Home

Lajme

BASHKIMI DOGANAVE, SIKUNDËR PARASHEH “OPEN BALLKAN”,KA QENË PROPOZUAR E ZBATUAR EDHE NGA FASHIZMI ITALIAN

No Comments Lajme Opinion

Dilaver Goxhaj

Sikundër tregon ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, koloneli Faik Quku, në kujtimet e tij me titull: “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore 1939-1941”, bashkimin e doganave me Italinë, edhe pse ishim të pushtuar, përsëri atë bashkim, edhe kolaboracionistët shqiptarë e kanë quajtur një GABIM FATAL, edhe pse e kishte miratuar Partia Fashiste Shqiptare.

Libri është shkruar në anglisht e botuar në Kanada në vitin 1960, ndërsa në shqip është botuar nga “ILAR”, Tiranë, 2006. Materiali që po paraqesim gjendet në f.209 te vëllimit të parë të atij libri, si më poshtë:

“Në nji ditë pranvere të vitit 1940, Mustafa Kruja më tregoi propozimin që i kishte ba Pariani për me mbajt nji fjalim në mbrojtje të politikës italiane në Shqipni. Unë I dhashë këtë përgjigje: “Populli shqiptar asht ngopë me fjalë Nëse italianët kanë ndonjë qëllim të mirë, ta provojnë këtë me fakte e jo me gënjështra. Sot populli asht qa I dëshpëruem kundër italianëve, saqë çdo fjalim në mbrojtje të politikës së saj, do të kishte me pasë vetëm përfundime negative dhe do të kishte ngjallë urrejtjen për folsin. Nji fjalim I tillë kishte me qenë si me dasht me lundrue kundër rrymës.” Ai, tue aprovue tezën time, më tha se do ta mbante Parianin me fjalë, tue e shty fjalimin me sot e me nesër, derisa të harrohej.

Për fat të keq, mbas nja 10 dtësh, më 16 mars 1940, Mustafë Kruja, në prezencën e Parianit dhe të nji publiku të madh, ma tepër nëpunsa, mbajti fjalimin e tij në kinema Kosova, atëhere, Savoja. Në këtë fjalim, tue e krahasue gjëndjen e Shqipnisë me atë të Hungarisë ndaj Austrisë, u përpoq me justifikue ndërrimin e flamurit, BASHKIMIN e forcave të armatosura, të Ministrisë së Jashtme dhe të DOGANAVE me Italinë dhe me tregue fitimet që ka Shqipnia prej bashkimit me Italinë.

Fjalimi i tij, shpesh herë u duartrokit prej disa elementëve të Partisë Fashiste, që mund të ishin organizue e shpërnda nëpër sallë për këtë qëllim. I neveritun, tue dalë prej salle, mendoja me vete: “Turp, nji figurë kaq e njoftun dhe me kulturë të binte në nji gradë kaq të ulët!”

Të nesërmen në mëngjes, i pyetun prej Qazim Koculit se ç’përshtypje më kishta ba fjalimi, iu përgjegja:

“Me kët fjalim, Mustafa Kruja ka dënue vendin e tij para popullit. Atij, tash nuk i ka mbet tjetër, por me e lanë Shqipninë e mos me u kthye ma kurrë.”

Eksponenti i politikës proitaliane, nëpunës–këshilltar i mëkambësisë, Mustafa Kruja ishte në konkurencë me Shefqet Vërlacin, për me fitue besimin italian e për me marrë në dorë qeverinë. Si i tillë, ai ka gjasë se nuk ka mujtë me i qëndrue propozimit italian dhe ka mbajt këtë fjalim fatal. Sidoqoftë, kur i mungon liria, njeriu nuk ka si e zhvillon politikën si ia lyp ndërgjegjia e tij.”

Tiranë, 2 nëntor 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *