Home

Lajme

Ndue Lazri – KJO VJESHTË ALPINE

No Comments Argëtim Letersi

Vjelësit mbledhin vjeshtën nëpër kosha
dhe pjergulla jonë nga vilet është rënduar
dielli përthyhet mbi kokërrzat laroshe
që më ngjajnë me syrin tënd të shkruar.

Drenusha që zbret natën që nga pyjet
e poshtë pjergullës ia merr një sy gjumë,
ikën sapo qiellit nisin treten yjet,
ndjen hapin tënd që nisesh për në punë.

Dhe ti si kaprolle herët e nis ditën
me duart e arta e bën vjeshtën të begatë,
me akrepat vërtiten orët e pritjes,
pa ty dita bëhet shumë e gjatë.

Ulem nën pjergull e shkruaj ndonjë vjershë,
por mbi fletë bien piklëzat e rrushit,
bien ca gjethe e më rrethojnë me vjeshtë,
ndërsa vargjet marrin aromën e mushtit.

Kjo vjeshtë alpine ku dehin mollët me erë,
vjeshtën kur u njohëm bashkë më kujton,
pas pak do e vjel rrushin ta bëjmë verë
e gotën ta ngre me ty në ballkon.

Ndue Lazri

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *