Home

Lajme

Elona Caslli – Për ty ” modern” që më konsideron ” të prapambetur”

No Comments Kulture

Duke qenë se kam shprehur kundërshtinë time hapur, kundrejt formateve si ” Për-puthen” apo
” Love-Story”, ka një reagim nga një grup njerëzish që kundërshtinë time e quan
” prapambetje”.
Krejt mirë. Unë kam mbetur prapa dhe nuk kam ecur me hapin e kohës dhe rrjedhimisht kam një gjykim të mbetur prapa kohës.
Ta analizojmë pak këtë “prapambetje”.
Gjithçka që ndodh tek ” Për-puthen” apo ” Love Story” po na serviret si realitet i mirëfilltë, madje edhe opinionistët që janë në studio ngulmojnë tek fjalia:” Ky është realiteti. Kështu ndodh edhe në jetë.
Lindin pyetjet:
Sa shpesh ndodh në jetë që një djalë apo një burrë, të dalë me disa vajza njëherazi dhe këto të fundit t’i binden grafikut që ka përcaktuar vetë djali apo burri?!
Sa shpesh ndodh në jetë që këto takime të filmohen dhe vajzat dhe gratë t’i shohin prekjet dhe puthjet që i kanë dhënë të njëjtit burrë apo të njëjtit djalë?!
Sa shpesh ndodh në jetë që të gjitha këto filmime shfaqen përpara publikut të gjerë dhe na prodhohet një ” opinionist dashurie” që analizon puthjet, prekjet dhe dendurinë e tyre në çdo takim?!
Kjo nuk ndodh në jetën e vërtetë. Dhe a e di pse?!
Nëse kjo do të ndodhte në jetën e vërtetë, atëherë secili prej nesh do të shfaqte në profilin e tij në feisbuk çastin kur debaton, preket apo puthet me partnerin apo partneren përkatëse.
Dhe pasi ta kish nxjerrë do të priste opinionin nga publiku fejsbukian se kujt do t’i jepte të drejtë në debatin e zhvilluar mes dy partnerëve.
Fakti që asgjë e tillë nuk ndodh në jetën reale, do të thotë se formate si ” Për-puthen” apo
” Love story” prodhojnë veçse një realitet artificial mediatik dhe jo një realitet jetësor.
Zhdukja e kufirit mes dimensionit personal dhe dimensionit publik, është basti më i rëndë që mund të luajë një shoqëri dhe ngritja e këtij basti në nivel mediatik mund të jetë gjithçka veçse “dashuri” nuk është.
Dashuria në thelbin e saj përmban dinjitetin e individit. Nuk mund të shkelet dinjiteti i një burri apo i një gruaje dhe ky fakt të serviret si akt dashurie.
Lakuriqësia është një gjendje intime.
E tillë duhet të jetë edhe lakuriqësia emocionale apo ekonomike e një individi.
Ndaj, unë ngulmoj që kur ti e shfaq fytyrën e një njeriu të varfër para kameras, po bën
” porno me varfërinë”, pasi e nxjerr lakuriq ekonomikisht njeriun që po ndihmon.
Lakuriqësia emocionale është po aq intime sa ajo trupore.
Kur “dashuria” e shumëfishtë, përjetohet para kamerave, nuk është dashuri.Është ” porno me dashurinë” ose më saktë është fyerje për dashurinë.
Post Scriptum- Ndaj ajo çka ti “modern” quan
” prapambetje”, është në të vërtetë një akt mbrojtjeje ndaj vetë dashurisë dhe ndaj dinjitetit njerëzor.
Elona Caslli

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *