Home

Lajme

Rreth librit “Triumfi i Kombit” të Skënder Kapitit

No Comments Argëtim Letersi

NGA VLADIMIR MUÇA

1.-FILOZOFI E KARAKTERE NDER KOHERA

Brënda një harku kohor prej 3 vjetësh, patëm kënaqësinë të marrim nëpër duar librin e tretë të karakterit filozofik me një stilistikë psiko-analitike “Trumfi i kombit” të studjuesit të filozofisë tashmë të mirnjohur Skënder Kapiti.

Një libër që u prit mirë si nga lexuesit e thjeshtë por dhe nga qarqet akademike në Kosovë dhe në Shqipëri.

Vladimir Muça - Faqja e autorit në Librat.al

Ky libër vjen disi më ndryshe. Ai vjen si një thirrje proklamatë me nocionet e një manifesti që buron bindshëm e rrjedhshëm nga subkoshienca e autorit , disi më prakticist me evidentimin e punës së bërë e që duhet bërë në filozofinë e kohës që po kalojmë.Çdo gjë vjen konkrete si vetë jeta e jonë, pa stërhollime filozofike, e prekshme në mendje , në sy e në zemër.

Me sa duket filologu social-politik Skënder Kapiti nuk rresht së ndjekuri hap pas hapi jetën me të gjitha zgiqet e saj;nxjerr prej saj deduksionet përkatëse ku mirësia dhe e keqja ndeshen në një rodeo sociale me ashpërsinë e demave të egër e të toreadorëve socialë.

Libri është një filozofi e karakterit popullor pa ngarkesat e referencave filozofike e traktateve të saj.Gjithçka jepet në dritë të diellit si një e thjeshtë popullore.

Xhorxh Fred Uilliams, një mik i madh nga Amerika Demokratike, që para afro 100 vjetësh, më 1915 , në një miting në Boston e perifrazon shumë bukur karakterin dhe personalitetin e shqiptarit :

“Ata janë korrekt, të dashur kundrejt njëri tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm.Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre.Ata zbatojnë urdhërin e tyre me saktësinë më të madhe .Fjalët e tyre dhe sjellja shoqërohen nga dinjiteti.”

Ku jemi sot me këtë perceptim filozofik të karakterit të shqiptarit nga Fred Uilliams? E kemi forcuar duke shtuar valencat e besushmërisë në forcimin e karakterit apo kemi vajtur në një prapakthehu në vitin 1915?!

Cilat janë sot raportet shoqërore ndëretnike? Cili është perceptimi i sotëm shtetformues e zhvillimi shoqëror ? Ç’raporte janë sot , mbas 100 vjetësh ndërmjet shtetasit dhe shtetarit? Cili është evolimi i tyre i pritshëm , perspektiva?

Këto dhe shumë shumë pyetje e shqetësime shtron për zgjidhje në faqet e këtij libri, autori Skënder Kapiti .

Ndoshta me telepati të thellësive shekullore me fjalimin e para 1oo vjetëve të Xhorxh Fred Uilliamsit për kombin vital shqiptar, aq shumë të respektuar që atëhere nga mendimtarë anë e kënd botës , autori vendos një gur këndor ,pastron myshkun e vënë nga vitet e pushtimet në këtë panteon të kombit tonë.

2-MORALI PARTIAK E MORALI EKONOMIK

Ashtu sikundër tek libri “Moralokracia” edhe në këtë libër , autori zbërthen moralin partiak dhe moralin ekonomik si një unison i pandarë nga njëri tjetri , ku politika e ndjekur nga grupime të ndryshme partiake, s’është gjë tjetër veçse shprehja e koncentruar e ekonomisë që ata synojnë të gllabërojnë e ta përfaqësojnë.

Që këtu fillon dhe shitja e moralit e cënimi i themeleve të kombit, nga padrejtësitë social –ekonomike ,nacionale, të cilat , sipas Skënder Kapitit përbëjnë thembrën e Akilit të qenësisë të një kombësie e të një shteti të fuqishëm.Janë pikërisht këto agravime që lindin nga diskordancat e këtyre aspekteve ndërvepruese e që e bëjnë popullin shqiptar të vuaj sot të ashtuquajturin “tranzicion të tejzgjatur”.

Autori S.KAPITI,fare açik , pa dorashka , e thotë hapur se janë partitë ato, që për interesa të ngushta të individëve që e drejtojnë dhe e agravojnë më shumë këtë diskordancë gjer në një papajtushmëri e në mohim të mohimeve.Gjithçka ngjan me një mekanizëm të sajuar që u shërben kastave në një përfitim individual , larg shtetit social.

Autori në ngulmimet e tij i përcakton qartas këto semafore kuq e blu,verdhë e jeshil që ndizen hera herës si në kohë fushatash por dhe në artikulime pas zgjedhjeve, duke u bërë mbartëse e përfitimeve të momentit e jo afatgjata e masovike.Autori këto përfaqësues të këtyre grupimeve në konceptin frojdian na i paraqet me disa personalitete , ku sipas situatës , kohës dhe buxhetit korruptues , ata ndërrojnë fytyrat , karakteret,shërbesat.

Si kundër vënie autori u referohet librave kuranorë dhe biblikë, si koncentrate të urtësisë popullore ndër shekuj, të cilët kanë lojtur një rol të rëndësishëm si rregullatorë të jetës sociale ndër shekuj.Kjo evidentohet si një risi në konceptimet filozofike në kuadrin e një katarsisi ndërshoqëror.

Shumë tema interesante shpalosen në këtë libër në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e të kujtesës historike; duke bërë një sinonimitet të periudhës totalitariste dhe të demokracisë së cunguar, të cilat më shumë i afrojnë përngjasimet sesa diferencat dallimore ndërmjet tyre.

Qëndrimi ndaj pronës, punës dhe të ardhurave që vinë prej tyre, trajtohen nga autori si amalgamat bazë të qenësisë e të triumfit social të shtetit e të një kombi.

Në hedhjen e traktateve filozofike si tek kapitujt “Qeverisja, komuniteti dhe shteti”; ”Shteti dhe drejtësia”; “Përse realiteti ynë vazhdon të pengojë e të persekutojë”, mbi këto probleme fondamentale për shoqërinë , autori ka ditur të ndërthurë bukur idetë dhe eksperiencat reformiste të vendeve të përparuara demokratike ,duke sjellë të praktikuara idetë dhe eksperiencat e teoricienëve europianë dhe amerikanë, por të natyralizuar në habitatin shqiptar sipas kushteve specifike që imponon resursi social pos totalitarist.

Në këtë libër të tretë të një formature e stilistike krejt të veçantë, më befasoi guximi (që Skënderi e ka me tepri) për ti bërë një karshillëk studimor e referencial ,gjëndjes ekonomike –shoqërore e politike “bablokore” të dhjamosur të akademisë së shkencave dhe institucioneve , të cilët rrinë të shushatur e presin nga të fryjë era e të kthejnë kurrizin .

Nocionet praktikante që libri përcjell tek lexuesi dhe më i thjeshtë më dhanë mundësinë që të përcjell disa refleksione siç mund ti ndjente dhe një lexues i zakonshëm.Mesa duket Skënderi këtë libër e ka bërë apostafat për masat e gjera të popullit si një flakadan në ndriçimin e rrugës drejt një prosperiteti mbarkombëtar , në mënyrë që çdo bashkëkombas të japë kontributin në “Triumfin e kombit” mbi padrejtësitë që i bëhen si nga jashtë dhe nga plangprishësit e tij.

Skënder Kapiti nëpërmjet këtyre produkteve librore ka sfiduar trafikun e madh të prurjeve çoroditëse të masmedias si dhe disa “vepra madhore”me tirazhe marramendëse në tregun e librit suportuar nga qarqe të caktuara oligarkiko-politike.

Ai vjen disi i veçantë duke përfaqësuar një prurje të çiltër,shumë të kuptueshme,autoktone, pa filozofikime të tepruara në metodën e të shkruarit ;një produkt që paraqet realitetin shqiptar, si një pasqyrë ku reflektohet jeta shpirtërore , sociale e materiale e vendit dhe popullit të tij.

Për mua si një lexues jo shumë i apasionuar pas këtij zhanri , libri “Triumfi i kombit” është nektari i krijimtarisë së tij studimore, me një tranzacion ardhur nga një izolim i gjatë nga një ndarje klasore që vazhdon e thellohet gjithnjë e më shumë , në suazat e një pseudo-demokracie.

Këtë libër, më shumë se çdo botim akademik e karakterizon ideali, ëndërra e një mendjeje të kthjellët e të ftohtë , udhëhequr nga shpirti bujar e fisnik.Suksesi i produkteve të Skënder Kapitit është: se ai di të kapë linjat e oportunitetit ndërshoqëror, të zbusë kontradiksionet e të riaktivizojë mendimin shoqëror të masave në nocione pajtushmërie, pa mohim të mohimeve që të çojnë tek kërkundi .

Autori shkruan të vërtetën lakuriqe , siç ia dikton llogjika filozifike dhe imagjinata e saj për ardhmërinë.

Tek lexon kapitujt (traktatet do thoja unë) të librit “Triumfi i kombit” të shkon në mend se tek ky autor , origjinaliteti,konçiziteti ,e vërteta, nuk janë gjë tjetër veç se një reflektim i llogjikshëm i asaj që shohim dhe ndeshim përdita.Po të lexosh me vëmëndje edhe filozofët e mëdhenj japin e marrin tek njeri tjetri ide dhe perceptime .

Ndërsa Skënderi flet me një lirshmëri, pa sforco,pa mllef, natyrshëm për atë çka ndodhur e çfarë ndodh tek ne, si në asnjë vend tjetër të botës, gjithnjë “si një fener ndriçues” në botë.Shumë qartazi, në perceptimin filozofik të jetës e botës shqiptare , pas shkëlqimit të rremë të dukshmes, të fasadës që na shfaqet përdita, fshihet jeta reale me problematikat e saj, me fenomenet negative të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen në modë e po shndrohen në plagë të shoqërisë, duke kryer funksionet e indeve patogjene, duke e ç’bërë shoqërinë, duke humbur traditat shtetformuese të përfituara me aq mund nga brezat.

Janë këto fenomene që e shqetësojnë autorin sepse mbi gjithçka ligjin e bën paraja si “veziri i mehqemesë, që rri sipër sixhadesë”.

Ndaj dhe në këtë vepër të tretë mbas librit “Moralokracia”, spikat një trimëri morale që është shprehje e virtutit që as nuk shitet dhe as nuk blihet.

Pikërisht ky është dhe virtut-thagma që e çon njeriun në mbrojtjen e së drejtës sociale.

Autori zotëron një trimëri dhe koshiencë të ftohtë e të qetë(ndoshta ky është dhe karakteri fisnor i brujtur në shekuj), ku spikat mjeshtëria tradicionale fisnore në interpretimin popullor të filozofisë shoqërore.

Ai nuk shan ,nuk mallkon, nuk përbuz, por tregohet stoik në mendimet e veta. Guximi dhe kurajo civile janë cilësi të një karakteri të lartë .Nga përvoja autori e di mirë se mëria sjell më pas ç’mendimin total, duke mos lënë pas asgjë të risisë , por vetëm pendimin për atë çka përjeton.Në këtë koncept në kuadrin e terminologjisë e filozofisë klasike ai ka futur dengshëm filozofinë popullore; ”Kur të vinë mend,nuk t’i hanë as qentë”.Ndaj autori gjatë gjithë librit bën thirrjë proklamative se atëhere pendimi ynë nuk do të ketë asnjë vlerë.

3-SI AMALGAMA GJITHE TREGUESE E TRAKTEVE FILOZOFIKE TE KOHE

Nga sa lexojmë autori sugjeron e evidenton se politika profesionale(mos të ngatërrohet me atë popullore) është një femër me dy fytyra: ku përpara gjykatësit popull është një nënë e “dhëmbshur” që kërkon ndihmë nga i biri ; kurse pas tij në monologje mitingjesh “fantastikë” qëndron një femër gjithë epsh qeverisësh , që lakmon gjithçka.Sa më shumë të rrimë afër kësaj femre putanë, aq më shumë largohemi nga këndvështrimi real i jetës sonë. Eshtë pikërisht kjo femër-politikë në këtë libër që nuk lejon këtë popull të shoh përtej së ardhmes ditore.

Këto politikanë të kësaj femre –politikë hedhin njolla turpi jo vetëm në historinë e tyre por dhe në atë të kombit.Fuqia arbitrare e tyre është objekti natyral i tundimit për çdo karrikexhi, ashtu siç është një femër në prostituim , apo siç është një avokat sekseraxhi , apo korrupsioni për gjykatat .Kjo është, mendoj unë, amalgama gjithë treguese e këtyre trakteve filozofike të jetës social –ekonomike e shtet-formuese që përshkon nga fillimi gjer në fund këtë libër në stilistikën e tij narrative.

Trashëgimnia e autoritarizmit komunist ( e ngulitur thellë dhe tek liderët e sotëm)ka sjellë bashkë me mungesën e traditës demokratike probleme serioze ekonomike e sociale të ndërthurura me dështimin total të elitarizmit, për ta parë e pranuar demokracinë nëpërmjet reminishencave të vjetra e brenda interesave të ngushta klanore e nepotikave “bllokmene”.

Kjo ka bërë që tranzicioni i Shqipërisë

të jetë tejet i dhimbshëm dhe një demokratizim fallc. Kalimi i pushteteve nga një grupim partiak në një grupim tjetër partiak është bërë nën kaleidoskopin e një loje ku duhet fituar gjithçka , shpesh dhe duke i shpërfillur normat demokratike , duke kryer njëmijë e një manipulime në proçedurat zgjedhore, duke përfrikësuar pushtetet gjoja të pavarura e duke kundërshtuar çdo rezultat të disfavorshëm.

Në këtë luftë për pushtet ndryshimet e thella filozofike ndërmjet këtyre grupimeve kanë ardhur duke u atrofizuar, e tashmë ato japin e marrin tek njëri tjetri në konceptin e ndarjes së gjahut në një xhungël sociale.Si rezultat i një politike të tillë, në lëmin ekonomik, politikën sociale, shteti i sotëm po e zevendëson me politikat rentiere , duke u kthyer vetë në rentjerin më të madh , më të pangopur.Në konceptin filozofik ky problem trajtohet qartazi si e keqja numur një në kapitujt : ”Siguria ekonomike dhe sovraniteti”; ”Pushtetpolitika keqqeverisëse si antishtet dhe anti-kombtarizëm”.

Shteti i sotëm rentier s’mban asnjë përgjegjësi dhe hallka e tij përfaqësuese në zinxhirin e zhvillimit ekonomik është këputur.Nuk ekziston asnjë lloj konkurence në prodhimin kombëtar . Anarkia ekonomike gradualisht të çon në anarki sociale dhe politike , çon në tronditjen e themeleve të shtetit e të kombit në tërësinë etnike.

Starti ekonomik që ngren me të madhe autori është rrotori që do të gjenerojë jetën socilae e që përgatit kushtet në startimin e militantit politik .Në këtë këndvështrim dhe ligjet kanonike të zhvillimit shoqëror duhet të jenë në një kontradiktë të vazhdueshme, në papajtushmëri me prodhimin shoqëror.

Ky digresion kanonik është dhe gjeneratori që vë në lëvizje, në zhvillimin progresiv , agregatet e zhvillimit të shoqërisë e të triumfit të saj. Por siç e evidenton dhe autori, klima e enklementimit të resurseve njerëzorë në favor të formacioneve politike, sfumimi i shoqërisë civile, është proçesi më regresiv që sjell njëmijë e një të zeza , sjell margjilizimin total të shoqërisë.

Ndaj në këtë proçes, ndryshimi i filozofisë politike vjen si domosdoshmëri e ndryshimeve të pritshme substanciale të shoqërisë duke u absorbuar nga elektorati , sepse diletantizmi politik çon në fatalitet politik , çon në një pragmatizëm delirant.

Ashtu sikundër Migjeni i madh , në ato vite të zymta të një pushteti feudo-obskurantist, e gjente forcën dhe vitalitetin te rinia, dhe autori me besim të patundur i drejtohet rinisë si e vetmja shpresë, sepse :”Brezi i ri realizon aspiratat e vërteta patriotike, morale, fisnike e intelektuale,sepse ai është i lirë, i pastërt e premtues për ndryshim e emancipim, nuk ka veset dhe është shmangur nga e kaluara dhe nuk i përket asaj.” Ndaj dhe në këtë zamallahi,duke pas përvetësuar në shkollat e marksizëm –leninizmit se ekonomia është shprehje e koncentruar e politikës , jo më kot ata intervenojnë , i mëshojnë mashtrimit ekonomik me sfumime, me rritje imagjinare, artificiale të rritjes ekonomike,”vend pa krizë”, duke shkelur në rrugë të pista.

4-TRURI KOMBIT DHE NACIONALIZMA

Ruajtja e trurit të kombit dhe nacionalizma janë dy shtyllat mbajtëse të kombit.Këto vinë e qëndrojnë si një domosdoshmëri vitale. Krijimi i një “banke intelektuale” nën shembullin e SHBA –së , Kanadasë,vendeve skandinave ku subvencioni intelektual përfshin gjithë trungun familjar për çdo person -pasuri intelektuale.Kjo është alfa e një qeverisje me vizion social e njëkohësisht zhvëllimor.

Edhe nacionalizmi në faqet e këtij libri vjen si një bonus kombëtar dhe individual, vjen si një interlokucion shoqëror, ku zvetënimi nacionalist ka çuar e çon dita e ditës në zvetënimin intelektual.Ndaj dhe autori ka besim e mbështetet te populli, sepse populli ka një frymë e shpirt më të lartë kombëtar se kanë politikanët dhe shtetarët.(f.64)

Nacionalizma kapitiane vjen si një forcë progresive që rrit valencat e unitetit integral brenda një shteti të fuqishëm , me personalitetin dhe prestigjin e tij.Ai vjen gjithëkombëtar, progresiv dhe demokratik që ka të bëjë direkt me rritjen e mirëqenies materiale-kulturore.Nacionalizma, nënvizon autori,është legjitimitet demokratik dhe jo autokratik. Idhtarët e nacionalizmit autokratik marshojnë me ngjyrimet e flamurëve për lavdinë e rreme , i cili më shumë se kushdo tjetër, vetëmashtrohet se po hyn triumfalisht në tempullin e lavdisë, por që me siguri e ardhmja e nxjerr prej andej si jashtëqitje e kombit.Në kontravers të abuzimit të

këtyre idhtarëve dhe të formacioneve politikë që ato përfaqësojnë, autori evidenton potencialialet etnike,sociale e patriotike, ekonomike e kulturore-intelektuale në rang ndërkombëtar duke bërë një ballafaqim me degresivitetin, ku qëndron etnika intelektuale atje rri e ndezur në shpirt qenësia e një kombi si prona, gjuha, doket, zakonet, simbolet.Kjo qenësi realizohet “ “me detyra parësore shqiptarizmi”, pra integrimi brenda shqiptar në çdo fushë të jetës.”- thotë autori në një pasazh.Gjithçka në një erudicion analizues neutro-partiak, si një çelës për daljen nga kolapsi i recesionit, intoksikuar nga nepotizmi e klanizmi si ide patogjene në mutacionin e sotëm shoqëror.Ky shpirt politikash që shkon në drejtim të veseve injekton në popull duke goditur lartësinë intelektuale e shpirtërore, duke burgosur vetë inteligjencën.

Kësisoj autori i bën anamnezën shoqërisë së sotme duke dhënë njëkohësisht terapeutikën e shtresave të saj sociale.

Në tre letrat që autori i drejtohet bashkëkombsave , ai interlokutohet me lexuesin, me mesazhet dhe moralitetin politik që përcillet nën frymën e një psiko-analize e të një terapeutike ekzistenciale, drejt një katarsisi shoqëror e psikologjik nën vrojtimin e një filozofie të paezauruar, po shumë të dëshirueshme në konceptet e reja.Baza e këtyre koncepteve është tek mbështetja dhe tek intelektualizmi i vërtetë pa konsiguracione politike.Gjithçka vjen si një manifest kushtrimor për një angazhim total të shoqërisë në riciklimin historik të rolit të masave dhe individualitetit intelektual në zhvillimin shoqëror. Koncepti shqiptar i shkollimit është tepër i admirueshëm, unik në aspektin social dhe në rang botëror .

Brezit të ri i del detyrë parësore të mos jetë një konsumator pasiv, por të marrë funksionimin e rotorit gjenerues.Qëndrimi indiferent është e keqja më e madhe e shëmbëlltyrës intelektuale.Nga ky qëndrim vjen dhe varfërimi i potencialeve intelektuale , e keqja më e madhe ; ajo është një vunerabilitet historik i zhvillimit të shoqërisë.

5- DREJTESIA SHTETARE E DREJTESIA PUBLIKE

Thembra e Akilit të së drejtës në një shtet është drejtësia, më saktë drejtësia publike . Kjo drejtësi ka një ndërlidhje me raporte konverguese me rendin dhe qetësinë e qëndrimet penale.E tillë vjen kjo qenësi në faqet e këtij libri . Ajo vjen si një letër lakmuesi që zbulon antraktimin e zhvillimit shoqëror . Kur qeverisja dhe pushteti bëjnë padrejtësi, si bëhet në këta 20 vjeçarë padrejtësitë e pushtetit vinë si krimet më të rënda në këtë shtet- perifrazon autori.

Sigurisht nga vëzhgimet e cilido shtetasi mosqeverisja me ligje kushtetuese , por me akte nënligjore antikushtetuese çon në përligjje mbarëkombëtare , rrit degresionin brenda shtetit e kombit në tërësi.

E çfarë autoriteti i lartë është kjo kushtetutë kur janë evidentuar 17 vendime të gjykatës kushtetuese të injoruara nga shteti dhe shtetarët , me akte nënligjore duke i bërë karshillëk.Një gjë e tillë veçse ka thelluar ndasinë shtet-shtetas.Drejtësia është suporti i një demokracie të mirëfilltë.Por kështu siç është konceptuar nga zyrtarët e këtij tranzicioni të egër: ”Kjo demokraci tranziti është një zëvendësim i totalitarizmit komunist me një rregjim monopol korruptiv, korruptues e mafioz, që kanë

emërues të përbashkët shtypjen e popullit, largimin nga afera e “Triumfit të kombit”.”Kërcënimi më i madh i demokracisë –vijon autori , f.104 – i vjen nga mashtrimi dhe “mafia” demokratike , instalimi i së cilës mundësohet atëhere kur shkalla e demokracitetit është e ulët.”

Për këtë filozofi i politikës modern Makiaveli ka thënë : ”Se në një shoqëri të korruptuar zor se del ndonjë gjë e mire.”

Këto referenca tek Makiaveli rrisin dukshëm valencat e të drejtave të proklamuara dhe nga autori në filozofinë e kohës që po kalojmë.Në këtë suport makiavelian vjen dhe manifesti i autorit për një rilindje të vërtetë Pan shqiptare e ku gur themeli vendoset Patriotizmi dhe një demokraci e vërtetë , mbushur me prosperitet , e aftë të rifitojë dinjitetin e krenarinë

nëpërkëmbur.Njëkohësisht kjo do të arrihet kur të shembet një herë përgjithmonë autokracia e pushtetarëve e kozmopolitika e masave si barrierë kryesore të nacionalizmës.

Në këtë proces , me një ngërthim , do të ndeshen njeriu modern dhe idioti i ri.Ata vinë me nocionet e një psiko-analize të njeriut të sotëm duke u rekomanduar nëpërmjet një psiko-analize nga autori, psiko –terepeautikën dhe përfitimin e një katarsisi në funksion të ndryshimeve sociale në shërbim të mirëqenies shoqërore e kombëtare.Sipas ngulmimeve të autorit kjo do të jetë një letër pergamenë për të drejtën dhe vërtetesinë e veprimeve të masave popullore, në vazhdimësi lineare drejt standarteve të larta në rigjallërimin shoqëror në të gjitha aspektet.

Gjithçka sintetizohet tek dyfjalëshi në ballinë “Triumf I kombit”.Ndërkomunikimi shtet-qeverisje-komunitet vjen si një hallkë e një zinxhiri mitik që në fillesat e shtetformimeve , të cilat mbajnë në drejtpeshim vetë shtetin e shtetasit.Njerëzimi krijoi shtetin për një mirëqenie të të jetuarit si autoriteti më i lartë i shoqërisë, si një lloj agjencie për rregullimin e mardhënieve individ-shoqëri –shtet.

Sipas Hegelit shteti është “egoizëm universal” dhe jo siç xhvesh e na e mirëpërcakton autori si një “egoizëm tinzar”.Demokracia shtetërore – thotë autori –pretendon e synon një marëveshje institucionale, funksionale, në një kornizë ligjore , ku vendimet të jenë organizatore të jetës me të gjitha afeksionet e saj si puna, liria e fjalës,liria e mendimit ,mirëqenia .

Ky libër me formaturën e një manuali filozofik, me nuance prakticiene, që u shërben jo vetëm intelektualëve në poste drejtuese , në shërbesa ndaj popullit, por u ndriçon mendjen, u kthjellon mendimin tërë masave punonjëse në këtë zamallahi politiko-ideologjike që jo pa qëllime çoroditjeje përhapin në masmedia e në mitingje elektorale grupimet e ndryshme politike,pararendëse të grupimeve ekonomike në aspektin e qartë filozofik.

21-24 tetor 2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *