Home

Lajme

Ndue Lazri – KULTI I NJËSHIT – MINA KRYESORE NDAJ SOVRANITETIT TË PARTIVE

No Comments Lajme Opinion

Ish lideri demokrat largohet në mënyrë jo demokratike
KULTI I NJËSHIT – MINA KRYESORE NDAJ SOVRANITETIT TË PARTIVE
Mbrëmë asistuam në një show tjetër të turpshëm, nga ata që është mësuar të na servirë politika shqiptare. Kryetari i Partise Demokratike Shqiptare, Lulzim Basha, doli në ekran dhe, duke folur në vetën e parë, deklaroi pak a shumë kështu: Unë kam vendosur që, derisa të sqarohen situatat, Sali Berisha të mos jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratrike. Pra tha “unë” e nuk tha “ne”, siç duhet të jetë praktikë shprehjeje në demokraci. Më erdhi ndërmend mbledhja e ish-Komitetit Qendror të PPSH, në të cilën Enver Hoxha linçoi Kadri Hazbiun. Ish-diktatori i tmerrshëm ishte më demokrat se Lulzim Basha, se ai të paktën, për fasadë (se dihet që vendimet i merrte vetë),mblidhte Komitetin Qendror ose Byronë Politike dhe vendimin e tij e bënte kolegjial.
Lulzim Basha duhej të mblidhte kuvendin kombëtar apo këshillin kombëtar të PD, ku të diskutohej prania ose mosprania e Sali Berishës në radhët e grupit parlamentar dhe vendimi të merrej me shumicë votash. Të paktën kështu respektonte statutin e partisë së tij dhe demokracinë e brendshme të Partisë. Por me siguri ai kishte frikën se nuk do ta kishte shumicën e votave në favor të tij, ndaj vendosi me titullin e Njëshit, me unin e tij, duke ia diktuar partisë, anëtarëve e simpatizantëve të PD vendimin e marrë nga ana e tij në mënyrë flagrante, të njëanshme dhe antidemokratike. Kjo është një shkelje e rëndë e statutit, ndaj të cilit duhet të mbajë qëndrim kuvendi kombëtar i PD.
U fol se këtë vendim Basha e ka marrë duke qenë nën presion apo nën kërcënim. Nuk u tha nga kush, por nënkuptohet që nga ambasada e SHBA në Tiranë dhe nga Departamenti i Shtetit të SHBA, pas deklarimit të Sali Berishës e familjes së tij non grata për të hyrë në Amerikë. Së pari, mendoj se ndërhyrjet e shpeshta të ambasadores amerikane në punët e brendshme të partive apo të parlamentit shqiptar janë një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe mbi këtë bazë duhet të jetë ajo që të shpallet person non grata dhe të dërgohet pako postale nga ka ardhur. Së dyti, amerikanët shprehen se kanë dosjet dhe dokumentet e nevojshme ku argumentohen me fakte fajet për të cilat akuzohet Sali Berisha. Drejtësia e vërtetë dhe e pavarur nuk shpall askënd fajtor përpara se të bëhet procesi. Vetëm pasi gjatë procesit të vertetohen me fakte e prova të pakundërshtueshme fajet e të pandehurit, trupi gjykues shpall vendimin dhe masën e vendimit. Atëherë le të bëhet procesi, ndaj gjithë atyre politikanëve, parlamentarëve, ministrave, gjykatësve ndaj të cilëve thuhet se ka prova për korrupsion e krime në jetën politike shqiptare. Nëse Amerika, me të drejtë nuk ka besim tek drejtësia shqiptare,sepse ajo është e korruptuar, atëherë le të zgjidhen specialistë nga Gjykata e Hagës dhe të zhvillohet Nurenbergu shqiptar. Kam bindjen se gjithë shqiptarët do ta mirëprisnin dhe do ta duartrokisnin një proces të tillë, sepse në 30 vite pseudodemokracia ka sjellë kaq dëme, krime, korrupsion e varfëri të madhe në shtetin shqiptar. Atëherë do të dënoheshin e të paguanin ashtu siç duhet Berishët, Ramët, Metat që përfliten, prokurorët e gjykatësit e korruptuar, deputetët injorantë e kriminelë, (që mund të jenë çdo gjë por jo përfaqësues të popullit), bashkiakët e doganierët e gjithë ata që kanë vënë prona të paligjshme e jashtë kapaciteteve të rrogave të tyre të ligjshme. Sa kohë nuk bëhet kjo gjithçka mbetet në kuadrin e thashethemeve, akuzave të hedhura lart e poshtë kafeneve, mediave etj. Drejtësia vihet në vend vetëm me akte ligjore dhe as me presione nga jashtë e as me opinione të opinionistëve bajatë e të gazetarëve që nuk dinë të bëjnë as pyetje kur kanë përpara personazhe të lartë të politikës e të shtetit, që t’i mbërthejnë ata siç duhet.
Berisha, duke mbrojtur veten në opinion tek Fevziu, artikuloi rreth njëqind herë fjalën sovranitet, duke theksuar që me vendimin e Bashës PD ka humbur sovranitetin e saj dhe se ai do përdorë të gjitha metodat statutore për risjelljen e sovranitetit të kësaj partie.
Personalisht mendoi që jo vetëm PD, por anjë forcë politike në Shqipëri nuk ka patur ndonjëherë sovranitet e as demokraci të brendshme. Sepse në të gjitha forcat politike, sidomos në dy më të mëdhatë që janë alternuar në pushtet në këta 30 vjet, është instaluar kulti i Njëshit. Është ai mentalitet politik që i ka rrënjët larg, jo vetëm tek ish diktatori Enver Hoxha, por tek baba Stalini e më tutje akoma tek diktatorët e tmerrshëm e gjakatarë që ka parë rruzulli tokësor. Kulti i njëshit është mina kryesore që minon demokracinë e brendshme të partive dhe nuk lejon ardhjen e një demokracie të vërtetë në Shqipëri. Berisha ankohet sot ndaj një fenomeni që e ka instaluar vetë, autoritarizmin, mënjanimin dhe eliminimin e kundërshtarëve brenda partisë, vendimmarrjen personale, shkeljen e statutit të partisë etj. E Basha, me këtë vendim, përveç mungesës së personalitetit (në fakt nuk ka patur kurrë personalitet), bëri po atë që ka bërë në vite Sali Berisha kur ishte në krye të PD, në krye të qeverisë apo si president i vendit. Për fat të keq politikanët tanë nuk kanë tjetër mentalitet, përveçse atij të Njëshit, kur janë në komandë, dhe atij të servilit kur janë nën hijen apo sqetullën e Njëshit. Le pastaj popullin, që i merr nëpër gojë tërë kohën politikanët kafeneve, në shtëpira e kudo duke i akuzuar e anatemuar për të gjitha ato të këqia që heq vetë mbi kurriz e pastaj vete në mitingje e i duartroket apo shkon tek kutia e votimit dhe i voton.
E kam votur dy herë Berishën në fillimet e demokracisë. E kam votuar sepse besoja tek demokracia, ndonëse e dija si shumë e shumë të tjerë që ai ishte emisar i Ramiz Alisë. Pas zhgënjimeve të mëdha nga viti ‘97 e këtej e kam konsideruar dhe e konsideroj si njeriun që i solli më shumë dëme demokracisë shqiptare. Largimi i tij nga politika dhe nga parlamenti është i domosdoshëm, siç është largimi edhe i shumë e shumë të tjerëve që kanë uzurpuar me metodat e tyre pushtetin në këta 30 vjet, duke iu afruar jetëgjatësisë së Enver Hoxhës në krye të vendit e duke u bërë po aq të urryer sa ai. Por largimi i tij duhet bërë në mënyrë dinjitoze, bindëse me akte ligjore, duke bindur në radhë të parë opinionin, zgjedhësit dhe vetë mbështetësit e Berishës, numuri i të cilëve me siguri do të shtohet pas veprimit arbitrar të Lulzim Bashës.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *