Home

Lajme

Politikanë të Tiranës, mjaft më me antikosovarizëm!

No Comments Lajme Opinion

Nga Skënder Sadri KAPITI, me 1 Dhjetor 2018

Historia e politikës së Shtetit shqiptar të Shqipërisë është histori konfliktesh, ndeshjes e përplasjesh politike, ideologjike dhe tradhëtie e korrupsioni për interesa personale e klanore.

Këtë e verteton fakti se prej kësaj politike të pandreqshme dhe të pakorigjueshme Shqipëria prej 100 vitesh mbeti e fundit në Europë në rrugën e zhvillimit, të mirëqënies dhe të ndërtimit të shtetit ligjor.

Duke qenë e tillë politika e Tiranës kurrë as nuk u interesua seriozisht për Çështjen Kombëtare, as për shqiptarët dhe të drejtat e tyre kombëtare në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë, madje politika e Tiranës: ekzistencën, vuajtjet, qëndresën dhe sakrificat e tyre ajo i ka shfrytëzuar për interesa personale dhe ideologjike e politike dhe madje vazhdimisht edhe u ka bërë tradhëti dhe dëme të mëdha Kosovës dhe interesave kombëtare në tërësi..

Por le të ndalemi në rastin më të fundit, në atë se si me aq “guxim” dhe hapur Kryeministri Rama i Shqipërisë i cili nuk ka asnjë farë kontributi për në të mirë të Kosovës,por për të të kundërtën po, ai arriti që të fyejë rëndë politikën dhe shoqërinë kosovare.

Askund dhe askush në botën demokratike nuk i quan gomarë bashkëkombasit e vet: ata të cilët mendojnë ndryshe, as kundërshtinë politike opozitare dhe as protestën e shoqërisë civile kundër pushtetit të kryeministrit apo të presidentit.

Këtë gjë e bëri vetëm Kryeministri i Shqipërisë i cili mban vetëm njërin prej premtimeve, premtimin e tij për të hyrë në histori por ama si një karnaval politik avdall. Kjo u duk edhe në rastin kur i quajti gomarë politikanët, intelektualët dhe shoqërinë kosovare, ata të cilët janë kundër Presidentit të Kosovës H.Thaçi, i cili nuk mund të jetë kurrë më i madh dhe as mbi popullin , as ai dhe as kushdoqoftë tjetër.

Se ku e ka hallin e kësaj “avokatie” nga ana e Tij Kryeministri Rama për Presidentin e Kosovës, kjo nuk është për t’u besuar ndryshe përveçse diçka më shumë si hipokrizi e djallëzi përçarëse, pasi më mirë se e njohin kosovarët dhe politikanët e shoqëria kosovare Presidentin e tyre nuk e njeh Kryeministri i Shqipërisë, ashtu sikurse më mirë se e njohin Kryeministrin e Shqipërisë,Edi Ramën, shqiptarët e Shqipërisë nuk e njohin atë as Thaçi dhe as shqiptarët e Kosovës, por vetëm nëse ata kanë njeri me tjetrin ndonjë afërsi leverdie e ndihme reciproke per interesa personale politike të lidhura me fije të padukshme atehere edhe mund të“justifikohet” afërsia dhe avokatia që i bën Rama, Thaçit.

Kur Kryeministri i Shqipërisë “e mbrojti” Presidentin Thaçi deri në mënyrë të paprecentë duke i quajtuar gomarë ata të cilët cilët janë dhe protestojnë kundër tij, merre me mend se çfarë konsiderate dhe respekti mund të ketë ai për shqiptarët, shoqërinë civile dhe politikën shqiptare në Shqipëri.Pra çfarë mund të jenë sipas tij edhe politikanët e opozitës, Partia e tij dhe qytetarët e Shqipërisë të cilëve u ka ardhur shpirti në majë të hundës prej keqpushtetit , arrogances dhe prej korrupsionit të pushtetit të tij?!

Nëse shqiptarët në Shqipëri i durojnë fyerjet, epitetet, talljet dhe batutat banale të tij, të Kryeministrit të tyre , këtë provokim të Kryeministrit të Shqipërisë nuk ka pse ta pranojnë politika dhe shoqëria kosovare.

Dhe mos të presin kosovarët se nga politika,opozita, vetë PS-ja, shoqëria civile dhe nga mediat në Shqipëri që të ketë ndonjë reagim apo kritikë kundër Kryeministrit të tyre pse ai fyen politikën dhe politikanët kosovarë, pasi ata fyhen dhe injorohen vetë për ditë prej tij dhe as që reagon ndokush seriozisht kundër tij, perveçse rrallë ndonjëri përciptazi dhe kalimthi.

Shqiptarët e Kosovës nuk i mposhti kurrë Serbia me krimet, genocidin as me torturat, vrasjet, as nuk mundi t’i nënshtrojë kurrë, ndërsa del një farë kryeministri nga Shqipëria, i cili sot është personi më i urryer dhe më i neveritshëm në Shqipëri dhe fyen madje edhe në Kosovë politikanët e saj, shoqërinë civile atje, intelektualët dhe pjesën më patriotike të Kosovës pse ata nuk pranojnë por me të drejtë kërkojnë që asnjë pëllëmbë toke e Kosovës nuk i duhet dhënë Serbisë.

Nga Shqipëria ashtu si gjithmonë kurrë Kosova mos të presë ndonjë gjë të madhe, pasi Tiranës gjithnjë i ka interesuar vetëm kolltuku i pushtetit.

Mos t’i shkojë ndonjërit në mëndje në Kosovë se mund të gjendet por vetëm rrallë dhe me vështirësi të madhe ndonji politikan nga Shqipëria që me të vërtetë i dhimbset ndarja e Kosovës, kur ata në përgjithësi gjatë këtyre 100 viteve shtet nuk është se kanë bërë ndonjë gjë të madhe për vetë Shqipërinë.

Shqiptarët e Kosovës dhe politikën e Kosovës i fyen Edi Rama sepse ata nuk janë si ai, i cili u fali grekëve tokë për varreza për ushtarët pushtues grek, si dhe qeveria dhe diplomacia e qeverisë së tij legjitimoi zgjerimin e sovranitetit të shtetit grek mbi hapësirën detare të Shqipërisë dhe as që i intereson as atij, as qeverisë së tij hiç fare Çamëria.

A prej këtij dhe të tjerëve si ky,mund t’u besohet se e kanë me të vërtetë dhe e duan Bashkimin Kombëtar ?!

Kur i fyen bashkëkombasit e tu hapur madje, kjo do të thotë se ti i urren ata, dhe kur i urren ata nuk ke se si të jesh human, i ndjeshëm, i përgjegjshëm, as që mund dhimbsen ata, dhe as që mund të të interesojë interesi kombëtar dhe jo më Bashkimi i Kombit.

Shqiptarët e Kosovës gjithnjë e kanë admiruar Shqipërinë dhe e kanë konsideruar atë si Shtet Amë, prandaj dhe për këtë edhe u kanë besuar verbërisht e deri në fanatizëm edhe politikës e pushtetit në Shqipëri edhe pse ata nuk është se kanë pasur ndonjëfarë respekti e përgjegjshmërie serioze për Kosovën.

Shqiptarët e Kosovës i kanë dashur dhe besuar të gjithë politikën dhe pushtetet në Shqipëri pa marrë parasysh se cili udhëheqës dhe cila politikë ka sunduar në Tiranë.

E kanë respektuar çdo pushtet dhe politikë në Shqipëri pasi e kanë dashur gjithmonë Shqipërinë më shumë se sa jetën e tyre.

Kosovarwt e kanë dashur dhe e duan Shqipërinë pavarësisht se Shqipëria politike kurrë nuk është interesuar seriozisht për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës; pavarësisht se edhe kurrë Shqipëria nuk ka bërë dhe as nuk ka hyrë në luftë me Serbinë për Kosovën.

E kanë dashur dhe respektuar Shqipërinë, shtetin dhe politikën shqiptare edhe pavarësisht se Shqipëria asnjëherë zyrtarisht dhe politikisht e as diplomatikisht në asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka bërë kërkesë për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërkohë që për mbi një shekull shqiptarët e Kosovës kanë sakrifikuar aq shumë për Bashkimin Kombëtar dhe se shqiptarët e Kosovës edhe e kane mbrojtur Shtetin Amë të Shqipërisë, Sovranitetin e Saj kundër të gjitha përpjekjeve dhe synimeve serbo-sllave dhe greke për ta asgjësuar edhe Shqipërinë si shtet.

Respekti i madh që kanë shqiptarët e Kosovës për shqiptarët e Shqipërisë, për Shqipërinë dhe për politikën dhe pushtetin në Shqipëri të cilin e zgjedh populli shqiptar i Shqipërisë kjo nuk do të thotë që shqiptarët e Kosovës duhet ta tolerojnë p.sh.kryeministrin e Shqipërisë që të shprehet në mënyrë kaq të ulët duke i quajtur politikanët e Kosovës disa muaj më parë lopë që e derdhin qumështin , pse ata kundërshtonin për Demarkacionin dhe pse ata kërkonin shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kur i quan politikanët kosovarë kështu duhesh të matesh mirë se po fyen jo vetëm ata por edhe qindra mijra shqiptarë të tjerë të cilët luftuan dhe derdhën gjakun për liri dhe për pavarësi.

Nuk kanë guxuar që ta bëjnë këtë fyerje kaq të rëndë as europianët antishqiptarë por as edhe serbët dhe këtë e bën në mënyrë të papërgjegjshnme një Kryeministër shqiptar.

Ai duhet të matet shumë kur të flasë. Kjo tregon se sa respekt e ndjesi ka kryeministri i Shqipërisë për Kosovën dhe për shqiptarët e Kosovës, kjo tregon se sa ai e njeh Shtetin dhe Pavarësinë e Kosovës dhe sa i dhimbset atij Kosova.

A nuk ishte dështim i qeverisë, politikës dhe i diplomacisë shqiptare të këtyre viteve kur ne pushtet është Rama fakti i miratimit të KiE të 4 amendamenteve të Serbisë kundër Kosovës, të cilat e dëmtuan edhe Pavarësinë e saj; A nuk ishte dështim i qeverisë Rama edhe moslobimi i saj për t’u antarësuar Kosova në UNESKO, si dhe dështimi më i fundit ku Shqipëria as nuk u ndie dhe as nuk u pa gjëkundi përkushtimi dhe as interesimi minimal i saj për antarësimin e Kosovës në Organizatën e Interpolit.

Nuk mund të shfajësohet dot E.Rama që pas dështimeve të na dalë e të pompozojë retorikën e tij patriotike dhe me nuanca antiBE si për mos hapjen e negociatave për antarësim të Shqipërisë ne BE dhe ashtu për mos liberalimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Nuk ka nevojë Kosova për “ndihmën” e politikës antiSHBA dhe as të altoporlantëve antiBE të Tranës.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për propaganda e për dukje mashtruese patriotike por për rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit , për drejtësinë,zhvillimin, punësimin, joeksodin dhe integrimin. Për këto kanë nevojë shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe jo për hipokrizira dhe për batuta dhe epitete banale.

Ai duhet ta dijë mirë se shtet i Pavarur do të thotë shtet i cili ngre dhe ndërton institucionet shtetërore të pavarura të tij pra edhe gjykatën, edhe drejtësinë vendore, dhe jo drejtesi të varur nga kushdoqoftë i huaj, qoftë edhe nga BE-ja.

Po kështu edhe me rastin e festës së Pavarësisë Kryeministri i pakorigjueshëm i Shqipërisë fyen shumë rëndë politikanët e Kosovës duke i quajtur ata gomarë, ata të cilët kundërshtojnë dhe nuk janë dakord me Thaçin, me presidentin e Kosovës.

Ky është faj i rëndë për të, pasi shumica e jo vetëm politikanëve kosovarë, por edhe shumica dërrmuese e intelektualëve dhe e shoqërisë kosovare janë shprehur kundër korigjimit të kufijve dhe kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Askujt nuk i lejohet që të ofendojë e të injorojë kombin e vet, as pjesë të të tij të cilët kundërshtojnë dhe nuk janë dakord me politikën e pozitës apo të opozitës, as ata të cilët kundërshtojnë qeverinë apo Presidentin.

E pyes E. Ramën se si do të ndjehej ai dhe opozitarët e drejtuar prej tij sikur një Kryeministër i Kosovës t’i quante gomar atë dhe ata të cilët kanë qenë dhe kanë protestuar dhe janë akoma kundër pushtetit të ishpozitës dhe të Sali Berishës?!

Politikani apo pushtetari i cili fyen dhe ofendon politikën dhe politikanët e zgjedhur nga populli njëkohësisht fyen edhe ata prej të cilëve janë votuar e zgjedhur prej tyre.

Kur fyen një pjesë të kombit ke fyer tërë Kombin.

Shteti dhe pushteti i cili e drejton Kombin është i paanshëm dhe respekton dhe u shërben të gjithëve njëlloj, aq më tepër që Kosova është shtet i Pavarur dhe nuk ka nevojë as për patronazhin dhe as për këshillime dhe ofeza të tilla që i bën vetëm njerka.

Unë jam një nga ata, por i paangazhuar politikisht, i cili kam mendimin tim që përputhet me atë të Thaçit që Kosova Lindore, Lugina e Preshevës t’i bashkangjitet Kosovës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të mos mbesin përgjithmonë nën Serbi, madje e kam shprehur këtë ide shumë vite para Thaçit, por kjo nuk do të thotë që unë të ndjehem mirë politikisht dhe as nuk duhet ,dhe askush , asnjë shqiptar nuk ka nevojë për një “mbështetje” të tillë të idesë së Thaçit me të tilla fjalë fyese të cilat ofendojnë rëndë shumicën e politikës e politikanëve shqiptarë dhe të shoqërisë kosovare të cilët me të drejtë kërkojnë pacënueshmërinë territoriale, mosndarjen e Kosovës, nëse Thaçi e ka këtë si ide tinëzare dhe të padeklaruar akoma.

Ofendimi që iu bë politikanëve të Kosovës nga Kryeminisrtri shqiptar, prej tij ndjehet keq çdo shqiptar i Kosovës, dhe askush nuk ia kishte këtë ofendim atij si borxh.

Se sa dashamirës është kryeministri i Shqipërisë për Kosovën dhe për kosovarët e ka treguar edhe rasti i taksës së” Rrugës së Kombit” për të cilën jo vetëm se nuk u konsultua me politikën dhe me qeverisjen kosovare por nuk u pyet askush për të edhe as në Shqipëri madje. Me këtë taksë të lartë ky kryeministër pseudopatriot i gjobit shqiptarët e Kosovës edhe për të ardhur dhe për ta festuar Festën Kombëtare të Pavarësisë në Tiranë dhe në Vlorë.

Kosovë mos prisni se politikën antiKosovë të Tiranës ta kritikojnë dhe t’i bëjnë opozitë mediat nga Shqipëria, pasi ato janë mercenare dhe të sponsorizuara në shumicën e tyre nga fonde të antishqiptarizmit për t’u shërbyer interesave të huaja në Shqipëri , gjë e cila u ekspozua nga mediat dhe nga vetë politika greke.

Edhe ai patriotizmi politik dhe mediatik në dukje te disa media ka finesën antikombëtare dhe maskën e hipokrizisë djallëzore ku si të tilla media dhe gazetarë janë fatkeqësisht edhe disa në Kosovë.

Skënder Sadri KAPITI, Durrës, Dhjetor 2018

Shënim : Këtë shkrim timin te Dhjetorit 2018 po e dërgoj për botim për faktin se Edi Rama si kryeministër i Shqipërisë vazhdon akoma edhe sot me politikën e tij proserbe dhe antiKosovë si ideator dhe ëndërrimtar i minishengenit neojugosllav e antishqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *