Home

Lajme

Endrit Yzeiraj – Kosova është dashni! Por për shkak të sistemit, dhe jo vetëm të njerëzve.

No Comments Lajme Opinion

Në më pak se një vit Kosova ka spastruar gjithë klasën politike, dhe i ka dhënë një humbje dhe Kryeministrit që e zgjodhi me votë plebishitare pak muaj më parë. Po pse ndodh e gjitha kjo atje, dhe jo në anën tjetër të kufirit? Pse njerëz që kanë të njëjtën gjuhë dhe zakone, sillen kaq ndryshe politikisht?
Trashëgimia e komunizmit jugosllav krahasuar me atë shqiptar është patjetër një faktor. Por vetëm kaq nuk mjafton. Mali i Zi apo Serbia kanë përfunduar në sisteme thuajse diktatoriale, megjithëse ishin pjesë e së njëjtës federatë. Çfarë tjetër ndodh në Kosovë që krijon hapësira të tilla demokracie?
Me shumë gjasa, është sistemi politik i ndërtuar nga Kushtetuta e Kosovës. E imponuar nga ndërkombëtarët, me qëllim kryesor ruajtjen e minoriteteve, kushtetuta krijon qeveri të dobëta. Por pikërisht për këtë arsye, demokracia fillon e lulëzon, dhe zhvillimi ekonomik ndjek nga pas.
Me pak fjalë, procesi është si më poshtë:

  • Pushteti lokal i fortë dhe sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura krijon Kryeministra të dobët. Edhe në kulmin e pushtetit të tij Thaçi përherë kërkonte aleanca për të mbajtur qeverinë në këmbë;
  • Paaftësia për të kontrolluar të gjithë administratën dhe financat publike ulin mundësinë që një njeri të korruptojë apo të imponohet ndaj gjithë shoqërisë. Nuk ka as fondet as pushtetin politik që të lidhë të gjitha interesat pas vetes;
  • Si rrjedhojë, shoqëria ka më shumë liri e kjo krijon hapësira për forca dhe fytyra të reja. VV pati suksesin më të madh, por plot parti të tjera të vogla ekzistojnë dhe luajnë rolin e tyre. Edhe duke përjashtuar minoritetet, 5 forca të ndryshme kanë fituar komuna deri më tani;
  • Kur lideri humbet zgjedhjet, nuk ka aq interesa pas vetes sa të mbajë partinë të mbyllur. Deputetët kanë mandatin e tyre, Kryetarët e Bashkive kanë fondet e tyre. Po nuk i bindi lideri, nuk i shkojnë qorrazi nga pas, dhe kanë pushtetin të zgjedhin me kokën e tyre;
  • Lideri largohet, i hap rrugë zgjedhjeve të reja, dhe nuk i imponohet dot partisë pafundësisht.
  • Liderët e rinj sjellin menjëherë fytyra të reja, dhe pak muaj më pas fitojnë dhe zgjedhjet.
    Rezultati final: shoqëria ripërtërin klasën politike, askush nuk ka kohën dhe pushtetin të çimentohet në karrige, mundësia për të korruptuar dhe trafikuar interesa ulet, rregullat e lojës bëhen të barabarta për të tërë, njerëzit investojnë më të sigurtë dhe ekonomia zhvillohet.
    Morali i fabulës: nuk na duhen qeveri të forta! Na duhet një sistem politik që pushtetin e shpërndan në sa më shumë duar. Pastaj nuk do kemi pse të shohim me zili anën tjetër të kombit.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Tags: