PRITE-PRITE “NDOC MARK DEDËN!
Gjithë ku janë trojet shqiptare
Këndohet kanga habertare
Në atë Stamboll po këndon gazeta
Çau rrethimin Ndoc Mark Deda.
Ndoc Mark Deda me vllaznit e tij
Banë epokë banë histori
Ka pasë shqipja djem si zana
Po si ata trima rrallë lind nana.
Të 7-Bajrakësh, nga Berisha e kuqe
Lindë e rritë në llogore lufte
Betue ishin përjetë e mot
Vendit vet me i dalun zot.
Me veti e cilësi të rralla
Ishin, nderi, besa, fjala
Për këta trima ishte shkolla
Gjuha e nanës dhe grykholla.
U shkoi jeta në istikam
Në luftë me shkie e me otoman
Pa e heq pushkën prej dore
Për liri e për kto troje.
Pukë , Kosovë, Shkodër e Dukagjin
Sulmun hasmin e çanë rrethimin
Mal më mal ndijë poteren
Prite-prite Ndoc Mark Dedën.
Për drague i kish dalë zani
Fort ja kish frigën Anadolli
Hasmit keq i kish hi tuta
Ish hap fjala, se merr pushka.
Çon ushtri porta e Stambollit
I rrethon kullën natën e Shënkollit
Porta e Lartë po na dridhet
Ndoc Mark Deda i gjallë s'po lidhet.
Çau rrethimin me pushkë në dorë
Baba Mark ra dëshmorë
Edhe i vdekun ruante kullën
Si Vrana Konti, dikur Krujën.
Kush nuk din për legjendarët
Të kujtojë Adem Jasharët
Si dy pika uji kanë më ngjasue
Për liri krejt janë flijue.
Thuaja kangës o lahutarë
Ti kujtojmë këta legjendarë
Ndoc Mark Dedën, me robt e tij
Përjetë të jetëve u qoftë lavdi !
-Poezi, nga: Ndrec Mustafa, Vargjet e këndueme, Antologji poetike, Tiranë 2015, f.134-135.
-Fotot origjinale të Haxhi Gashi-t, u përpunuan dhe u sollën në format me ngjyra nga TRIM M. LATIFI, në vitin 2020.
Burimi/Facebook