Home

Lajme

Pierre-Pandeli Simsia – TË NJOHIM ARTISTËT TANË: PETRIT DOBJANI

No Comments Kulture

Nga Pierre-Pandeli Simsia


Në fillimvitet 70-të kur jeta kulturore artistike muzikore në Durrës ishte në kulmin e lulëzimit të saj, një talent i ri këngëtar do pushtonte skenat artistike: Petrit Dobjani, i lindur në Durrës në vitin 1953.
Djaloshi i ri në moshë, këngëtari Petrit Dobjani do shpaloste talentin e tij me zërin shpërrthyes melodioz në skenën e Pallatit RINIA dhe në atë të Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu në festivalet e përvitshme të këngës që zhvilloheshin në atë kohë.
Festivali i Këngës në Durrës në ato vite ishte i një rëndësie të veçantë sa edhe festivali i këngës në radiotelevizion.
Përveç këngëtarëve durrsakë profesionistë dhe amatorë, në festivalin e këngës në Durrës aktivizoheshin edhe këngëtarë të tjerë të mirënjohur: përmend këngëtaren Alida Hisku me këngën: Këndojmë në festival: “Këngët tona me zjarr ushtojnë, Durrësi po na pret, buzëqeshjen që sjell Atdheu, zemra e përshëndet…”
Këngëtaren tjetër, e mirënjohura në ato vite Rozeta Doraci, me këngën: Shokët e lagjes sime: “Lagjen tonë përherë e kujtojmë unë dhe shokët e mi, sa gëzueshëm na ikën vitet, shkuam fëmijërinë, fëmijëria jonë shpejt u rrit, në hapësirë merr jete, e ku s”janë sot gjithë shokët e mi, në ajër, tokë, apo det…”
Dhe, atyre këngëtarëve të mrekullueshëm do t’i bashkohej edhe djaloshi Petrit Dobjani.
Ikonat e Muzikës Shqiptare, duke i ndjekur nga afër aktivitetet e larmishme muzikore në Durrës, në prag të Festivalit të 10-të të këngës në radiotelevizion, do e ftonin këngëtarin e ri Dobjani për të kënduar në atë festival.
Ishte kompozitori Ferdinand Deda ai, që do t”i besonte këngën e tij: “Shqipëria përshëndet” këngë voluminoze ajo e dubluar nga Alida Hisku dhe e kënduar mjeshtërisht nga të dy këngëtarët: Ora po troket/ ja, vjen viti i ri/ trimi ynë në këtë mbrëmje/ në kupëctë qiellit ngre dollinë…/
Për herë të parë djaloshi 19 vjeçar preku skenën e madhe të këngës së lehtë shqiptare, skenën e festivalit të këngës në radiotelevizion.
Një vit më vonë, Petrit Dobjani do këndonte prap në Festivalin e 11-të të Këngës në Radiotelevizion, 22 -24 Dhjetor, 1972.
Ishte kënga e 8-të sipas radhës në Festivalin e 11-të: “Përshëndetje” kompozuar nga Avni Mula me tekst të Tonin Milotit, interpretuar mjeshtërisht nga Petrit Dobjani.
Një vit më vonë, në Festivalin e 12-të, Petrit Dobjani nuk këndoi.
Pak ditë para fillimit të festivalit, kënga hiqet dhe zëvendësohet me një këngë tjetër, praktikë e asaj kohe ajo, tashmë e njohur nga të gjithë artistët pjesëmarrës në festivale.
Sukseset dhe duartrokitjet e spektatorëve Petrit Dobjanin do ta shoqëronin në aktivitetet e ndryshme ku këngëtari ishte pjesëmarrës.
Në Festivalin e 13-të të Këngës në Radiotelevizioni, Dhjetor 1974, ndodhi diçka e pazakontë që nuk kishte ndodhur më parë.
Në natën e parë të Festivalit të 13-të, kënga e fundit e natës së parë në interpretimin e parë, ishte kënga: “Vajzat e fshatit tim” kompozuar nga Enver Shëngjergji me tekst të Zhuliana Jorganxhi dhe u këndua nga Petrit Dobjani.
Në interpretimet e dyta, kënga u këndua mjeshtërisht nga Alida Hisku, që mbylli edhe natën e parë të festivalit të 13-të.
Në natën e tretë, kur juria qendrore e Tiranës dhe juritë e rretheve kishin përzgjedhur këngët më të mira (sipas tyre) mes të cilave ishte edhe kënga Vajzat e fshatit tim, atë këngë ia kishin hequr Petrit Dobjanit për ta kënduar.
E këndoi këngëtarja Valentina Gjoni, dubluar nga Alida Hisku.
Dhe, për kënaqësinë e të gjithëve, kënga, Vajzat e fshatit tim, u shpall fituese e çmimit të parë kënduar nga Alida Hisku.
Po në Festivalin e 13-të Petrit Dobjani këndoi edhe këngën tjetër: Pranvera e brigjeve të Drinit, dubluar ajo këngë nga Liliana Koçollari: /Brigjet e Drinit zgjohen/ Drita zbardhoi shtëpitë e pastra/ si bora e bjeshkëve tona/ në vendin tonë hodhi dritë…/
Edhe në Festivalin e 14-të të Këngës në Radiotelevizion, Petrit Dobjani do këndonte këngën “Zëri i nënave” kompozuar nga Kastriot Gjini, por, dy ditë para fillimit të festivalit, e zëvendësuan me një këngëtare tjetër. Por, po në atë festival, gjithashtu, këndoi këngën tjetër: “Udhëve të pesvjeçarëve” kompozuar nga Alfred Ivanaj, me tekst Fluturak Gërmenji dhe dubluar nga Dhimitër Disho: /Ndoshta nuk mbaj mend/ të gjithë ata që vijnë me mua/ por i përshëndes me këtë këngë…/
Festivali i 15-të, do ishte edhe festivali i fundit për Petrit Dobjanin pjesëmarrës në festivale, i cili këndoi këngën: “Atdheu im e gjithë Shqipëria” kompozuar nga Hajg Zaharian me tekst Bashkim Hoxha, dubluar nga Lindita Theodhori : “Është një qytet që e dua shumë, në rrugët e tij u rrita unë, atje çdo gjë më sjell ndër mend fëmijërinë…”
Nga festivalet e Durrësit, përmend “Kënga e marinarit” dubluar nga Zija Saraçi, këngë e mirënjohur, e cila u këndua edhe në anketën muzikore të muajit në Radio Tirana nga Zija Saraçi që u shpall edhe fituese.
Nga anketat muzikore të muajit në Radio Tirana, përmend këngën: “Marinarë të atdheut tim” kompozuar nga Agron Xhunga: /Kur ishim të vegjël/ kishim shumë dëshirë/ nga anija t’shihnim, detin plot stoli/ Dhe të udhëtonim/ të çanim stuhitë…/
Në Shtator – Maj, 1980 – 1981, Petrit Dobjani kreu kursin 9 mujor në Tiranë, specialuzuar këngëtar profesionist.
Edhe pse vitet kanë kaluar, këngëtari Petrit Dobjani mbetet vlerë e artit dhe muzikës shqiptare.

Burimi/Fjala jonë e lirë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Tags: ,