Home

Lajme

Ramazan Çeka – Bashkim Alibali “Mjeshtër i Madh”, një ndër emrat më të shquar të këngës shqiptare

No Comments Kulture

Sot këngëtari i mrekullueshëm shkodran Bashkim Alibali “Mjeshtër i Madh”, një ndër emrat më të shquar të këngës shqiptare feston ditëlindjen e tij.
I urojmë edhe 100 vite të lumtura në jetë e në skenë!
Zëri i tij i është bashkuar krijimeve më të bukura të këngës së lehtë por edhe të këngës popullore shkodrane. Gjithnjë i qeshur në skenë, por me shumë emocione brenda vetes, Bashkimi ka marrë duartrokitje e dashuri nga publiku i shumtë që e ka ndjekur në karieren e tij.
Në skenat e festivaleve, Koncertet e Pranveres, Anketat Muzikore të Radio Tiranës, skenën e Estradës së Shkodrës e mjaftë skena të tjera si brenda e jashtë vendit, Bashkimi ka lënë gjurmë të pashlyeshme që e radhisin në vlerat më të larta të këngës shqiptare.
Një portretizim i këtyre përmasave është si të thuash një korrnizë e vogël për ta përballuar hapsirën e portretit të këtij këngëtari kaq të veçantë, karrierën mbi 50-vjeçare të këtij “rrebeli” të dashuruar me këngën dhe skenën, i cili gjithmonë me talentin e tij vetëm “korrniza” nuk ka pranuar.
Jeta artistike e qytetit të Shkodrës ishte mjaft e pasur dhe e larmishme. Vetëm Teatri “Migjeni” funksiononte si trupë profesioniste, por burimi që vazhdimisht e furnizonte me talente të rinj ishin trupat amatore të ndërmarjeve dhe institucioneve të qytetit. Në këto ujëra të pastra të këtij burimi u zbuluan shumë talente të ardhshëm, ku spikat edhe këngëtari simpatik, alegro e gjithmonë rinor Bashkim Alibali që punonte në Uzinën e Telave në Shkodër.
Shkëlqimin në jetën artistike, asnjë artist nuk mund ta bëjë i vetëm, pa bashkëpunimin e një stafi ku anëtarët plotësojnë njëri-tjetrin. Në këtë kontekst Bashkimi pati fatin e madh të ketë përkrah personalitetet më të spikatur të muzikës dhe artit shkodranë si: i paharruari Bik Ndoja “Nderi i Kombit”, Shyqyri Alushi, “Artist i Merituar”, por edhe të planit të estradës si: i ndjeri Tano Banushi, Zyliha Miloti “Mjeshtre e Madhe”, Paulin Preka “Mjeshtër i Madh”, Jolanda Shala, Gëzim Kruja “Mjeshtër i Madh”, Zef Deda “Mjeshtër i Madh”, etj.
Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në festivalin e këngës të qytetit të Shkodrës, ku ishte dalja e parë në skenë me një publik të gjerë. Lëvizja artistike kulturore e atëhershme në qytetin e Shkodrës ka qenë shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm Shtëpia e Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera.
Ishte viti 1969 kur Alibali filloi të aktivizohet me trupën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës. Pjesmarrja në këtë trupë përkon me shkuarjen në Tiranë me një aktivitet dhe kënga e parë që ka kënduar në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”.
Jeta e Bashkim Alibalit është lidhur mes Tiranës dhe Shkodrës. Ai ka një jetë interesante, mbushur me ngjarje, ku pasioni dhe këmbëngulja i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit të tij ka qenë vetë çelësi i sukseseve të tij.
Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për sqimën dhe rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Eshtë ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa e kontrolluar edhe një herë veten për paraqitjen e tij. Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare.
E pranojmë se jeta ka ndryshuar dhe është në zhvillim, por duhet të pranojmë se edhe kënga popullore shkodrane e vjetër duhet të ruhet dhe zhvillohet, pasi në të është shkrirë talenti, fantazia e shpirti i brezave të tërë krijuesish me emër dhe anonim, ndryshe nuk mund t’i themi më “Këngë shkodrane”. Një ndër ata është edhe Bashkim Alibali, i cili herë pas here edhe në ditët tona na sjell perla të mrekullueshme që ndriçojnë me shkëlqimin e kësaj muzike të papërsëritshme. Megjithatë shkëlqimi i tij më i madh ka qenë në interpretimin e këngës së muzikës së lehtë.
Kënga “Në duart e nënës” veçohet nga të gjithë, ajo është bërë si këngë shtëpie, kjo këngë u bë popullore, pra edhe një këngë e muzikës së lehtë mund të bëhet këngë masive.
Nga viti 1988, deri në vitin 1990, Bashkim Alibali ishte Drejtor i Pallatit të Kulturës “Vasil Shanto” në Shkodër. Një institucion të cilin përpara tij e kishte drejtuar shkrimtari dhe poeti i njohur shkodran Bedri Islami. Edhe Bashkimi ashtu si paraardhësit e tij i vuri një rëndësi të madhe këtij institucioni, i cili merrej kryesisht me trupat amatore të ndërmarrjeve të qytetit dhe me talentet e reja.
Kështu aktivitetet vazhduan njëri pas tjetrit duke organizuar edhe disa turne me trupën amatore të këtij Pallati në mbarë vendin. Vetëm në Tiranë kjo trupë ka dhën mbi 70 shfaqje dhe mbi 30 shfaqje në qytetet e tjera.
Gjatë kohës që Bashkimi ka qenë drejtor i këtij institucioni, u plotësua me të gjitha instrumentët muzikore, me foni e ndriçim, me një skenë të madhe e cila në atë kohë plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme, duke u bërë edhe skena e trupave amatore të ndërmarjeve, institucioneve dhe trupave që vinin nga fshati dhe rrethet. Niveli i organizimit të këtyre aktiviteteve jo vetëm gjallëronte jetën e qytetit, por shpesh konkuronte edhe trupën profesioniste të Teatrit “Migjeni”, sepse vetë institucionin e drejtonte njeriu i duhur, artisti i duhur.
Për kontributin e tij të shquar Bashkim Alibali është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacion: “Për kontributin e çmuar në fushën e interpretimit dhe lëvrimit të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, në veçanti asaj shkodrane. Për veprimtarinë e tij kulturore – artistike në vendin tonë dhe në diasporë”.
Një këngëtar i dashuruar shumë me këngën, besnik i palëkundur i saj, e do shumë kombëtaren, deri në qelizë, ka shije të holla dhe fine dhe është shumë kërkues në tekstet e këngëve. Gjithmonë kërkon të renë duke u mbështetur tek kombëtarja. Të qëndron mbi kokë deri në përfundimin e këngës. Ka një diksion shumë të pastër tek fjalët e këngës, problem themelor që shpesh ndeshet tek këngëtarët. Këngëtar që nuk ka dalë asnjëherë nga moda dhe ka një audincë shumë të madhe në popull, në të gjithë Shqipërinë, por edhe në emigracion ku ushtron vazhdimisht aktivitetet e tij. Tematikat e këngëve të tij janë shoqërore, dashuria për qytetin e tij të lindjes dhe tendencat për t’i kënduar këngët me vlerat e tabanit tonë kombëtar, janë gjithmonë dëshira dhe vullneti i Bashkimit.
Ai nuk i mungon asnjëherë skenës dhe do t’ju them një sekret: Së shpejti ai do të paraqitet me disa kënë të reja me tekstet e mia, ku do veçoj njërën prej tyre me muzikë të maestro Fatmir Lelës, të cilën shumë shpejt publiku do e dëgjojë dhe do e shijojë. Ju them sinqerisht se asnjë rresht nuk mund ta shkruaj pa praninë e Bashkimit e pa një tavolinë ku nuk është prania e tij. Është i mrekullueshëm.
Në repertorin e e tij me këngë popullore shkodrane numërohen rreth 250 që ka kënduar Bashkimi, ndërsa këngë popullore Shkodra ka me qindra.
I gjendur kudo ku ka aktivitete, Bashkimi mbetet këngëtari më i palodhur. Dhe pse lëviz kudo, dashuria për Shkodrën nuk i shterron kurr dhe kur shkon aty duket se frymëzimi i shtohet. Plot emocion dhe buzëqeshje, ka cituar disa vargje të dalura nga shpirti i një artisti të vërtetë:
“Shkodër kangën po ta këndoj
Se të du pa fund, pa anë
Jeten time n’ty shikoj
Se më dhe emrin shkodran”.
Edhe pse nuk ka mbaruar për kompozitor, Bashkim Alibali si një nga këngëtarët emblematik në festivalet e RTSH prezantohet për të konkuruar në edicionin e 50-të, në vitin 2012 si kompozitor dhe interpretues me këngën “Merr me vete këngën time”, me tekst të Jorgo Papingjit “Mjeshtër i Madh” e cila bën fjalë për këngën tonë shqiptare, duke u ngjitur në skenë pas 7 vitesh, pas duetit të suksesshëm me këngëtaren Irma Libohova titulluar “Taverna e vjetër”.
Karriera e tij artistike tha shumë, që si rrallë kush ka ditur të elektrizojë salla e mjedise të ndryshme, që ka ditur mjeshtërisht ta kthejë dhimbjen në gaz, që i dha kohës së shkuar koherencën e ditëve të ardhshme, por një jetë me këngën e tij është një histori që dekoratat e sotme nuk mund ta thonë.
Këngët e Bashkim Alibalit nuk mbeten vetëm për Shkodrën por mbeten për të gjithë shqiptarizmën. Ai është krenari e artit dhe muzikës shqiptare. Mirënjohje vlerave të tij për promovimin e imazhit më të mirë të traditës historike, kulturore e patriotike të Shkodrës tonë e mbarë kombit shqiptar, djepit që e rriti dhe Shkodrës që e frymëzoi. Vlerat e këtij këngëtari të njohur na bëjnë krenar për trashëgiminë e shkëlqyer që e ka pasuruar me zërin e tij të dashur dhe këngët e bukura të arkivës më të mirë të artit shqiptar.
Bashkimi është dhe mbetet këngëtari i të gjitha kohërave, duke qenë gjithmonë i dashur, elegant, simpatik, si dhe duke na dhuruar gjithmonë emocione me këngët e bukura me zërin e tij joshës.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *