Home

Lajme

“Zoti im, prej Teje buron Paqja..!”

No Comments Lajme Opinion

21 shtatori i çdo viti është përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita botërore e Paqes!
Elhamdulilah, unë jam musliman dhe bota është më e sigurtë! Kjo është esenca dhe zanafilla! Këtu qëndron thelbi dhe rrënjët e çdo mirësie, me të cilën është begatuar njerëzimi, nga dita e parë e krijimit të njeriut e deri më sot! Kështu do të jetë deri në ditën e fundit, për të cilën, i Dërguari i mëshirës dhe paqes urdhëronte: “Nëse po bëhet kijameti dhe në dorën e ndonjërit prej jush ka një fidan, le ta mbjellë atë!”, duke na nxitur drejt shpresës, besimit e paqes, edhe në momentet më kritike për mbarë universin!
Pas çdo namazi, ne si muslimanë lexojmë dhikret e virdeve ditore që na i mësoi Resulullahu (paqja qoftë mbi të), ku fjalia e parë pasi i kërkojmë falje Zotit të gjithësisë, është: “Allahume Entes-Selamu ve minkes-Selam…”, që do të thotë: “Zoti im, Ti je burimi i Paqtimit, prej Teje buron Paqja…”!
Me pak fjalë, më e pakta, pesë herë në ditë, Islami na edukon e na frymëzon drejt paqtimit dhe rrugëve të tij, duke u lartësuar ditë pas dite drejt asaj që Krijuesi ynë kërkon prej nesh në këtë jetë: të jetuarit në paqe, të prodhuarit paqe, të përhapurit paqe me krejt krijesat e Tij, me natyrën, me gjithësinë!
Le të punojmë me sa të kemi mundësi për të jetuar në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, duke ruajtur mbi të gjitha dinjitetin dhe krenarinë e besimit dhe të fesë, shenjtërinë e jetës dhe atë të njeriut-mëkëmbës i Zotit në tokë, dijes, arsimimit, zhvillimit të mendjes dhe furnizimit të saj sipas udhëzimit hyjnor!
Të përpiqemi për të punuar me pastërti e dinjitet, të angazhohemi për të ruajtur e mbrojtur Tokën, nënën tonë të përbashkët, nga zjarret dashakeqe, nga shkatërrimet egoiste, nga mbjellja e farës së ligësisë, etj., që shpien drejt konflikteve dhe të papriturave të padëshiruara, prishjes së rendit dhe lëkundjes së ekuilibrave të ekosistemit!
Të angazhohemi me të gjitha forcat për t’u ndarë nga politikat hipokrite e servile, që prishin rendin mbi tokë, edhe duke përdorur kartën e fesë nëpërmjet njerëzve pa integritet, për të përçarë njerëzit mbi baza fetare, si një përpjekje e devijuar drejt shpikjeve të reja për të cilat nuk kemi nevojë, e për të cilat feja na mëson të ruhemi e të distancohemi!
Të japë secili diçka nga vetja e tij për paqen me dinjitet, duke falur mirësi dhe dashuri, mirëkuptim dhe heshtje, sidomos në familje, me fëmijët, me të rinjtë dhe farefisin!
Nuk mund të prodhojmë paqe sociale, nëse nuk e kultivojmë dhe e jetojmë atë në familje fillimisht, pastaj në rrethin e ngushtë familjar, e më pas në shoqëri, me shumë kujdes e plot përkushtim!
Fjala e mirë është paqe! Buzëqeshja e sinqertë është paqe! Heshtja e urtë është paqe! Mësimi dhe edukimi i udhëzuar është paqe! Ndihma në rast nevoje është paqe! Luftimi i së keqes në jetë është paqe! Kundërshtimi i keqpërdorimit të besimit është paqe! Përballja me tërë fenomenet e prishjes dhe devijimit në jetë është paqe!
Paqe me Zotin! Paqe me robin! Paqe me vetveten e me realitetet e përditshme, që gjithësesi mbeten më të dobëta sesa mundësia për të ndryshuar kaderin!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 21 shtator 2021

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *