Home

Lajme

Nisma #Thurje – Sot vendi ynë ka tre sfida kryesore:

No Comments Lajme Opinion

Sot u betua parlamenti i ri që do na përfaqësojë në këto katër vite. E megjithëse ky parlament do të flasë në emrin tonë, aty do të mungojë zëri i 10217 votuesve të Nismës Thurje, të cilët sot nuk mund të përfaqësohen për një arsye të vetme: sistemi zgjedhor, i cili e deformon vullnetin e shqiptarëve.
Përbërja e këtij parlamenti, e qeverisë apo e drejtuesve të opozitës, na rikujtoi se për 30 vjet asgjë nuk ndryshon. Këta janë po të njëjtët aktorë që luajnë të njëjtin film, me të njëjtin skenar që përsëritet, ndërkohë që ne vazhdojmë tu paguajmë faturën.
E megjithatë, ne sërish shpresojmë që ky parlament, këtë here, do të përqëndrohet tek problemet kryesore të shqiptarëve, dhe jo tek karriera e kryetarëve, apo jeta personale e politikanëve. Sfidat reale të vendit sot, nuk janë fati i Berishës, apo karriera e Bashës. Problemet e këtij vendi nuk varen nga e ardhmja e familjes Meta, apo nga pazaret e Ramës. Ky vend mbahet nga shpatullat e shqiptarëve të ndershëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sot vendi ynë ka tre sfida kryesore:

  1. E para është rritja e pabarazisë. Sot shqiptarët po jetojnë në dy botë të ndryshme, pa patur mundësi progresi. Sot ka një mini-Shqipëri e rrethuar me mure nëpër rezorte luksoze në majë të kodrës apo në breg të detit. Por ka edhe një Shqipëri tjetër që jeton në varfëri ekstreme. Sot ka fëmijë politikanësh që iu garantohet gjithçka pa merituar asgjë, por ka edhe të rinj shqiptarë që nuk marrin dot asgjë pa sakrifikuar gjithcka.
    Kjo pabarazi ekstreme ekonomike, i ka rrënjët tek përqëndrimi i pushtetit dhe korrupsioni i lartë. Por ajo është edhe produkt i besimit të verbër tek efiçenca e sistemit ekonomik që kemi zgjedhur duke mos arritur ta mbajmë nën kontroll apo ta përshtasim me realitetin tonë.
  2. E dyta është rreziku real i rikthimit në diktaturë. Tridhjetëvjet pasi përmbysën një nga diktaturët më brutale në Evropë, po rrëshqasim sërish drejt një regjimi të kontrolluar nga një njeri i vetëm. Sot kemi një kryeministër që nuk jep llogari as para parlamentit, as para drejtësisë, as para qeverisë, as para medias dhe madje as para partisë së tij. Por kemi edhe një opozitë që nuk ka as energjinë, as vizionin dhe (mbase) as vullnetin për tu dhënë shqiptarëve shpresë tek rotacioni politik.
    Ky realitet i ka rrënjët tek arkitektura kushtetuese, e cila nuk garanton ndarjen e tri pushteteve. Por ai është edhe produkt i një sistemi zgjedhor që e vjedh vullnetin e shqiptarëve, duke i falur Ramës 6 deri në 7 mandate më shumë se ç’i kanë dhënë zgjedhësit.
  3. Sfida e tretë është e ardhmja e kombit shqiptar. Sot shqiptari po kalon një moment krize identitare, i nëpërkëmbur në shtëpinë e tij, dhe i paragjykuar në një kontinent ku ka jetuar qysh në fillim të historisë. Ata që kemi vendosur të na përfaqësojnë kanë plaçkitur pasurinë e përbashkët, dhe kanë shitur interesin kombëtar, duke vënë partinë mbi Shqipërinë. Në një kohë kur drita e Evropës po zbehet, e po duket gjithmonë e më e largët, pishtarët e shekujve të shkuar kanë zgjuar fantazma të mesjetës duke synuar të vënë në pikëpyetje vetë identitetin tonë kombëtar.
    Kjo ndodh edhe sepse kemi zhvlerësuar shembujt pozitiv të historisë sonë, dhe kemi harruar vlerat tona kulturore, të cilat në mos na bëjnë më të mirë, na bëjnë të ndryshëm, duke na ndihmuar të kuptojmë nga vijmë, për të gjetur se ku do shkojmë.
    Prandaj, megjithëse jashtë parlamentit, ne do të vazhdojmë atë betejë që kemi nisur që në 2018, e cila synon transformimin e sistemit politik në Shqipëri.
    Është një betejë që e kemi nisur për një arsye të vetme: ne duam të jetojmë me dinjitet në këtë vend. Nuk duam t’i lëmë familjet tona dhe të endemi rrugëve të botës, për të gjetur atë që mund ta ndërtojmë këtu, në shtëpinë tonë. Nuk duam as t’i rrisim fëmijët me besimin se ky vend nuk bëhet, dhe se ata duhet ta gjejnë shpresën poshtë maunes apo majë gomoneve.
    Vërtet ne nuk jemi pjesë e parlamentit, por si të rinj që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend, si taksapagues, dhe si shqiptarë që e duan vendin e tyre, ne kemi vendosur të angazhohemi duke ndërmarrë nisma civile për të arritur tri gjëra:
    Së pari, përcaktimin ligjor të një minimumi jetik. Duke shfrytëzuar hapësirën që na jep kushtetuta, dhe ligji për nismat ligjore, ne do të synojmë që Shqipëria të përcaktojë me ligj të ardhurat minimale që i duhen një njeriu për të jetuar me dinjitet. Mbi këtë minimum jetik duhet të llogariten pensionet dhe ndihma ekonomike, por edhe taksat dhe tatimet. Sigurisht kjo do të kërkojë që të rriten taksat për ata që jetojnë në gjiret e Lalëzit apo në kodrat e Diellit, ccka do sjellë vecc më tepër drejtësi sociale në këtë vend.
    Së dyti, ne do të luftojmë që t’i presim rrugën abuzimit që bëhet me taksat tona, duke detyruar zyrtarët publik që të paguajnë me paratë e tyre (jo tonat) çdo dëm që ata i shkaktojnë palëve të treta. Këtu përfshihen shkarkimet e padrejta nga puna, prishja e shtëpive apo dëme të tjera që vijnë nga abuzimi me pushtetin publik. Ka ardhur koha që Veliaj ta paguajë Beketin nga xhepi i vet dhe jo me taksat tona.
    Së treti ne do të kërkojmë që zyrtarët më të lartë publik (ministra, deputetë dhe kryetarë bashkish) dhe familjarët e tyre të marrin vetëm shërbime publike. Boll më me një sistem ku ministrat me buxhetin e shkollave tona shkollojnë fëmijët e tyre jashtë, apo me lekët e ilaçeve që vidhen këtu, kurohen nëpër spitalet më të mira të botës. Nëse ata vetë nuk i besojnë cilësisë së institucioneve që drejtojnë, mbase duhet tua besojnë institucionin dikujt tjetër.
    Sigurisht që aksioni ynë do të jetë shumë më i gjerë, duke synuar të adresojmë ato tri probleme që përmendem më sipër. Por këto do të jenë betejat tona të para, dhe nuk do të ndalemi deri sa ato të bëhen realitet. Dhe për këtë na duhet të ndërthurim forcat.
    Prandaj i bëjmë thirrje kujtdo që do të rreshtohet në anën e duhur të historisë që të bashkojmë forcat në një aksion të përbashkët. Ftojmë lëvizjet e reja, organizatat e shoqërisë civile, gazetarët, aktorët, dhe çdo qytetarë të lirë që të bashkohet jo vetëm për të zgjidhur disa nga problemet më urgjente të vendit, por për të dhënë një shembull suksesi, duke ringjallur shpresën.
    Të bëjmë thirrje edhe ty që po na ndjek. Ka ardhur koha për tu bërë bashkë kundër një establishmenti që ka qënë gjithmonë i bashkuar. Tani është koha të bashkohemi edhe ne. Nuk është ende vonë.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *