Home

Lajme

U PROMOVUA NË VATËR “VESHJA E NUSËNISË KRAJANE”

No Comments Kulture

Sokol Paja
New York, më 16 Nëntor 2021, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” u zhvillua promovimi i librit “VESHJA E NUSËNISË KRAJANE” i studiuesit Hamid Alaj. Vatranë, studiues, gazetarë, klerikë, historianë, etnografë u bënë pjesë e një ceremonie festive që la shumë mbresa te të gjithë të pranishmit. Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën përshëndetëse deklaroi se: “Vlerësimi për etnografinë është vlerë për ruajtjen e kulturës dhe traditës të një populli dhe kombi. Pasqyrimi i etnografisë është në vetvete pasqyra e shpirtit të kombit. Pasuria jonë, kultura jonë, identiteti ynë europian, tregojnë përkatësinë tonë kulturore dhe vlerat në popujt e tjerë të botës. Ata studiues që promovojnë, ruajnë e trashëgojnë kulturën tonë, meritojnë nderim e respekt përherë. Vatra do mbështesë e promovojë në çdo kohë studime e nisma të tilla në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore” përfundoi fjalën e tij Dr. Camaj. Edin Gjoni, Imami i Xhamisë Shqiptare të Queens u shpreh rreth vlerave etnografike, historike, kulturore dhe mbi të gjitha teologjike. Ai theksoi se libri është një kryevepër përsa i përket dëshmive dhe intervistave që autori ka sjellë në punim duke dëshmuar kulturën e gjërë dhe pasurinë e jashtëzakonshme të trevës së Krajës. Imami Edin Gjoni falenderoi për organizimin Vatrën e Diellin dhe kryetarin Elmi Berisha për punën në dobi të çështjes kombëtare dhe rivitalizimin e Vatrës. Selman Haxhimurati në fjalën e tij u ndal në aspekte të veçanta të veshjes së Krajës që përbëjnë vlera të veçanta të kësaj treve në krej viset shqipfolëse. Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij theksoi se: “Autori ka bere një pune te thelluar ne literaturën perkatese per pasurimin e librit me bibliografi, edhe pse studimet per Krajen nuk jane te mjaftueshme per objektet qe lidhen drejt per drejt me veshjen krajane, etnografine dhe kulturen e kesaj treve te rendesishme shqiptare duke na sjelle ne vëmendje te lexuesit disa intervista si dhe ilustrime me foto te larmishme, te cilat pasqyrojnë mese se miri vlerat e veshjes dhe te traditës krajane. Punimi eshte i pasur me hulumtime dhe reflektime, i radhitur sipas tematikave te studimit qe nga origjina e veshjeve, materiali i përdorur dhe objektet e qëndisjes, ku per keto veshje tradicionale, i japin vlera te rendesishme folklorike historike. Punimi na jep informacione dhe detaje te shumta per veshjen krajane, strukturen e veshjes, dizajnin, dekorin e tyre dhe per stolite e përdorura, duke i dhene vleren dhe imazhin e nje perfaqesimi dinjitoz te femres krajane. Ne liber kemi informacione te shumta për ritualet e ndryshme, duke trajtuar me kujdes edhe menyren e veshjes qe përdoret nga nuset për te shkuar ne dasëm, ne Pazar, ne jetën e perditshme apo dhe ne rast (Zie) mortje”. Hamid Alaj në fjalën e tij theksoi se: “Libri është një studim për veshjet tradicionale të zonës së Krajës. Veshjet kombëtare e tradicionale vishen për të shfaqur identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi, herë përfaqësojnë edhe një trevë apo një zonë të vogël rajonale, nëpër periudha të ndryshme kohore. Njëra nga karakteristikat kryesore të një treve, krahine, madje edhe të një kombi, pa dyshim se është edhe veshja si pjesë e kulturës popullore. Njëjtë është edhe për trevën e Krajës, e cila karakterizohet me anë të veshjes së nuses krajane. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht nga një epokë në tjetrën. Ky zhvillim i veshjes është bërë në varësi të kushteve konkrete historike, ekonomike dhe shoqërore në të cilën ka jetuar një komunitet” theksoi studiuesi Hamid Alaj. Në përfundim të promovimit, patrioti Toni Musaj në bashkëpunim me Vatrën shtroi një koktejl në respekt dhe nderim të të gjithë pjesëmarrësve.

Burimi/Facebook/Zeri i Krajes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *