Home

Lajme

Zana Cela – DINJITETI I TKOBAP DO TË PREVALOJË GJITHMONË MBI ÇDO ARTIST

No Comments Argëtim Histori

Disa ditë kaluan nga koncerti gala i organizuar nga TKOBAP me rastin e Inaugurimit të rikonstruksionit të ambjenteve të brendshme të Teatrit, dhe pushimi nga ajo lodhje e jashtëzakonshme u shty edhe për disa ditë për shkak të shfaqes sonë të rradhës, baletit premierë “Annonciation” vepër e koreografit të famshëm Angelin Preljocaj, për të ardhur pikërisht kjo e Dielë, pas mbylljes me sukses të kësaj vepre ditën e shtunë datë 25 Shtator 2021, ku gjej edhe kohën për t’ju rikthyer debateve facebook-iane të shpjegimit të absurdit.
Përgjatë këtyre ditëve, si jo rrallë në jetën time profesionale, bashkë me stafin tim përballuam një lumë akuzash mbi dy çështje të ngritura fillimisht nga Znj. Mula, e më pas nga grupime të ndryshme “artdashëse”: atë të ftesës së Znj. Mula për tu bërë pjesë e koncertit gala si performuese, dhe atë të “përmendjes” së artistëve të shquar të TKOBAP ndër vite, në mini-dokumentarin që parapriu shfaqen e koncertit.
Po e filloj këtë shpjegim, shpresoj shterrues, me akuzën e dytë, dukeqënë se nuk ka patur një reagim zyrtar nga ana e TKOBAP lidhur me këtë çështje. Me habinë e madhe se si nuk u shkoi në mendje kësaj pakice, duke i kërkuar ndjesë asaj shumice që i fyej inteligjencën me këtë shpjegim, ju bëj me dije se më datë 15 dhe 16 Shtator ishim mbledhur për të inauguruar rikonstruksionin e ambjenteve të TKOBAP. Nisur nga tema e këtij eventi, njësoj si rikonstruksioni i shumë veprave të tjera publike në kryeqytet e më gjerë, kryefjala e këtij mini-dokumentari ishte metamorfoza e këtij shndërrimi historik, jetësor për brezat aktual e ato që do të vijnë. Që në hyrje të tij, ky dokumentar shprehte se nuk merrte përsipër të bënte historinë 65 vjeçare të TKOBAP por fokusohej vetëm tek rikonstruksioni (për të evituar pikërisht fjalët e kësaj pakice). Për t’i dhënë edhe një input artistiko-historik shndërrimit të këtyre ambjenteve, u pa e udhës nga prodhuesit e këtij dokumentari që të përmendeshin përgjatë tij edhe (vetëm) artistët e parë që kanë debutuar në atë skenë, dhe jo për të shpalosur vlerat e tyre artistike por për të treguar në mënyrë strikte evolucionin historik të kësaj godine. Pra, miq dhe artdashës, ky dokumentar nuk i dedikohej kësaj here figurave të shquara të TKOBAP, por thjesht dhe vetëm historisë së godinës, dhe metamorfozës së ambjenteve ku punojnë e performojnë artistet. Një përzjerje e shndërrimit infrastrukturor me paraqitjen e veprës së yjeve të skenës së TKOBAP do të na kishte dhënë një serial e jo një mini-dokumentar tematik, e për më tepër do të bënte konfuz publikun. Për informacionin e atyre që nuk e kanë, në këto 5 vite TKOBAP ka realizuar shumë evente të dedikuara veprave të artistëve ikonë të TKOBAP si Nina Mula, Prek Jakova, Çesk Zadeja etj. Të tjera evente të tilla do të vijnë gjithashtu në skenën e TKOBAP vazhdimisht.
Akuza e parë, ajo e drejtëpërdrejtë e Znj. Mula se nuk kishte marrë një ftesë zyrtare nga TKOBAP për të performuar në këtë koncert, ka qënë faktikisht nga akuzat më të vështira për tu përtypur që kam marrë ndonjeherë qoftë si drejtuese e TKOBAP ashtu edhe në planin njerëzor. Kjo akuzë ka zgjuar tek unë një përzjerje ndjesish midis absurdit, përbaltjes së dinjitetit kombëtar, dhe arrogancës. Por si një njeri publik i cili është përballur shpesh me akuza të ndryshme, ajo që më ka prekur më tepër është përbaltja e TKOBAP, dinjitetit tonë kombëtar artistik që kolosët tanë, (përfshirë prindërit e Znj. Mula dhe Invën vetë, e deri tek Ermonela Jaho e Saimir Pirgu sot) na e kanë ndërtuar ndër vite, me talentin e tyre disproporcional me zhvillimin e vendit tonë. Inaugurimi i rikonstruksionit të TKOBAP, për herë të parë qysh prej themelimit të tij, futet tek ato evente historike kombëtare si për nga rëndësia dhe impakti tek cilësia artistike, ashtu edhe për nga buxheti i shpenzuar për realizimin e tij, buxhet ky i cili padyshim është ndërtuar nga kontributet e qindra mijra taksapagueseve shqiptarë. Për këtë arsye, kjo vepër, e kurorëzuar me këtë event simbolik krahasuar me madhështinë e saj, është e një rëndësie kombëtare. Ajo duhet të na bëjë të gjithëve krenarë që sot, edhe Shqipëria, me taksat tona, arrin të krijojë kushte Europiane dhe aspak të ndryshme për nga cilësia e tyre krahasismisht me Teatrot e mëdha në botë, ashtu siç janë edhe talentet tona sot në skenat ndërkombëtare. Janë këto taksa të shpenzuara nga secili prej nesh në drejtim të kësaj vepre që të gjithëve na përket, kombinuar me historinë e mrekullueshme që ky Teatër ka, që krijojnë dinjitetin kombëtar.
Siç të gjithë e pamë, TKOBAP jo vetëm ka ftuar Znj. Mula për të përformuar në këtë event, por ka thyer edhe protokollin moral të dinjitetit tonë kombëtar, duke e përsëritur ftesën në drejtim të saj disa herë pa marrë asnjë përgjigje. Znj. Mula është ftuar dhe mbajtur në dijeni të modifikimit të datave të inaugurimit për shkak të forcave madhore si tërmeti dhe pandemia, si në mënyrë zyrtare ashtu edhe shoqërore deri në përcaktimin e datave përfundimtare, por nuk dha kurrë një përgjigje.
Ofendimi personal nga arroganca e mos-përgjigjes është kaq i vogël dhe i parëndësishëm. Ashtu siç është edhe pretendimi absurd pas shfaqes për mos-ftesë.
Ajo që vret është cënimi i dinjitetit të këtij institucioni nga mospërgjigja si injorim i kësaj ftese. Ky injorim ndaj ftesës së këtij institucioni publik, në një event kaq të rëndësishëm e historik të tij, nuk është një ofendim ndaj meje si drejtuese apo ndaj stafit me të cilin punoj, por është një ofendim ndaj dinjitetit tonë kombëtar, ndaj çdo artdashësi, çdo tatim-kontribuesi, e ndaj çdo artisti që ka shkruar e shkruan historinë e këtij institucioni. Ashtu sikurse në garat sportive, sportdashësit me të drejtë ofendohen e lëndohen kur një sportist refuzon të përfaqësojë kombin tonë, ashtu ndihemi edhe ne sot nga ky injorim kundrejt institucionit më të rëndësishëm kombëtar artistik në vend.
Të pëlqejnë apo jo drejtuesit e TKOBAP, ata të federatave të ndryshme të sportit, këngëtarët apo shokët e ekipit, ftesa për të përfaqësuar vendin tënd duhet të bëjë krenar çdo kënd që e merr, e duhet ta vlerësojë këtë mundësi ashtu siç shumë të tjerë e kanë bërë duke sakrifikuar kohën, të ardhurat e tyre, e shpesh herë edhe të ardhmen e tyre. E natyrisht, ata që nuk e kanë pranuar apo kanë zgjedhur të përfaqësojnë një komb tjetër, kanë bërë gjithmonë fajtorë individët (drejtuesit, politikanët), duke harruar mardhënien personale që gjithsecili nga ne ka me kombin, popullin e historinë.
E pra, është pikërisht kjo ajo që më ofendon mua, sepse TKOBAP është një institucion kombëtar, dhe dinjiteti i tij e i popullit tonë do të prevalojë gjithmonë mbi çdo artist pavarësisht nga suksesi i këtij të fundit.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *