Home

Lajme

Arrin në 14 numri i viktimave në spitalin e djegur në Tetovë

No Comments Aktualitet Lajme

Prokuroria Publike në Maqedoninë e Veriut, tha të enjten se 14 veta kanë humbur jetën nga pasojat e zjarrit që përfshiu të mërkurën mbrëma spitalin në Tetovë, ku po trajtoheshin të sëmurë nga COVID-19.

Në një komunikatë të kësaj prokurorie thuhet se “prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur nga zjarri, ndërsa po hetohet nëse ka viktima të tjera”.

Disa prej trupave, thuhet në njoftim, duhet t’u bëhen analizat e ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre.

Prokuroria tha se sipas të dhënave fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve.

Edhe më tej është e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin në atë spital ku po kuroheshin dhjetëra të sëmurë. Në kohën e shpërthimit të zjarrit në spital kishte edhe familjarë të pacientëve.

Të mërkurën mbrëma në Tetovë qëndroi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe një pjesë e qeverisë së tij.

“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën për COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri është shuar, por edhe shumë jetë janë shuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerëve it dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri Zaev.

Të enjten qeveria shpalli tre ditë zie në nderim të viktimave.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes u shpreh e pikëlluar “nga ngjarjet e tmerrshme mbrëmë në spitalin në Tetovë. Ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën, si dhe ata për ata që u plagosën. Mendimet e mia janë me ju dhe të gjithë në Tetovë të prekur nga kjo tragjedi”, shkroi ajo në twitter.

Maqedonia e Veriut është përballur me rritje të rasteve të viktimave dhe të të infektuarve nga COVID-19, që nga mesi i muajit gusht, duke bërë që autoritetet të vendosin masa shtrënguese për frenimin e zgjerimit të infektimeve.

Zeri i Amerikes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *