Home

Lajme

Gazetarja dhe aktivistja Rita Behadini ja numëron “të pabërat” Ali Ahmetit dhe BDI-së

No Comments Aktualitet Lajme

Shkruan: Rita Behadini- Gazetare dhe Presidente e QMB “Mollëkuqja

Unë kam jetuar 22 vite në fshatin Sllatinë. Familja ime vazhdon të jetojë në këtë fshat, e unë kthehem këtu gati çdo fundjavë.

Sllatina është fshat malor shumë i bukur, vetëm sepse natyra nuk ka hequr dorë prej të njëjtit. Ndryshe, ndonëse qytetarët e këtij fshati janë pagues taksash, shteti ka kohë që nuk ka investuar gati asgjë në të. Gjithçka që është bërë, është bërë me investimin e vetë fshatarëve. Faleminderit Ali Ahmeti.

Në fshatin tonë nuk ka persona të pa strehë, sepse vetë qytetarët u kanë siguruar kulm mbi kokë atyre që nuk kanë pasur një të tillë. Si në çdo vend tjetër, edhe në fshatin tonë ka shumë mërgimtarë që rikthehen këtu e nuk e harrojnë vendlindjen. Çfardo investimi shtesë të jetë bërë, është bërë nga to. Faleminderit Ali Ahmeti.

Sllatina njihet për njerëzit e mençur që ka, profesorë e doktorë. Njihet për “ujtin e tharët”, për qershiat, dhe për “Bigurin”.

Fatkeqësisht, ky fshat në shekullin 21, vazhdon të mos ketë kanalizim. Mbeturinat në fshatin tonë mblidhen nga një kompani private të cilës qytetarët i paguajnë 200 denarë në muaj ( e të njëjtat herë mblidhen e herë qëndrojnë me ditë të tëra në rrugë). Fshati jonë ka një shkollë të ndërtuar para shumë vitesh, që është ngritur në këmbë ka njerëz që arsimin e kanë pasur mision. E njëjta shkollë sot qëndron në këmbë vetëm falë vullnetit të mirë të arsimtarëve, dhe investimeve private. Kjo shkollë kishte një oborr ku nxënësit luanin shpesh futboll, deri në momentin kur pushteti që nuk ka prekur kurrë diçka për të ndrequr, e prishi këtë oborr për të ndërtuar “një sallë sporti” që deri tani e ka vetëm skeletin. Ata që sot fotografohen këndej e andej, nuk e panë të arsyeshme të blejnë tokë, e nxënësve t’ua ofrojnë kushtet ashtu si i meritojnë. Ata gjithashtu, nuk e panë të arsyeshme nxënësve të këtij fshati t’u sigurojnë libra për mësim. Sot e kësaj dite, nxënësve ju mungojnë librat.

Ne kemi dy xhamia, ndonëse as njërën nuk mundemi ta mbushim me njerëz, sepse të rinjtë ka kohë që janë larguar prej këtu. Kemi edhe një kishë që vizitohet rrallë ose asnjëherë, meqë nuk kanë ngelur banorë ortodoksë. Faleminderit Ali Ahmeti edhe për këtë.

Fshati jonë ka pejsazhe të mrekullueshme malore. Fshatarët kanë investuar vetë dhe kanë bërë çfarë kanë mundur që të zhvillohet turizmi malor. Zero investime nga pushteti a shteti. Faleminderit Ali Ahmeti.

Sllatina nuk ka një ambulantë shtetërore ku pacientët mund të mjekohen. Ata drejtohen për në Spitalin Klinik të Tetovës që është 11 kilometra larg. Sllatina nuk ka ambulanca e as zjarrfikës.

Fshatarët nuk e punojnë më tokën sepse pushteti ka kohë që i ka harruar, dhe ata nuk kanë llogari të punojnë ditë e natë. Fshati jonë nuk ka çerdhe për fëmijë, as kënde lojërash.

Në fshat nuk ka sinjalizim rrugor, madje edhe rrugët janë ndërtuar pjesë pjesë. Ne vozisim si na vjen në Sllatinë.
Ky fshat ka biznese të shumta e biznesmenë shumë të suksesshëm. Ky vend ka të rinj plotë shpresë, plot talent e kapacitet për t’u bërë dikush. Këta të rinj që sot dalin dhe thonë “Faleminderit Ali Ahmeti”, e nuk ja kanë idenë që nesër do ikin rrugëve të Evropës për të fituar bukën e gojës.

Kur të kërkoni votën time, cilido prej juve, sigurohuni të më tregoni se çka do bëni ju për këtë fshat. Kryetari i deri tanishëm nuk u është përgjigjur ASNJËHERË telefonatave të mia për të ju përgjigjur pyetjeve të mia si gazetare. E ky i njëjti ka qenë tre mandate kryetar komune.

Faleminderit Ali Ahmeti.

Burimi/in7.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *