Home

Lajme

Që prej motit të madh të kryezotit të Arbërve, ka mbetur një fill lidhës mes Venedikut e shqiptarëve.

No Comments Argëtim Histori

Atje ikën Arbrit, pas rënies së vendit nën Osmanët. Por ikja, nuk ishte fundi. As atëherë, as sot. Shumë prej familjeve arbërore që u vendosën në rrethinën venedikase, lanë gjurmët e dëshmitë e tyre për Arbrin që kishin lënë pas. Atje mori jetë vepra e Marin Barletit për Skënderbeun, po atje edhe “Panegjeriku” i Marin Biçikemit për Shkodrën. Edhe prelati Dhimitër Frangu, e botoi në Venedik biografinë e komandatit Arbër i njohur si ‘Komentari’. Të tre ata, e jo vetëm, përmes veprave të shkruara kanë dëshmuar Motin e Madh duke u bërë zanafilla e studimeve të mëvonshme mbi Arbrin, identitetin arbëror dhe lidhjet tona me Europën. Shekujt kanë treguar se kurdo që ikim, marrim me vete një copëz atdhe, herë për të shuar mallin e herë për të rigjetur rrënjët. Por, shumë motmote më vonë, ne ende kemi nevojë për të treguar, për të treguar fillesën tonë të përbashkët, që nis po te ai flamur, si unifikues identiteti, pavarësisht kufijve që na ndanin a na ndajnë. Më kanë pyetur shpesh, se pse endem mes Venecias e Medvegjës dhe nuk gjej përgjigje më të mirë se shembulli i humanistëve mesjetarë për të sjellë. Modestisht, nën shembullin e atyre që ikën, dhe e mbajtën kokën pas, kur kam ikur, e kam pasur vështrimin këtu. Zanafilla është po ai simbol i flamurit arbër, tashmë nën shenja të reja.Një konferencë e një botim mbi veshjen popullore ka qenë si një ëndërr për një të ikur, që mund të jetë plotësuar profesionalisht por ka ndjerë gjithnjë boshin e nostalgjisë për vendlindjen. E shkuara është përbashkuese, dhe vizualisht, tradita dhe simbolika e pasqyruar në veshjet popullore, është një materializim i asaj që na bashkon. Të shkruarit e gjuhës sonë, u dokumentua vonë, dhe gjithsesi, para se të njihnim artet, para se të shkruanim letërsi, ne kishim gjuhën e folur dhe gjuhën e veshjeve. Ne mund të kapemi pas asaj që kemi trashëguar dhe ta përçojmë atë për brezat e ardhshëm. Modernizimi e ka zbehur funksionin primar të veshjeve popullore, atë të mbrojtjes së trupit, ndaj veshjet e popullit tonë, në shumë mënyra, na mbrojnë tashmë nga harresa e asaj që na bashkon. Secila veshje e secilës krahinë, bart një histori për t’u treguar, e një mesazh për të dhënë. Të gjitha copëzat, të mbledhura bashkë, janë mozaiku i përbashkët, historia jonë dhe jemi ne.Konferenca Shkencore “Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera”, që u mbajt në datat 1 dhe 2 maj 2019, ngriti siparin e shumë ngjarjeve kulturore që do ta pasojnë në të ardhmen. Synimi i saj ishte, të dëshmoheshin rrënjët tona autoktone shqiptare, që datojnë që në kohë të hershme. Artikujt dhe kumtesat shkencore të mbajtura nga ekspertë dhe studiues të lëmit të etnografisë, nxorën në pah vlerat e mëdha dhe të patjetërsueshme, që ne shqiptarët kemi fatin të trashëgojmë nga paraardhësit tanë. Jo rastësisht, kjo konferencë e parë trajtoi tematikën për veshjen e viseve shqiptare, veçanërisht të Medvegjës. Veshja është tregues i rëndësishëm i trashëgimisë brez pas brezi dhe njëkohësisht, është ura lidhëse që vërteton prejardhjen tonë në zanafillë ilire e arbërore. Duke e parë veshjen si një nga pasuritë më të mëdha që zotëron kombi ynë, ajo mbetet e pazëvendësueshme për qasjen tonë ndaj përkatësisë etnike dhe lidhjes sonë me këtë përkatësi. Ndaj, ne sot kemi detyrën historike jo vetëm për ta mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi, por edhe për të dëshmuar e studiuar elementet unikale shqiptare në to. Në këtë libër, i paraqesim botës akademike dhe publikut të gjerë, mozaikun e artikujve dhe kumtesave shkencore të mbajtura në konferencën “Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera”, që përbëjnë dëshmi e studime të veçanta që do t’i shërbenin, studiuesve të fushës e jo vetëm. Kjo konferencë është fillesa e angazhimeve tona si AFEDS (Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi) për të mbështetur dhe organizuar ngjarje të tjera me rëndësi kulturore, akademike dhe shkencore, të cilat do të kenë si objekt kryesor evidentimin e kulturës shqiptare të zhvilluar ndër shekuj, si pasuri e madhe për kombin tonë.Të gjitha kanë ndodhur më herët, nuk ka asgjë të re, ndaj duhet të lexojmë shenjat e shembujt, për të marrë prej tyre, udhën e drejtë. Konferenca për veshjen popullore dhe ky libër që përmbledh punimet shkencore të gjithë studiuesve shqiptarë mbi të, mbi simbolikat, format, ngjyrat e format që përçansojnë atë që ne jemi, është vetëm një ftesë që përmes të shkuarës të rikujtojmë elementet e përbashkëta të trashëgimisë kulturore, sepse kultura, aq san a dallon nga të tjerët, na afron më te singjashmit. Studiuesit do të tregojnë përmes punimeve të tyre se veshja popullore i takon një komponenti bazë për dallimin e një identiteti, një etnie, që ndryshe ndërton tërësinë kulturore të njohur si traditë ose si trashëgimi kulturore.Në vazhdë të kësaj ideje, e shoh edhe muzeun etnografik të shqiptarëve të Medvegjës, sepse në atë muze, do të jenë fizikisht, fijet lidhëse të etërve e bijve, që duke tejkaluar legjendat e gojëdhënat, do të marrin formë, përmes vizualizimit që i bën më së miri, veshja si bartëse e gjithë folkorit tonë. Rëndësia e muzeut rritet, në një kohë kur veshja popullore është kthyer në një souvenir. E dalë nga përdorimi i përditshëm, muzeu do të na tregojë kurdo, veshjen autentike dhe botëkuptimin e ritet e saj, duke na kujtuar njëherësh, rastet e ceremonite shqiptare kur vishej secili kostum. Libri si fillim, e muzeu në të ardhmen, janë jo vetëm detyrë ndaj brezave që do vijnë, kur veshja do të jetë ende më shumë se sot një antikuar, por edhe kontributi ynë, për vijimësinë kulturore. Sërish, po nga mesjeta, na vjen në ndihmë, shembulli i arbëreshëve, që në ikje, bartën kulturën e traditën, gjuhën e kulturën, veshjen e këngën, dhe e sollën deri në ditët tona.Do të ketë të tjera mote të mëdhenj për shqiptarët. Deri atëherë, duhet të dimë të jetojmë duke bartur e përçuar, kulturën që na dallon dhe bashkon me kombet e Europën. Suksesi i kësaj konference pwr kostumet, shërbeu si garanci, që ajo të kthehet në një traditë të përvitshme shkencore për të nxjerrë më në pah vlerat, kulturën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre në Gadishullin Ballkanik e ilirik.Shkruan Muharrem Salihu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *