Home

Lajme

Dibran Fylli – Dëshmorët kanë vetëm datëlindje

No Comments Argëtim Histori

LUAN HILMI HARADINAJ (17.11.1973-6.5.1997)
Luan Haradinaj lindi në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit më 17 nëntor të vitit 1973. Luani mësimet fillestare i mori në Rrezarë, ish-Isniq. Ishte nxënës i sjellshëm, i zgjuar dhe i vëmendshëm, kurdoherë buzagaz, i çiltër e i dashur.
Në vitin shkollor 1988-1989, regjistrohet në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, të cilin pas katër vjetësh e kryen me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitin shkollor 1992-1993, Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Kulturës Fizike, në Universitetin e Tiranës. Ai i kishte filluar studimet në Shqipëri, por interesimi i tij parësor ishte angazhimi për t’i dhënë impulse të reja lëvizjes së rezistencës në Kosovë.
Luani ka qenë në kontakt me grupet ilegale guerile, të cilat qysh nga viti 1991 kishin shkuar në Shqipëri me qëllim të stërvitjeve dhe aftësimit ushtarak.
Ai i takon brezit të parë të rinisë dukagjinase, që mori përsipër furnizimin me armë të ideatorëve të luftës çlirimtare, të shokëve të tij më të ngushtë me të cilët sa e sa herë ilegalisht e kishte kaluar kufirin, duke sjellë armë për grupet e para të çlirimtarëve, jo vetëm në Gllogjan e në Dukagjin.
Luani me vëllain e tij Shkëlzenin dhe me bashkëmendimtarë të tjerë ishin ndër pjesëtarët e bërthamave të para të rezistencës së armatosur në Dukagjin qysh nga nëntori i vitit 1993.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Luani ishte njoftuar me një rreth të gjerë të bashkëluftëtarëve, nga të gjitha trojet e robëruara të Shqipërisë, veçmas të Kosovës. Luani ka mbajtur kontakte edhe me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, pastaj me Hashim Thaçin nga Buroja e Drenicës, me Sahit dhe Musë Jasharin nga Prekazi, me Rexhep Selimin dhe Sylejman Selimin nga Açareva, me Abedin Rexhën, me Fehmi Lladrovcin e Ramiz Lladrovcin e me shumë trima të tjerë të Drenicës. Ka mbajtur kontakte me Zahir Pjazitin e Ilir Konushevcin nga Llapi, me Mujë Krasniqin e Ali Krasniqin nga Çabiqi dhe me luftëtarë të tjerë të Dukagjinit si: Adrian Krasniqi, Edmond Hoxha, Sadri Zneli, Lahi Brahimaj e të tjerë.
Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllain Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin e Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit.
Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave. Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Në ato momente kishte filluar përleshja e armatosur. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda të artilerisë, me qëllim të t’i asgjësonin të gjithë luftëtarët shqiptarë.
Pas përpjekjeve të shumta dhe kundërsulmit të furishëm të çlirimtarëve, Ramush Haradinaj arrin t’i afrohet trupit të vëllait. Pasi e sheh të shtrirë dhe me plagë në kokë e fytyrë, konstaton se Luani kishte rënë. Nën breshërinë e pandalshme të granatave dhe të plumbave të armikut, Ramush Haradinaj arrin ta tërheq trupin e pajetë të vëllait.
Pas katër orë rrugëtimi, me rastin e tërheqjes, Ramushi me bashkëluftëtarë e bartin mbi supe trupin e Luan Haradinajt dhe shkojnë ne fshatin Vlahne. Atje, me dhembje të thellë në shpirt, me nderime varroset trupi i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj.
Vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, vazhdojnë rrugën çlirimtare deri më 21 qershor 1999, kur nga Kosova dëbohen përgjithmonë gjakësorët serbë.
Emri i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj, është përjetësuar në monumente lavdie, në pllaka e shtatore, që për jetë do të përhapin rreze lirie e atdhedashurie.
(bazuar në Fenikset e lirisë-radio kosova e lirë)
Dibran Fylli, regjisor/aktor

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *