Home

Lajme

Ndue Lazri – ARTI NDËRTON URA BASHKIMI

No Comments Kulture

       -Në Festivalin Folklorik Internacional në Rovereto-   

Për një moment, vjeshta, ndonëse i ka të bukura ngjyrat, i la jashtë ato, që në sallë të mbizotëronin ngjyrat pranverore. Në sallën e Filarmonisë në Rovereto zhvillohej Fest-folk, ose festivali folklorik me pjesëmarrjen e grupeve përfaqësuese të shumë etnive që jetojnë në zonën e Trentinos e më tej. Është edicioni i shtatë i këtij aktiviteti, që prej shtatë vitesh organizohet nga shoqata “Artistët”, nën udhëheqjen e drejtorit artistik Aleksandër Kolshi. Ky djalosh shqiptar punon me pasion e në mënyrë krijuese. Duke bashkëpunuar me komunën e Roveretos, Provincën autonome të Trentos dhe Bankën Rurale të Vallagarinës u ka dhënë jetë një sërë aktivitetesh të rëndësishme si Talent show “Teatri i ëndrrave”, ku marrin pjesë artistë të rinj nën moshën 25 vjeç, projektin kulturor “Kopshtet në festë”, Festivalin folklorik internacional dhe publikon revistën kulturore “New Art”(Arti i ri). Kjo ka bërë të mundur që komunitetet e ndryshme që jetojnë në këtë zonë të kenë aktivitete gjatë gjithë periudhave të vitit, të cilat nuk janë ndërprerë as në periudhën e pandemisë, por janë zhvilluar duke zbatuar me rreptësi rregullat e caktuara.
26 tetori, me një direktivë të Këshillit të Ministrave të Italisë është caktuar si dita e folklorit dhe e traditave popullore. Në këtë kuadër zhvillohet edhe ky festival.
Festivali hapet me një përshëndetje që një artiste e vogël e dërgon nëpërmjet videos që nga Shqipëria. Ajo quhet Amariliz Percakaj dhe interpreton këngën “Mu te guri që bën xixa”. Na bën përshtypje që kjo vajzë e vogël jo vetëm është e dashuruar me këngën popullore e folklorike dhe me kostumin e bukur popullor që vesh, por edhe interpreton bukur këngën e zgjedhur prej saj.
Menjëherë pas saj, nga Shqipëria arti na çon fluturim në Andaluzinë e bukur spanjolle. Grupi “La penja Andalusa” sjell në skenë ngjyrat e përflakura dhe ritmin e zjarrtë të vallëzimit flamenk. Ky grup, i drejtuar nga Adriana Grasselli, është krijuar në vitin 1995 dhe ka 26 vjet jetë artistike në Trentino. Ai ka sjellë artistë të njohur nga Spanja dhe nga shtete të tjera, pasi ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me shoqata të përngjashme në Andaluzi, në Gjermani e në Izrael.
Na bën përshtypje që iniciativës së djaloshit shqiptar Aleksandër Kolshi i janë bashkuar mjaft grupe dhe artistë italianë, që këndojnë qoftë këngë folklorike e tradicionale, ashtu edhe këngë të muzikës së lehtë. Mjaft prej tyre janë të moshave të reja, si Anita Sabatini, trioja Alessia,-Francesco-Lorenzo, Gloria Zenatti, që ka fituar çmimin e parë në Talent show 2021 dhe solistja e grupit 14HUS, që ka moshën 15 vjeçe.
Grupet e artistët në skenë alternohen njëri pas tjetrit, duke ndryshuar ngjyrat e kostumeve, ritmet dhe instrumentet muzikore. Grupi “Salloni Maffei”, që vjen nga Riva del Garda, sjell kostumet dhe muzikën e salloneve të shekullit të 19-të, duke i interpretuar ato me mjaft elegancë. Francesco Franceschini sjell meloditë gazmore nëpërmjet harmonikës që i bihet me gojë . Ndërsa grupi i gajdexhinjve, sjell jo vetëm tingullin e lashtë tradicional të gajdes dhe të instrumenteve që e shoqërojnë, por edhe kostumet shumëngjyrëshe të periudhave të hershme. Është një grup i njohur prej vitesh në zonë dhe ka promovuar këngët, vallet, veshjet e instrumentet folklorike italiane në shumë vende të botës si në Brazil, Peru, Spanjë, Rusi, Nepal etj. Ange Marie Paule ka lindur në Trento, por është me origjinë afrikane. Ajo sjell në skenë veshje e vallzime me motive të Afrikës. Tërheq vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut njëri nga artistët që hyn në skenë në karrike me rrota. Është rreth të 80-ave, me aftësi të kufizuara. Ai i bie një tamburi dhe pavarësisht gjendjes së tij fizike arrin të jetë në harmoni të plotë me instrumentistët e tjerë.Një shembull që tregon se dëshira për ta gëzuar jetën e për t’u falur gëzim të tjerëve triumfon mbi çdo vështirësi.
Në skenë ngjitet blerimi pranveror me kostumet e vallet irlandeze që sjell grupi “Zivireel”. Është një grup që prej 30 vjetësh zhvillon aktivitetin e vet në Valsugana dhe jep shfaqje herë pas here në rajone të ndryshme të Italisë. Publiku duartoket virtuozitetin e tyre në interpretimin e valleve irlandeze. Ndërsa grupi “Pukka Tribe” sjell një vallëzim të quajtur “American tribal Style”, që është një miks traditash ballkanike, medioorientale dhe indiane. Praktikisht është një vallëzim që nuk ka një koreografi preçize e të përcaktuar, por lëvizjet improvizohen në skenë, ku lëvizja e mëparshme është çelësi për lëvizjen që vjen më pas. Këngëtarja moldave Tatiana Popescu, që pason këtë grup, u lutet valltarëve që të mos largohen nga skena por ta shoqërojnë atë gjatë interpretimit të këngës. Dhe vallëzimi i tyre i improvizuar harmonizohej bukur me natyrën e këngës moldave.
Kur nis paraqitja e grupeve shqiptare, me bukurinë e larminë e kostumeve kombëtare, duket sikur hyjnë në skenë të katra stinët njëherësh. Instrumentet kërkojnë të marrin forcën dhe ëmbëlsinë e këngës së zogjve për t’i shoqëruar ato sa më natyrshëm. Grupi folklorik që përfaqëson shoqatën “Teuta” në Trento, nëpërmjet vallesh bën një udhëtim nëpër Shqipëri duke sjellë motive të jugut dhe të veriut. Me një natyrë akoma më dinamike grupi i valleve “Shqiponjat” që vjen nga Lecco me pasuri ritmesh, kostumesh e ngjyrash. Ky është një grup i njohur nga emigrantët shqiptarë, pasi lëviz nëpër tërë Italinë, madje shkon edhe në Austri, Gjermani, Zvicër e Francë. Krijuesja e tij, Drita Gega Çokaj, kësaj radhe “ankohet” se e bija, Stella, e ka “mënjanuar” disi, duke ia marrë rolin e koreografes. E kujtojmë Stellën kur ishte fare e vogël. Sa kishte mësuar të ecte, kishte filluar edhe hapat e parë në fushën e valles. Siç shprehet drejtuesi i programit, Nando De Bartoli (që drejtoi me shumë aftësi e spontaneitet), tek interviston artistët, Stella e mjaft nga këta të rinj e kanë filluar këngën apo vallen që në sallën e lindjes. Tani Stella ka afruar një grup vajzash të moshës së saj dhe i ka bërë valltare që sjellin në skenë vallet e bukura shqiptare.
Ndërsa Gentjana Abazaj, që jemi mësuar ta shikojmë gjithnjë si një valltare të talentuar, këtë radhë e befason publikun si këngëtare, duke interpretuar serenata korçare.
Në fund të programit bisedojmë me drejtuesin Nando, por edhe me miq të dashur që kanë ardhur të ndjekin koncertin, si Ndue Shabaku, Dritan Mashi, Cristina Xhakolli, Renzo Bonafini, Osman Parruca, Erio Korani e të tjerë për vlerat e këtij programi. Në këto kohë disi të vështira e të turbullta për tërë botën, kur disa vende që bëjnë pjesë në Europën e Bashkuar kërkojnë financime europiane për të ngritur mure e barriera kundër emigrantëve, ky festival ngre ura bashkimi midis etnive të ndryshme të emigrantëve. Politika ngre barriera ndarjeje, arti ngre ura bashkimi. Aleksandër Kolshi ka 7 vjet që ngre ura bashkimi në zonë. Dhe fruti i punës së tij është afrimi i gjithë këtyre artistëve, të cilët në fund ngjiten së toku në skenë e bëjnë një foto sëbashku, si të ishin pjesëtarë të një familjeje. E bashkë me ta ngjiten edhe shumë nga spektatorët e entuziazmuar nga shfaqja.
Ndue Lazri

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të jashtme
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 2 persona, persona duke vallëzuar, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i 1 person, duke luajtur një instrument muzikor, në këmbë, kitarë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ekran
Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe njerëz në këmbë

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *