Home

Lajme

Ibrahim Morina – PËRSE JAM NË KRAH TË SALI BERISHËS

No Comments Lajme Opinion

“Përse je në krah të Sali Berishës…?”.
“Po të ishe deputet, a do të ishe me Sali Berishën…?”.
Këto janë dy pyetjet, në të shumtën, që pas rreshtimit tim publik dhe jo vetëm krah Sali Berishës, miq të shumtë, por edhe të njohur e të panjohur më kanë adresuar në një mënyrë, apo në një tjetër.
Po i nis përgjigjet nga pyetja e dytë, me një parantezë.
Jo pak nga ata që më pyesin “Po të ishe deputet, a do të ishe me Sali Berishën…?”, nuk e fshehin një farë skepticizmi… Këtë rreshtimin kundër Lulzim Bashës, kjo kategori skepticistësh e sheh, në disa raste edhe e shpreh, si një hakmarrje timen për mospërfshirjen në listën për deputet i PD-së në Qarkun e Fierit. Nuk besoj se është gjë e keqe të kesh ambicie, synime, objektiva, pse jo edhe kërkesa ndaj vetes dhe të tjerëve. Në këtë kontekst, edhe unë nuk kam pse i fsheh ambiciet, synimet, objektivat, pse jo edhe kërkesat ndaj vetes dhe të tjerëve…, kur të gjithë miqtë e mi e dinë aspiratën time të fortë, për të qenë në mënyrë sfiduese në listën e kandidatëve të PD-së për deputetë të Qarkut të Fierit. Aq më tepër kjo aspiratë, sot më se 6 muaj pas zgjedhjeve, dukshëm bie në sy si e drejtë, sepse përveç mosdëshirës së kryetarit në detyrë të PD-së për moskandidimin tim, lista përfaqësuese e PD-së, për më tepër rezultati i saj për qarkun e Fierit, lë shumë për të dëshiruar.
Por Lulzim Basha nuk deshi të më kandidonte për një arsye të rëndësishme vetëm për atë. Ai nuk mund të më kandidonte sepse nuk mund të krijonte marrëdhënie varësie me mua. Ndërkohë që politika është arti i së mundshmes, i kompromisit dhe i bashkëpunimit. Në këtë kontekst edhe unë nuk kam pse të rreshtohem në krah të një njeriu të dyzuar si Lulëzim Basha, i cili të tjera gjëra artikulon e premton dhe të tjera gjëra bën, i ndikuar nga të tjerët.
Përpos kësaj, le ti kthehemi përgjigjes për pyetjen e dytë…
Po! Edhe po të isha deputet, unë do të isha sot me Sali Berishën…!
Këtë zgjedhje do ta bëja, si shumë deputetë të tjerë, lista e të cilëve shtohet për ditë, duke u rreshtuar në krah të tij.
Këtë do ta bëja edhe për një arsye tjetër, sepse nuk do ti lejoja vetes që kryetari i PD-së apo i grupit parlamentar të saj, të më urdhëronte me SMS se nuk kam alternativë tjetër, veç “abstenimit” apo votimit “pro” buxhetit të qeverisë dhe ca më keq akoma, borxheve miliona dollarësh që ajo merr për luksin e saj.
Partia, si koncept i përgjithshëm, është një bashkim vullnetar njerëzish me ide të njëjta. Por Lulzim Basha, me përvojë të vetme punësimi para katapultimit në politikë, përkthyes në Organizata Jo Fitimprurëse (OJF ) e konsideron PD-në si OJF, dhe deputetët e saj si të punësuar, të cilëve ai po të dojë, u firmos ose jo borderonë. Opozita dhe deputetët e saj, nuk duhet të pranojnë të jenë të punësuar në OJF-në e Lulzim Bashës, por duhet të bëjnë punën e tyre, si kundërshtarët më të fortë dhe më të denjë ndaj qeverisë, me fakte e argumente dhe jo të lejojnë Lulzim Bashën të vetëofrohet për tu bërë patericë e panevojshme e qeverisë. Për ndryshe kjo sjellje e ky qëndrim “mban erë…”.


Jam në krah të Sali Berishës sepse ndaj tij e konsideroj të padrejtë çdo lloj penalizimi, me origjinë nga jashtë kufijve administrative të Shqipërisë, dhe me bekimin dhe investimin e qarqeve të caktuara brenda dhe jashtë vendit.
Që të jem më i qartë dhe më konkret, po shtyhem pak në kohë, në fundvitin 1990. Ishin ditët e porsathemelimit të PD-së dhe zgjedhjes së Sali Berishës, si kryetar i saj. Personalisht mbaj mend mirë dhe e kujtoj jo rrallë sot, se kanë qenë ato ditë kur unë dëgjova për herë të parë të flitej hapur për Kosovën dhe kosovarët, për Çamërinë dhe çamët. Mbaj mend mirë dhe e kujtoj ende sot, se ka qenë Sali Berisha, i cili duke përmendur Kosovën dhe kosovarët, Çamërinë dhe çamët, për herë të parë publikisht çorri perden e zezë, atë të konsiderimit ende si tabu, të të folurit për gjysmën e trojeve dhe gjysmën e kombit shqiptar.
Ndaj e kam bindje, se Sali Berisha ende sot paguan kosto politike si flamurmbajtës i zgjidhjes së këtyre çështjeve me rëndësi të madhe kombëtare.
Goditja më e fundit politike e ardhur nga përtej oqeanit, çuditërisht 8 vjet pasi ai ishte thjesht dhe vetëm një deputet i opozitës dhe po aq çuditërisht tre javë pas zgjedhjeve të 25 prillit, nuk më lëkundin nga bindja ime se penalizimi i Sali Berishës lidhet thjesht dhe vetëm me kundërshtimin e pashembullt të tij, pse jo edhe i vetmi, të idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Askush nuk ta fal ti heqësh nga duart, qoftë 5 lekë dhe jo 550 milardë dollar, aq sa llogaritet sot pasuria e Trepçës, që mes pazaresh të pista, të tipit koncesion apo PPP-ra të planifikuara, ua hoqi nga duart Serbisë dhe gjithë pazarxhinjve në Tiranë e Beograd… Faktet janë aty por askush veç Sali Berishës nuk ka guximin ti përmend për këtë pasuri përrallore të lakmueshme që nga koha e Hitlerit…, edhe prej vetë Hitlerit.
Duke e konsideruar të pamerituar penalizimin e Sali Berishës për shkak të angazhimit të tij të madh ndaj çështjes kombëtare, e konsideroj po aq paburrëri, për më tepër pabesi, qëndrimin e Lulzim Bashës, jo vetëm ndaj Sali Berishës, por edhe ndaj çështjes së Kosovës. Kur pak më sipër përmenda se Sali Berisha është i vetmi shqiptar që ka kundërshtuar hapur dhe publikisht shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, sigurisht kam parasysh edhe Lulzim Bashën i cili nuk ka të regjistruar ende asnjë deklaratë të vetme, të artikuluar prej tij, për denoncimin të pazareve të pista midis Tiranës dhe Beogradit. Kaq dhe qoftë edhe vetëm kjo, është kusht i mjaftueshëm dhe i domosdoshëm për mua që të jem në krah të Sali Berishës.


Jam në krah të Sali Berishës sepse “Foltoret” e tij i shoh si mundësia e vetme për rikthimin e PD-së në një forcë politike fituese.
Këtë zgjedhje do ta bëja edhe për një arsye tjetër. Për mua, 8 vjet janë mjaftueshëm që një kryetar partie të shpalosë vizionin e tij dhe ta çojë një parti në fitore. Por Lulzim Basha konsumoi 8 vjet në krye të PD-së dhe jo vetëm nuk ka fituar as një palë zgjedhje, të përgjithshme, apo vendore, por as nuk ngjall shpresë se do t’ia arrijë ndonjëherë ditës së fitores. As ata pak mbështetës të vetëm brenda grupit parlamentar të PD-së nuk e besojnë dhe nuk guxojnë të artikulojnë “garancinë” se Lulzim Basha mund ta çojë PD-në drejt fitores.
Përkundër kësaj Sali Berisha ka treguar se ka shpirtin e fitores, ka treguar se ngjall shpresë te demokratët, pse jo edhe tek pjesa tjetër e votuesve… Për ilustrimin e kësaj fjalie të fundit, që të mos mbetet në kuadrin e një deklarate pompoze, mjafton të sjell si shembull zgjedhjet e vitit 2001. Ishin zgjedhjet e para pas vitit 1997, vit në të cilin Sali Berisha mori goditjen më të madhe të pamerituar. E pra 4 vjet pas vitit 1997, Sali Berisha pësoi ringritjen më të shpejtë dhe më të fuqishme, ndërsa socialistët arritën që vetëm me makinacionet e Dushkut, në Lushnje, pa përmendur mandatet që Fehmi Abdiu, si ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese shpërndante pa kurrfarë baze ligjore, për humbësit e PS-së, të mos ia lejonin atij këtë ringritje…, e cila gjithsesi nuk do të vononte në vitin 2005. Kur për Sali Berishën 4 vjet ishin fare pak, për pragpërmbysjen e madhe, për Lulzim Bashën 8 vjet janë shumë…
Po ç’ta zgjas…!
Ka ndonjë nga ju lexuesit e këtyre radhëve që beson se Lulzim Basha mund ta çojë PD-në drejt fitores…?!
Absolutisht jo…!
Asnjë…!
E kundërta qëndron me Sali Berishën i cili, jo vetëm ka dhënë prova, por po e demonstron më së miri ngjalljen e shpresës me këto “Foltore”.
Kur sheh qindra e mijëra njerëz që presin Sali Berishën nëpër qytetet e tyre, nuk ka se si të mos bindesh, se ai burrë, më se 8 vjet pasi nuk ka në dorë asgjë, mbledh rreth vetes ende shumë persona që ju ka humbur shpresa. Ky padurim i njerëzve për të pritur Sali Berishën dëshmon sot, më se 8 vjet pasi ai nuk ka më në dorë asgjë, se për aq kohë sa ka qenë kryeministri i tyre, e ka bërë punën e tij shumë mirë, i ka bërë detyrat ndaj atyre qindra e mijërave të zhgënjyerve shumë mirë, aq sa ata të mos e harrojnë ende më se 8 vjet më pas…, dhe jo vetëm kaq por aq sa ata të mezipresin.
“Në politikë ka pasur një rregull, të cilin nuk e di në se ekziston ende dhe është turp, në se jo: që të ecësh në politikë, duhet të mbash fjalën. Mund të jesh liberal, konservator, radikal apo reaksionar. Mund të jesh edhe kriminel, batakçi, por kur bie dakord për një marrëveshje, respektoje”.
Kjo thënie e ish-kryebashkiakut të New York-ut, Rudolph W. Giuliani nga libri “Udhëheqja”, duket se ka gjetur mishërim te Sali Berisha, aq sa ai më se 8 vjet pa asnjë funksion politik, të mos i zhgënjejë ata njerëz që mbushin “Foltoret”.
Në një situatë të ngjashme, pararendësi i Sali Berishës apo pasrendësi i tij, jam i sigurt se nuk do të mund të kishin ende këtë ndjeshmëri nga zgjedhësit e tyre…, veçanërisht 8 vjet pas mospasjes në dorë asgjë. Sa për Lulzim Bashën, nuk po e përmend në këtë krahasim, sepse ai si kryetar në detyrë i PD-së, nuk guxon të dalë e të ballafaqohet e me anëtarësinë apo zgjedhësit e PD-së, ndërsa për më lart në ekzekutiv, nuk do ta ketë mundësinë për një ballafaqim të tillë të mundshëm…
Ja pse duhet të jemi në krah të Sali Berishës…!

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Tags: ,