Home

Lajme

Muhamed B. Sytari – Rrugicave të lagjeve tona muslimane…

No Comments Argëtim Histori

Meditime (63)
Rrugicave të lagjeve tona muslimane…
Para ca kohësh, bashkë me vëllaun tim Ervil Kuçi, po bënim një ecje meditive, nga Parruca drejt Tophanës e, prej andej në kthim, drejt Garucit, Zdrales, Çinarit të Hoxhë Dheut e në vazhdim… Është një ecje gati-gati rituale, që nuk e lëmë pas dore, ndoshta edhe si një lloj komunikimi në heshtje me atmosferën e lagjeve të vjetra muslimane, shpirtin e tabanit, prekjet e heshtura të gjyshërve e baballarëve që nuk janë më, por që esenca e gjurmës së tyre është diku aty…
Këto janë lagje të vjetra, ku kryesisht banojnë muslimanë. Xhamia e Parrucës, ajo e Tophanës, pak më tutje ajo e “Dy Vajzave”, (pjesë e lagjes Shabanej), janë tre xhamitë e kësaj zone. Do të duheshin edhe dy-tri xhami të tjera në këtë kuadrat gjeografik, për të shërbyer si vende adhurimi për muslimanët e kësaj zone.., mirëpo, ca gjëra nuk janë më si dikur e, përtej kësaj, edhe ca frymëra që duhet të ndiqnin rrugën e së mbarës, diku janë penguar e diku kanë devijuar rrugë…
Teksa shkel në këto rrugica, është e pamundur të mos vëresh detaje, disa prej të cilave kam dëshirë t’i ndaj me ju, edhe si një mesazh publik drejtuar krejt muslimanëve të Shkodrës, por edhe mbarë bashkëqytetarëve të mi dhe përtej tyre.
1) Rrugicat e lagjeve muslimane, ndonëse janë trajtuar me indiferencë të plotë nga pushtetet e ndryshme të 30 viteve të fundit, (si në investime, projekte, studime urbanistike, ndërtime etj.), ngelen të pastra, rrezatojnë një frymë karakteristike që ndjehet natyrshëm teksa shijon ecjen e mbrëmjes mbi këtë tokë të shtrenjtë.
Ndoshta, është gjurma e besimtarëve, që ndër shekuj kanë shkelur mbi të, që herët në sabah, drejt xhamive, lutjeve e dhikrit… Ndoshta është teuhidi në zemrat e banorëve dhe salavatet në gjuhët e tyre… Ndoshta, gjallëria e lëvizjeve në muajin e agjërimit, vizitat e bajrameve a përcjellja e pritja e haxhilerëve…
Ndoshta, aroma e parfumeve të Natës së Mevludit Sherifë, leximet e Kuranit a ndenjat e burrave besimtarë me tespihë në duar, përreth oxhaqeve, me kafe turke e ilahi ashikësh të përvëluar për Allah e Pejgamber… Ndoshta, era e pastërtisë së ujit mbi gurët e oborreve, lulet e pemët karakteristike të bahçeve tona… Ah, bahçet e nanave me degermi të bardhë e ibrikun e ujit, për të ujit e lagë çdo cep e gur, brenda e jashtë oborreve tona..!
Ndoshta, është gjurma e hoxhallarëve në ecjen e tyre plot hejbe e madhështi, modesti e përulje drejt xhamive, drejt pajtimeve, drejt lutjeve… Ndoshta…
2) Lagjet tona, rrugicat tona, janë amanet! Që do të thotë se, ne si muslimanë, si bashkësi qytetare, është e mira që tiparet e rrugicave tona, oborret, muret e tyre, dyert e larta të drunjta, dyert karakteristike, etj, t’i ruajmë e t’i trashëgojmë si vlerë qytetare, si tipar kombëtar dhe vlerë tradicionale shqiptare! Mos të lejojmë që lagjet tona të prishen, (a të na i prishin, siç kanë bërë deri më sot), duke u prishur me to edhe tradita, historia, shpirti e tabani ynë qytetar.
Nuk është larg vëmendjes tuaj Tabaku a Bexhisteni! I pari, lagjja e vjetër ish-bajrak i parë i Shkodrës. I dyti, tregu i famshëm historik, prej të cilit ka ngelur vetëm ndonjë foto bardh e zi, a emri në ndonjë libër historie, (autori i të cilit bart akoma sadopak qytetari e njerzillëk, sa për të mos mbuluar krejt gjurmët e qytetërimit islam të këtij qyteti)..!?
Si të thuash, për disa në këtë qytet, komunizmi ka ngelur i shenjtë, i shenjtërueshëm, edhe për fshirjen e gjurmëve islame dhe shkatërrimin a deformimin e tyre në këtë tokë!? Por, mos të harrojmë se, nga viti ’90 e deri më sot, nuk ka më komunizëm, por diçka tjetër përtej tij, që përhap me shumë finesë, atë që s’e bëri dot zjarri e hekuri ndër ne!
3) Muslimanët shkodranë duhet t’i ruajnë e t’i mbrojnë vetë gjurmët e shekujve, traditat dhe trashëgiminë e tyre, në lagjet përkatëse. Nuk duhet të lejojnë përzierjen, shitjen, transformimin rrënjësor, deformimin a fshirjen e gjurmës së identitetit!
Sepse, devijimi nga tabani, është rrezik për brezat që vijnë, për edukimin e tyre, për rrugëtimet e mëtejshme në jetë. Sepse, origjina, baza, themeli, tabani, janë të shenjtë, të patolerueshëm, të padiskutueshëm, të paprekshëm! Janë vlerë e shenjtë e trashëgimisë kombëtare!
Kësisoj, muslimanët duhet t’i mbrojnë vetë gjurmët e trashëgimisë së tyre shekullore, mos të presin t’ia bëjë këtë as qeveria, as Bashkia, as institutet e ndryshme të monumenteve të kulturës e të ngjashëm, që kur bëhet fjalë për trashëgiminë shekullore islame në këtë kohë, rrudhen e tjetërsohen, deformohen e stepen..!?
4) Sa të shijon ecja në rrugicat muslimane, ku aty-këtu, të shfaqen të rinj e të vjetër, që të japin selam, që ngrihen në këmbë me dorë në zemër, në shenjë respekti, që të pyesin: “Si ka kenë zotnia jote?”, që të japin fytyrë, duke buzëqeshur me mirësinë tipike të muslimanit…
Sa të shijon shfaqja e të rinjve me njëri-tjetrin, që nuk e harrojnë tabanin e familjes, qoftë edhe në lojën e tyre, teksa thërrasin me të madhe: “Pasha Allahun nuk po baj hile!”…
Sa të shijon pëshpëritja e vajzave të reja, që teksa kthehen në shtëpi me prindët e tyre a me ndonjë prejt të afërmve më të mëdhenj, ruhen të mos e ngrejnë zërin, plot edukatë e qytetari, ulin kryet e kalojnë me edukatë e qytetari, mbështjellë me hirkën e shenjtë të turpit, si bijat e Shuajbit urtak në komunikim me Musain fisnik…
Sa të shijon ecja në këto netë vjeshte, në këto rrugë e rrugica të ujitura me dhikër e salavate, me qytetari muslimanësh e pastëri vlerash shekullore, që kalojnë brez pas brezi, si bekim, që Shkodra e ruan në zemër të saj, duke e shpërndarë plot krenari për këdo që shkel në këtë tokë të shtrenjtë morali e besimi, harmonie e bese..!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 14 shtator 2021

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *