur kalonte ai. Mbasandej nuk më lajmëronte më qeni i rojes, më lajmëronte një lepur. Lepuri i gjumit tim të lehtë. Edhe pse hynte pa u ndier, thua qe hije dhe jo qenie me shpirt, nuk ndodhte mos me e ndie kur çelte derën.
-Shumë u vonove Dogjan. Ke hangër gjë?
-Paj, punë.
Vonesat e tij po bëheshin më të shpeshta. Dhe sidomos më të zgjatura.
Këqyr orën, ka kaluar mesi i natës. Këqyr prapë shtratin e palosshëm, Dogjan s’ka. Hë, djalosh, nuk po e marr vesh punën tënde. Diçka nuk shkon këtu.
Je më i ri se unë, dëgjo, i them një natë. Nga bredh nëpër terr, kur gjindja flenë? Do ta marrësh veten në qafë. Je rritur në fshat, e di ç’u bëjnë maçorrave? Kur e teprojnë pas maceve nëpër shtëpitë e botës, duke zgjuar edhe muret me mjaullima, ua këputin bishtin. Po, po, bishtin. I kapin, ua venë në cumër druri dhe krrup, me sqepar. Ti e kupton, hm, këta nuk merren me bishtin. Këta këputin koka!
Mjegulla e syve të tij u shndërrua në vesë.
Të kuptoj, je i ri e të vlon gjaku, hormonet ulurojnë si ujq, jo si maçokë. Të paktën kapu pas njerës e mbaju aty, për së mbari. Mos bridh natën shtëpi në shtëpi.
-Paj, nuk.
Zëri i humbi nëpër terr.
Jo vetëm zëri. Edhe ai vazhdonte me humbë nëpër terr. Një herë në javë, dy herë në javë, tri herë në javë. Pa një rregull.
Një natë i dhashë karar me këqyrë ku po mbytet, më dhimbsej. I vihem pas. Ngrohtë, s’kish hënë, shpërhapej erëmim barishtesh të njoma dhe uji të ndenjur kanalesh, crrikaçët nuk pushonin, tej priste heshtjen një klithmë, pingronte gjoni. Kishim ecur nja katërdhjetë minuta të mira nëpër xhade, kur më humbi. Se nga doli një motor, grahësi zbriti, ia la motorin këtij dhe u zhduk. Shih, qenkan grup! Në ç’punë të fëlliqët je zhytur more djalë?! Për fat ia beh autokinemaja, operatorin e njoh, kishte shfaqur film diku në fshatrat matanë e po kthehej. Po ti këtu? Shkelja, i them. Pas tetëmbëdhjetë kilometrash Dogjani merr kthesën në një rrugë të ngushtë. Le motorin te këmba e urës së drunjtë, hyn përfund saj, vonohet pak, aty paske lënë takim o bukurosh? Hyn në një barakë. Atje banonin të internuarit, pasi kishin bërë burg politik. Palohem pas një trungu. Filloj me nirthtë, më kaploi i ftohti, ndoshta lagështia e natës, ndoshta ethet e zemërimit me Dogjanin. Pas një farë kohe çelet dera, nuk ndizet dritë. Dalin dy hije. Puthje cuk-cuk, pëshpërima. Prapë po putheni, nuk ju mjaftoi një orë brenda? Ah, more Dogjan!
Kisha hyrë në tesha, kur u kthye. Hape dritën pa merak, dashnor i orëve të vona, i them. Jam zgjuar. Se edhe në ma pastë qejfi me fjetë, nuk fle dot. Sonte është nata e fundit që ti, more djalë, rri në dhomë me mua. Madje as sonte nuk duhej të puthje këtu. Por s’ke ku shkon në këtë orë, më vjen keq. S’ke ku shkon, se edhe ajo dashnorja jote, me sa duket s’të mban dot brenda. Mos thuaj jo. I pashë të tëra me sy.
-Paj, tha Dogjani. Mund ta ndez një cigare?
-Ndiz cigare e çka të ta dojë zogu i qejfit, vetëm banesës mos ia ve flakën, boll po i ve flakën jetës tënde. Paç veten në qafë, kush vret veten, shkon gjakhupun. Me gra të martuara, të internuara! Nuk gjen një vajzë të hajrit në tërë këto katunde?
Nuk besoj se mbyllëm sy njëri as tjetri. Pak pa zbardhur, nisi me u veshë.
-Faleminderit për bujarinë, më mbajte me bujtë kaq kohë, tha. Diku kam me e shti kryet edhe unë, si tërë qeniet e gjalla. Ose do të kthehem në rrenojat e kullës. Atje, në male.
-Pse thua rrenojat, s’ke prind atje?
Më dridhej zëri prej idhnimit.
-Paj.
Po çel drita, tha gjeli i rojes. Andej kah kodrinat derdhej frymëmarrja e lëbardhme e qiellit. Në krahun tjetër, nga deti, notonte hëna. Edhe ajo zbardhur.
Dogjani lëshoi mbi shkrimore dy paketa cigare.
-Po t’i lë këto, nuk ma merr për keq. S’.
Në sy iu rrëzua nata.
-Më lejo me të kërkue edhe një shërbim, tha. Mund ta lë këtu, te ti? Ma afroi violinën te nënkresa. Do kohë, sa të. Vetëm pak ditë, ndoshta. Sido të bëhet, ti ma ruan. Te ti e kam të sigurt.
Dikush ma mëshonte me grushta nga brenda në parzëm, gjynah, pse e dëbon?
Shkrap. Dogjani uli dorezën e derës. U ndal.
-E mora vesh se më ke ndjekur. Dhe ke parë një hije kah më përcolli nëpër terr. Në oborr të kasolles, te të internuarit. E ke dëgjuar kah më puthte cuk-cuk, në faqe.
-Po, e pastaj?
-Ajo hija që ke parë është e lodhur, e këputur. Vetëm kur më sheh mua, këndellet. Ditën punon si kafshë në fushë, natën i shërben të shoqit. Ai është i sëmurë.
-Aq më keq, Dogjan. Për ty, jo për mua. Mua më kanë ndëshkuar, je liberal, por ëndërroj me u çue në këmbë, përpiqem me dalë mbi ujë. Sa për veten, aq për nanën e për babën tim. Nuk mund t’ua copëtoj prapë zemrën, kanë vuajtur mjaft. Ti je më i ri se unë, të paktën për prindët e tu nuk mendon? E sheh sa poshtë paske rrëshqitur?
-Thashë, ajo i shërben atij, ai është i sëmurë. Dikur ka qenë oficer. I shkolluar në Itali.
Çupuriti nëpër xhepa, sikur kërkonte fillin e një lëmshi. Kërkonte shkrepësen.
-S’e di kur shihemi, veç. Veç mos mendo keq për mua. Ti s’e di kush është ajo që më përcolli në oborr.
-As që dua t’ia di kush është ajo!
Heshti pak.
-Në oborr më përcolli nana. Atje janë prindët e mi. Prindët e mi të internuar. Ti e kupton, nuk mund t’i takoj ditën. Megjithëse. Nana vuan dyfish.
Nata m’u dogj në gojë. Goja m’u mbush me shkrumb.
-Kam një mik, ka një motor të vjetër, e ka të punës. Sa herë ka mundësi, më përcjell e më kthen. Përndryshe nuk.
Matanë gardhit lehu thekshëm qeni i rojes. Dikush po afrohej asajt nëpër terr.

Mund të jetë një imazh i 1 person

Burimi/Facebook/Mehmet Elezi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *