Home

Lajme

Shënime nga Ndue Lleshaj, kushtuar librit “VEZULLIME”

No Comments Argëtim Letersi

Nga Petrit Aliaj
Shënime nga Ndue Lleshaj, kushtuar librit “VEZULLIME””
me autor mësuesin pasionant, kritikun e përkushtuar, të dashur, e të sertë, lëvrues i artit të të shkruarit, gjurmëlënës në “LSHASHI”, dhe kontribues i gjuhës së njëhësuar shqipe, prof. Ndue SHabaku.
Më hipi në kokë ta shkruaj, ngaqë më duhet, patjetër, ta laj ndërgjegjen prej shkarjes së gjykimit tim. Kjo më erdhi që në faqen e parë, madje, që në rreshtin e parë të parathënies për librin “Vezullime”, me autor Ndue Shabakun, ku redaktori Gjergj Nikolla shkruante: “…, lexuesi ka në dorë një libër të rrallë me kritikë letrare.” Pikërisht këtu m’u ngrehën turinjtë përpjetë. Nuk i shtrëmbërova për profesorin e pasionuar, studiuesin e mirënjohur të gjuhës e letërsisë shqipe, për rrëfimtarin fjalëmbël e mendjenditur, për vlerësuesin e pagabuar, autorin e librit “Vezullime”, zotni Ndue Shabaku, por prej lëvdatës së lëshuar pa kursim nga redaktori Gjergj Nikolla. E paragjykova sapo e lexova togfjalëshin “libër të rrallë”. M’u ngul në mendje. Mendova se ai nuk ka nevojë për mbivlerësim. Dhe …, në pak sekonda, këtë person solla në kujtesë. M’u bë se më erdhi para sysh i tëri miku im Ndue Shabaku. Mik i rrallë. Mik që ma kishte ënda të kaloja kohë sa më të gjatë me të, i sigurtë se do të përfitoja nga ai, ndaj, duke menduar se lëvdata e tepruar e dëmton madhështinë e personalitetit të tij e një si trishtim ma përshkoi shtatin.
Me gjithë respektin për redaktorin Gjergj Nikolla, jo nga njohja e drejtëpërdrejtë me të, por nga lexuesit e të njohurit e tij, përkohësisht, e shkëputa leximin në parathënien e titulluar “Një libër për librat” dhe, si fluturakët që në ikje e sipër ndalojnë e kundrojnë ku të gjejnë ndonjë majë të përshtatshme, zura të shfletoja librin. Çuditërisht, kudo që e ndala shikimin, u ndesha me shprehje të bukura që m’i shembën mendimet e liga. S’prita t’i shkoja në fund. Iu ktheva parathënies. Teksa lexoja, vetiu, e tunda kokën sa majtas djathtas. Nuk e prisja të bija kaq shpejt në kontraditë me veten. Megjithatë, përsëri po më bëhej se njëfarë teprimi e përshkonte tërë parathënien. Ta shohim, i thashë vetes, e u ngula në libër.
U dorëzova shpejt. Ra çdo mosbesim apo keqkuptim se recensuesi i librit “Vezullime”, jo më kot, i kishte vënë titullin mjaft të gjetur parathënies, “Një libër për librat”, por e kishte studiuar me shumë vemendje. Në të nuk kishte bërë ndonjë mbivlerësim apo shprehur ndonjë fryrje. Parathënia është një shtjellim mjeshtror rreth një libri vërtet ndryshe. Poeti i talentuar Gjergj Nikolla e ka pasqyruar tërë përkujdesjen e autorit të librit, për t’i nxitur artshkruesit e për ta bërë me mjeshtri kritikën sa më të kapshme. Ka nxjerrë në dritë autoritetin e tij si studiues, zemërgjërësinë e tij për ta ndarë me autorin mendimin kritik, duke e quajtur edhe vetë një portë që mirëpret këdo … dhe në këtë përfundim ka arritur në bazë të një analize të hollësishme. Ta mbështesja redaktorin, do të kisha dëshirë, por ai e ka analizuar tërësisht e mjeshtrisht. Përpara lexuesit ka zbuluar një galeri të pasur mendimesh e gjykimesh të shprehura bukur ashtu siç qëndiset një gjerdan me gurë xhevahiri.
I lakmova ata gurë e, pikërisht në gjetjen e grumbullimin e tyre, më lindi dëshira dhe mora guximin të shkruaja për librin “Vezullime” me autor Ndue Shabakun.
Ajo që nuk mund ta lë pa e cekur, edhe se është trajtuar shumë mirë nga recensuesi në parathënie, është koncepti i trajtimit ndryshe të një libri me karakter kritik, gjë që me kandarin tim e vlerësova shumë. Trajtimi në këtë libër i disa çeshtjeve prej një pjese krijuesish të panjohur e nga të tjerë të lënë prej kohësh në harresë, autori me dashamirësi ua kujton duke i trajtuar thjesht, bukur e në përputhje me njohuritë shkencore.
Profesori i pasionuar ka ndjekur disa krijimtari artistike, nga më të ndryshmet, duke i bërë ball e reflektuar saktësisht e qartësisht si kritik i sprovuar. Patjetër që jo çdo krijim e meriton të quhet i tillë, por prof. Shabaku, si kritik letrar, është aq i kujdesshëm, sa të mos përdorë hanxharin e prerjes së kokës për asnjërin, por melhemin e kurimit për këdo. Për t’u ardhur në ndihmë, jo vetëm lexuesve e komentuesve të gjithfarëllojtë, por edhe poetëve, sidomos, atyre me njohuri disi të cunguara, autori i “Vezullime”, me një bujari e dashamirësi të pazakontë për këdo, ka lëshuar një tufë drite mbi paqartësitë e mundshme. Atë dritë e përcjellin xhevahiret e shprehjeve të autorit, herë të sajuara nga vepra ku gjejmë kritikat e shumta të gjitha me kripën e duhur, herë të mbledhura nëpër veprat që analizon.
Duke lëshuar dritën edhe në fjalën “muzë”, shpesh të përdorur pa vend apo të lëshuar në tym, autori sqaron prejardhjen dhe domethënien e saj. Kjo i paraprin qartësimit të termit “poezi” gjë që krijuesit të ri i nevoitet të ketë parasysh se ka të bëj me krijimin, mënyrën e lindjes së saj, të shpërndarjes dhe perfeksionimit të vazhdueshëm të kësaj të fundit, e cila ia dorëzon krijimtarinë vlerësuesit të vërtetë, lexuesit. Çështjen “Fakti dhe imazhi artistik”, autori e sjell si domosdoshmëri për t’u kuptuar se nga të rinj të talentuar, duhet të krenohemi, madje, edhe të mësojmë…Trajtimet e disa çeshtjeve të tilla, të cilat redaktori i ka quajtur “minileksione”, për mua edhe se të shtrydhura mirë, të përmbledhta, të thukëta për lexuesin e çdo niveli, më ngjajnë leksione të mirëfillta e fort të goditura. Autori i “Vezullime”, profesor Ndue Shabaku, përmes tyre shpalos njohuritë duke treguar zemërgjerësinë e tij për t’u futur në thelbin e problemeve a ideve që nxirren nga krijuesit në veprat e tyre. Shkurt, secila prej tyre, shërben si mjet konkretizues në shërbim të ballafaqimit autor – vepër – lexues.
Shtjellimet në formë leksionesh, në librin “Vezullime”, vijnë si dielli në të zbardhur për të shquar gjithçka shikohet në çdo recension të tij. Kështu, duke analizuar krijimtarinë e poetit Skënder Braka, me poezinë e titulluar “Përtej ëndrrës së Minervës”, autori Shabaku nxjerr problemet e lindura e kundërveprimet shoqërore. Gërmon dhe zbulon se nga etimologjia dhe kuptimi që nga antikiteti, për të dalë në përfundimin se Minerva, është gjetje, ngaqë ky emër është simboli i gruas intelegjente.
Kritika e prof. Shabakut vjen dashamirëse si përkujdesje për ta konkretizuar atë që e sjell në formë teorie edhe në ciklin “Bernuda”, ku në titullin shumë kuptimor veçon nuancën, vela në formë trekëndëshe, krahasimi i trekëndëshit të detit Greqi – Itali – Shqipëri, i cili në dy anë ka zot e në anën nga Shqipëria, për fat të keq, ende nuk ka. Mesazh kuptimplotë se cënimi i bregdetit tonë ka trofe eshtrat e lëna, vjen i fuqishëm e aktual nga poeti dhe me vlera të shtuara vjen edhe nga recensuesi. Me anën e këtyre analizave trajtuar me finesë si “leksionin” nga autori i “Vezullime” vlen për autorin e poezisë (Gjergj Nikolla), sepse nxit lexuesin të përpiqet ta gjejë e t’i lexojë këto krijimtari, tani me një kureshtje të shtuar.
Teksa flet për poezinë dhe publikimin e saj, prof. Shabaku, vë pikën mbi “i” duke kategozizuar autorët e shkrimeve. Ai ia vë në dukje grupet të poetëve që rendin pas manisë së vargëzimit të pandërprerë, pa u kujdesur për cilësinë, për idetë e tematikat e përafërta, për mangësitë gjuhësore si dhe vlerësimet e tyre nga rethana simpatie apo miqësie si antivlera. Në grupin tjetër autori rendit krijime nga persona ambiciozë me stil të përfeksionuar, duke krijuar filozofinë e artit të fjalës. Autori i inkurajon të dya këto kategori për vetë larminë e lexuesve, por edhe nxit që lexuesit në kritikat e tyre, për hir të artit, të mos mbeten robër të ndjenjave të miqësisë.
Prof. Shabaku ndalet edhe mbi etikën e shkrimtarit, duke e orientuar krijuesin drejt një çlirimi shpirtëror. Këtu thekson se autori duhet të jetë i çliruar nga pesha e vlerave artistike, të shkruara nëpër rrugën e gjatë të artit. T’i shërbejë lexuesit. Jo art për t’u pasuruar (duke rendur drejt sasisë). E këshillon dhe ngulmon në domosdoshmërinë e respektit për lexuesin e kolegun, e do atë pa kompleks ideologjik dhe, së fundi, t’i ruhet korit të lëvdatave. Të gjitha këto janë trajtuar në mënyrë mjaft tërheqëse dhe shumë dashamirëse, ku, përmes thënieve të goditura, del në dritë e veçanta e këtij libri.
Mendoj dhe besoj se, jo vetëm për ato poetë a shkrimtarë të rinj, por dhe për shkrimtarë e poetë me eksperiencë, drita e lëshuar përmes këtij libri, si vetëtimë në netët me re, ku udhëtarit i jepet mundësia të përkujdeset e ta fiksojë shtegun ku do të hedhë hapin, për të mos rënë në greminë në anërrugët e maskuara nga terri, janë lëshuar me vend.
Autori i librit, bazuar në njohuritë e tij të plota e të thella, trajton me autoritet, shkurt e qartë konceptin që mbart poeti e shkrimtari në lidhje me lëvrimin e gjuhës në kërkim të zbulimit të fshehtësive të thesarit të saj, bazuar te fjala me nuancat kuptimore me gjuhë të stisur, me kuptim dytësor të fjalës, për të arritur majat e bukurisë së të shprehurit. Shkrimtari e poeti, sqaron autori në librin e tij “Vezullime”, duke dhënë së pari shembullin e vet, duhet të përdorin e lëvrojnë gjuhën letrare formuar si rezultat i bashkëpunimit të dy dialekteve kryesore.
Në librër kritika e Shabakut nuk vjen si buqeta lulesh të blera tek luleshitësit, për t’u bërë qejfin autorëve. Ajo vjen e rrafshët e ëmbël, tërheqëse, bindëse, aq sa të bën të motivohesh prej tij. Nuk ka vend të marrësh të gjitha shkrimet, (parathëniet kushtuar poetëve apo shkrimtarëve me apo pa eksperiencën e mjaftueshme) për të konkretizuar atë që trajton në udhërrëfimet teorike, parathëniet a recensat. Në secilën gjen krahasime të bukura, thënie të përshtatshme, vargje të spikatura, nxjerrë nga përmbledhjet me poezi, të sjella enkas për të konkretizuar atë që shpreh autori.
Në parathënien e prof. Ndue Shabaku kushtuar antologjisë “Pesë degë trungun thërrasin”, përcillet me tone të larta, ashtu siç e ka shprehur secili autor në poezinë e tij, dhimbja për fatet e kombit. Për ta shprehur këtë, kritiku thekson, … në simbolikën e pikave të lotit dhe të pikave të gjakut, shprehje që të mbetet në mendje. Me këtë ndjesi e me një forcë në rritje në të njejtën parathënie shkruan: “Regëtimat e zemrave të tyre, … që shkakton largësia, travajet e zezonës jetë…” Shprehje të tilla të forta lexuesi i këtij libri i gjen edhe në krijimtarinë poetike të potit Skënder Braka. Ja njëra prej tyre: “… u ngjan kujtimeve të bukura të një ekskursionisti, me trastën e letrave mbi kurriz që është duke eksploruar kozmosin e shpirtit për të arritur në përfundim …”. Nuk besoj se ndonjë lexues, pasi ta kekë lexuar këtë krahasim të shprehur aq bukur, të mos bëjë përpjekjet gjer dhe të mundimshme për ta gjetur bukurinë e poezive të atij libri me plot besim se do të shijojë ëmbëlsinë e frutave të pjekur mirë e jo të përzhitur nga flakët e kashtës, si jo rrallë.
Ai e josh lexuesin duke ia reklamuar bukurinë e poezive që përmban libri me dëshirat e shpresat ëmbëlake, por edhe për pasqyrimin real, reliev i trishtë në rrëpirat e honet në të cilat rrokulliset pa mëshirë fati i njeriut.
Gjithçka që autori i librit Vezullime, i thotë lexuesit, e bën me qëllimin e mirë për ta nxitur atë, duke e drejtuar kah shija e poezisë. I sjell në kujtesë poetit apo shkrimtarit që të qëndrojnë larg zhargonit adoleshentesk, fjalorit të rrugës, etj. Poetin apo shkrimtarin e koncepton në përpjekje të pandërprera për ta lëvruar zellshëm gjuhën shqipe, duke e kanalizuar në dy plane. Në atë individual ku recensuesi përdor krahasimin fat i ngjashëm me akrepat e ndryshkur të orës me fushë të brejtur, dhe në planin shoqëror ku e parapërgatit lexuesin se në poezitë e poetit do të gjejë në heroin e tij barrët e rënda shoqërore të gjitha plagët e rënda që realiteti hap, shkruan duke vlerësuar poetin Braka.
E veçantë është se autori Ndue Shabaku nuk shfaqet si sehirxhi që e shikon ndeshjen nga televizori. Ai të bind se jo vetëm ka hyrë në “stadium” për ta ndjekur drejtpërdrejt, por është aktivizuar në lojë. Me këtë e bën lexuesin ta besojë e të kërkojë edhe ai, ta gjej këtë vëllim poetik, për ta shijuar drejtpërdrejt.
Për vëllimin poetik “Ligjërime”, të autorit Gjokë Beci, prof. Shabaku, në tërë reflektimin shpreh mbivlera. Besoj, ligjërohet kjo që në rreshtin e parë ku e portretizon përmes retorikës: “Burrë i mençur në ligjërim, apo poeti që shkrihet natyrshëm me lexuesin?!” E, diku më poshtë, për vargun e poetit Beci shkruan: “Një varg që e shohim të udhëtojë në mes epizmit historik dhe dhimbjeve njerëzore, mes dritës dhe verbimit prej saj, mes hapave gjigantë të predikuar, dhe hapave prapa të bëra në shekullin memec”. Ky është Gjokë Beci, i rrallë e i lavdishëm, ndaj autori i Vezullime, është shprehur me superlativa në gjithë analizën kritike.
Në recensën e shkruar nga autori i Vezullime për librin “Malli i ka rrënjët larg” të autorit Tonin Nikolli, lexuesi, do të kuriozohet nën trokitjen e lehtë e hapa të padukshëm të epizmit të sofistikuar merr udhë, nervi i jetës tek poezia … Heroi, ndriçon recensuesi, ka kostumin e gërshetuar lirik dhe epik. Autori nxjer në pah vlerat e shumta të poezisë së Tonin Nilollit, duke theksuar që …me mjeshtri të madhe poeti vihet në rolin e mjekut përmes imazheve të gjelbërta që dërgojnë puthje, ledhatime, përkëdhelje.
Pa përmendur se te cili shkrim i librit Vezullime, për cilin autor a në cilën kritikë i veçova ca nga shprehjet që jo vetëm më bënë për vete, por që e pasqyrojnë botën e madhe të brendshme prej artisti të fjalës së shkruar të autorit Ndue Shabaku, ca pjesë të vockla nga të shumtat shprehje kuptimplote, me respekt e dashuri me të cilat e ka trajtuar palcën e kritikës, s’më rrihet pa i veçuar pak prej tyre.
Një poeti të zëshëm: “Varfëria në shpirtin e poetit ka mbaruar dhe pasurinë e ka përkthyer në vagje”. Poetes me të cilën e ka njohjen vetëm virtualisht i jep atë që i takon: “… jam ndaluar me shumë entuziazëm në krijime të tilla si këto të krijuara nga ju”. Një poeti me shumë përvojë: “… poeti shpotit bukur e demaskon ashpër veset që kanë ngritur krye e manifestojnë në shoqëri elementet karakteristike negative” apo “… poezia çliron panoramën e shpirtit …” Në vlerësim të një poeti mjaft cilësor autori Shabaku shkruan: “Nga flakatymi i zhuritjes së truallit tonë dhe nga flakatymi i mishit të njeriut që digjet, nga hiri i shpirtit të përvuajtur të tij të ringjallet”. Një poeteje me varg të konsoliduar: “Një varg i lirë, shumë herë i thyer, i çliruar nga konturet e kanonet e tradicionalizmit, i thjeshtë dhe komunikues”. Një poeti me krijimtari të bollshme: “… autori ka kaluar në sitë lotin e shndërruar nga gjendje e lagët në hirin e thatë dhe mbi të ngelet dhimbje, ngelet dëshpërim, ngelet…” Ai ka ditur të lëshojë dritë mbi metrikën e përdorur nga autori e nuk le pa sjellë nga një “majë luge” me ëmbëlsinë e vargut të tij. Autori i kujton lexuesit se, duke lexuar këtë libër, ka për t’u ndeshur me efikasitetin e games së figurave letrare e sintaktikore pa e harruar neologjizmin si tipar që përshkon gjithë vëllimet e tij. Për një tjetër autor potencial i drejtohet lexuesit se duke lexuar vargjet e këtij vëllimi do të ndjehet në aromën e këndëshme të një buqete me lule të freskëta.
Ama, nuk i mungon edhe ky reflektim: “…mund t’i publikojmë t’i lexojmë, por vlerat lënë për të dëshiruar …” pa harruar të bëjë edhe inkurajimin e duhur, “… gjendem më ngushtë kur më kërkojnë të bëj komplimente, ndaj në mënyrën më të thjeshtë dëshiroj shumë t’iu përcjell maksimumin e mirënjohjes …”
Profesori i pasionuar e kritiku i përkushtuar, i dashur e i sertë thekson se krijuesit i cili rri ditë natë me bllok në dorë që ngrihen nga krevati për të shënuar, një fjalë, një mendim, një ide… i takojnë të gjitha meritat dhe i përkushtohet fort në këtë libër. Kjo bëhet më bindëse në parathënien e një poetje të re ku shpreh me çiltërsi këtë zemërgjërësi: “Dëshira ime është që të njihem me sa më shumë autorë dhe me sa më shumë krijues. Krijuesit gëzojnë respektin tim pa rezervë”.
Ama, asnjëra nga veprat e shkruara që nga mesazhet në internet gjer te shkrimet e botuara (libër, gazetë etj.) nuk marrin asnjë vlerë pa kritikën e shëndoshë që luan rolin e pasqyrës për veprën letrare. Ai kërkon shërimin e saj, aftësimin e përkushtimin.
Unë, si njëri nga lexuesit e këtij libri, e them me plot gojën se është fat i çdo krijuesi që, për ta rehatuar shpirtin e vet, ta çojë librin e tij në dorën e një mjeshtri si ju, gjuhëtar, artist i fjalës së shkruar, i nderuari Ndue Shabaku. Nga dora juaj libri nuk njolloset, por kurohet e merr vlerat e merituara. Si një person me dije të thella e mësues me dashuri e pasion pa kufi, prof. Shabaku i vjen në ndihmë lexuesit duke e mundësuar të gjejë shijen e kërkuar dhe ia evidencon aq sa duhet nga vepra që merr në dorë, pa ia shuar kureshtjen, por, përkundrazi, duke ia nxitur atë.
Përfundimisht, u pa puna. Kritikën e pabazuar e fort të nxituar, sapo lexova rrjeshtin e parë të parathënies së këtij libri, në adresë të redaktorit Gjergj Nilolla, më duhet ta kthej në falënderim për punën e shkëlqyer që ka bërë për Vezullime, këtij libri me vlera të rralla.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *