Home

Lajme

Diana Ziu – Leter drejtuar Presidentit Ilir Meta

No Comments Lajme Opinion

Letër!
I nderuar Zoti President i Shqipërisë, i nderuar zoti Ilir Meta!
Unë, Diana Ziu Toçe kompozitore dhe burri im Vangjel (Vango) Toçe aktor jemi dy qytetarë të ndershëm, të nderuar dhe të respektuar në mbarë trevat e Shqipërisë dhe kudo nëpër botë. Sot e vendosëm që t’u drejtohemi me këtë letër, dhe shprehur për sa më poshtë vijon;
Unë, Diana Ziu Toçe jam e diplomuar në vitin 1977 në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Kompozicionit dhe në diplomën time kam krenarinë të mbaj firmën e pedagogut mjeshtër dhe kompozitorit të madh të nderuarit Çesk Zadeja.
Unë jam një muzikante e afirmuar dhe kam shkruar muzikë pafund në të gjitha gjinitë muzikore, këngë si gjini e thjeshtë e muzikës, por edhe simfoni, duke përmendur muzikë klasike etj…
Këngët e mia janë një numër të konsiderueshëm dhe kanë lënë një gjurmë të ngrohtë dhe të thellë tek populli, audienca ime më e dashur, për mesazhin e përcjellë.
Unë kam shkruar disa simfoni, por
simfonia “Apoteozë e shekullit të ri” është vlerësuar me çmim të parë në konkursin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Unë kam shkruar shumë kuartete për harqe të cilat gjithashtu janë vlerësuar me çmime nderi si brenda vendit po ashtu edhe jashtë vendit.
Unë kam shkruar dhe kompozuar muzikë të larmishme për filma të gjinive të ndryshme si ato për fëmijë dhe filma dokumentarë që janë vlerëuar me çmime nderi, në kohën kur ende muzika klasike vlerësohej shumë.
Gjithashtu unë jam vlerësuar me shumë çmime edhe në dekadat e Majit, por kjo në kohën me dikur.
I nderuar zoti president bashkëshorti im, aktori Vangjel (Vango) Toçe ka interpretuar një jetë të tërë në skenën teatrale dhe atë kinematografike dhe ka sjellë një larmishmëri të pa numërt personazhesh që shpesh kanë mbetur shumë të dashura tek spektatori artdashës.
Një nga rolet më të spikatura të tij ishte ai i të madhit Migjeni në filmin “Një natë pa dritë”.
Filmat e tij janë të shumtë, si:
“Vajzat me Kordele të Kuqe”,
“Muri i gjallë”, “ Porta Eva”, “ I treti”, “ Binarët”, “E dua Erën”, “Mao Ce Duni”, “ Skëterë e vitit 1943”, etj.
Vangjeli gjithashtu ka interpretuar edhe në pjesë të ndryshme teatrale dramatike, por edhe ato komike. Dua të përmend disa nga pjesët teatrale të tij, si;
“Morsa”, “Xhaxha Vanja”, “Luisa Miller”, “ Arturo Ui”, “ Kush vjedh një këmbë ka fat në dashuri”, “ Tetë persona plus”, “Rikardi i tretë”, “Burri i gruas time”, “Kati i gjashtë”, “Valsi i Titanikut”, “Quo Vadis”, “Stuardeshat”, “Revizori”, “Pas vdekjes”, “Prostitutat”, “Doktori pacient”, “Vërshime pranverore”, “Zbutja e Kryeneçes”, “Moxarti” dhe shumë e shumë role të tjera.
Por ky nuk është qëllimi kryesor i kësaj letre. Nëpërmjet saj ne duam të të bëjmë me dije se ne kemi afro tre vjet që jemi propozuar për marrje të titullit Mjeshtër i madh, unë (Diana) nga Liceu Artistik Jordan Misja në Tiranë ku kam punuar për 35 vjet si mësuese për dy lëndët muzikore Solfezh dhe Harmoni. Vangjeli është propozuar nga Teatri Popullor ku ka punuar për më shumë se 35 vjetë pa përfshirë këtu kohën e largimit të tij për arsye biografie (pasi dajën e tij e pushkatuan komunistët në pushtet të asaj kohe).
Zoti president!
Unë jam e bindur që ju nuk jeni në dijeni të plotë për ç’ka po ndodh me rastin tonë (dekorimin tonë), të cilin do t’a quaja një rast flagrant dhe tepër unik. Përgjatë këtyre viteve jemi bërë disa herë gati për dhënien e dekorimit tonë prej jush, (kjo me njoftim direkt nga këshilltari juaj Leonard Tase), por çuditërisht dhe fatkeqësisht ky moment dekorimi merrte një pauzë, harresë të rradhës dhe nuk pati sukses që t’a gëzonim edhe ne si artistë.
Çudia më e madhe e gjithë kësaj amullie janë gënjeshtrat e shpeshta dhe të panevojshme të ofruara nga këshilltari juaj Leonard Tase, të cilat pasonin njera tjetrën pikërisht në raport me figurën tonë artistike. Po ju ofroj disa dilogje në vijim;
“Zoti Ilir ju ka në konsideratë dhe ju jeni të parët…”, “Ja mos u bëni merak, presidenti i ka në duar letrat dhe dokumentat tuaja dhe ju e keni rradhën së shpejti, pasi kështu e kanë këto punë, etj…”
Por si qenkemi “të parët” ne në çdo rast jemi lënë në pritje dhe ankthe të pa nevojta. Pra, kjo fyerje kaq e hapur për ne si artistë kish kohë që kish marrë udhëtimin e maratonës tre vjeçare.
Ne ndihemi shumë të fyer dhe tepër të indinjuar për këtë lloj trajtimi që na është bërë padrejtësisht. Ne jemi artistë dhe jemi shumë të çiltër, por edhe shumë të ndjeshëm kur përballemi me padrejtësi të tilla flagrante.
Vazhdimisht i kemi ndjekur dekorimet e rradhës për këngëtarë dasmash që ju keni akorduar si president, nejse ç’ rëndësi ka kjo, por edhe kur ne shtronim pyetjen çfarë po ndodh, përsëri merrnim të njejtën përgjigje me zhgënjim të zakontë saqë po merrte përmasa komedie, me të njejtin zhargon; “dokumentat janë në tavolinën e Ilirit për firmë dhe marrje vendimi”, por përsëri pauza merrte kohën e përvjetorit të rradhës.
Sa shpesh janë bërë aludime të një pas njëshme për akordimin e dekorimit tonë, si;
“Ja për “Krishtlindje” mos e diskuto ju jeni të parët, dhe më pas vinin “Pashkët”, “Çlirimi e Atdheut”, “Pavarësia e Shqipërisë” e të tjera si këto që nuk rreshtnin nga telefonatat e shpeshta me Leonard Tasen.
Rastet flagrante kishin ngjyra të natyrës politeske, kur na thuhej; “Ja ju e keni rradhën pas një pianisteje me emër…”, apo “Zoti Ilir do t’ua kapërxejë rradhën edhe këtë herë, pasi aktorja në fjalë është për të ikur në Amerikë dhe është me ngut, por ju jeni menjëherë pas saj…”
Kur Vangjeli merrte guximin të telefononte dhe të pyeste Leonardin, ai nuk duroi një ditë dhe ju drejtua kështu;
“Përse talleni me ne Nardi, pse luani me ndjenjat tona?!…” Ne jemi tepër të ndjeshëm dhe kjo është fyerje direkte për ne…”
Dhe përsëri kumbonte zëri i Leonardit “Mos u shqetëso çdo gjë do të rregullohet ja tani, po po ja tani për 7 – 8 Mars dhe mbase bëjmë edhe donjë koncert pasi kemi Dianën muzikante dhe mësuese muzike…?!”, por ironia e fatit tonë vazhdonte ciklin me gënjeshtra tepër acaruese.
Zhgënjimi ynë kish kaluar çdo cak civilizimi, çdo formë interpretimi. Ai ish kthyer në një komedi me titullin “ Ja tani, po, po ja tani 😳😳😳😳…”
Por ja që Saga e Dekorimeve tona dhe e titullit tonë të shumë pritur vazhdoi kështu;
Na u tha se zoti Ilir Çumani e ka në dorë çështjen e dekorimit tonë (pasi ky është këshilltari i jashtëm i presidentit) dhe është personi adap dhe ka njohje të plotë për to.
Ne e kontatuam Ilir Çumanin dhe ai me shumë respekt për ne na ofroi nje takim. Takimi me Çumanin do të ndodhte pas kryerjes së shfaqjes që ai kish përgatitur prej gjashtë javësh për poeten Zhuljana Jorganxhi.
Ai na ftoi të pinim kafenë e njohjes si fillim aty pranë universitetit Europian, pasi aty do të bëhej edhe aktiviteti në fjalë për Zhuljanën. Pasi u konsultuam për këtë takim, vendosëm të mos shkonim pasi nuk e pamë të udhës që në një festë për poeten e njohur ne të tentonim të sillnim problemin tonë. Ne nuk deshëm të krijonim interferenca të pa dëshiruara, pasi ne jemi artistë vetë. Më pas Ilir Çumani na e bllokoi mundësinë e lidhjes telefonike me të, por akoma nuk e kuptojmë kush është lidhja e tij me dekorimin tonë dhe pse bisedat qëllimisht koklaviteshin çuditërisht më pas, dhe pikërisht këtë gjë nuk e kuptuam kurrë.
Nejse…, por gojët e liga flasin për një mini korrupsion që ka dorë edhe në të tilla raste dhe okazione, por unë nuk dua t’a besoj. Madje nuk e besoj kurrë që zoti Ilir Meta është i informuar dhe në dijeni për sa më lartë shkrova.
I nderuar zoti President, ne akoma mbetemi shumë të fyer, shumë të indinjuar.
Ne kurrë nuk kërkuam të na vlerësoni, ne kurrë nuk lypim imazh dhe fasada boshe, por asnjëherë nuk kemi marrë atë që ne e kemi merituar dhe na takon. Por, mos na përdhosni, mos na fyeni me mënyrat alla modeli komunist.
Ne tashmë vlerësimin e kemi marrë të merituar nga populli, të cilit i përulemi me shumë respekt që del nga thellësia e shpirtit tonë. Respektin e japim pafund për njerëzit që vërtet na vlerësojnë dhe na kanë përshëndetur dhe përgëzuar për krijimet dhe punët tona.
Jemi të bindur që të gjithë ata njerëz të artit dhe kulturës që na kanë mbështetur dhe vlerësuar nuk do të kishin reagim tjetër, por do të indinjoheshin nga fyerjet që ne po gëzojmë së fundmi. Desha të theksoj që dokumentat tona në dosjen famëshme janë të firmosura dhe të vulosura nga insitucionet përkatëse dhe të shoqëruara me referenca nga artistë të mirënjohur, por akoma çuditërisht po qëndrojnë mbi tavolinën tuaj zoti Ilir Meta. Ndërsa shkruja këto rrjeshta në mendje më erdhi përsëri dhe e dëgjoja refrenin e fabulës komike të njohur të Leonard Tases “ Ja tani, po, po tani e keni rradhën ju…”
Ne nuk ju lutëm për titullin, por as për të na gënjyer, fyer dhe mbajtur peng shpirtrat tona të trazuar të kyçitura në ato dosje çudibërëse. Ne i meritojmë titujt e nderit pasi kemi punuar, lotuar, gëzuar dhe jemi përgëzuar për meritat e merituara. Ne nuk e kemi pritur rradhën e krijimit me një “Ja tani, po, po ja tani…”, por ne e kemi vënë çdo moment të jetës përpara dhe emocionit ja kemi ndjerë lumturinë e fitores edhe pse në pension. Unë dhe Vangjeli e dimë mirë që arti i çdo forme apo gjinie qoftë nuk mund t’a burgosësh me termin pension, pasi kjo ndjesi na e kaliti sedrën dhe dëshirën për ti shërbyer popullit tonë si atdhetarë dhe artistë me shpirt dhe me zemër derisa ne të marrim frymë.
Arsyeja që unë mora shkak të shkruaj këtë letër për ju zoti president ka vetëm një qëllim, që të ve në dukje shkaqet, pasojat si dhe të ngre zërin tim dhe kjo që n’a ndodhi ne të mos ketë përsëritje tek askush dhe sidomos tek artistët dhe vlerat e tyre.
Do t’ua dimë për falemnderit nëse do t’u jepej rasti dhe momenti që t’i lexonit këto rrjeshta të shkruara nga ininjata dhe lotët e shpirtit tonë prej artistësh në këtë letër. Mbetemi me shpresë që leximi i kësaj letre të hapur t’iu japë mundësinë të njiheni me fyerjen, gënjeshtrën dhe indinjatën tonë të thellë.
Të persekutuar atëherë, por të harruar tani…
Me respekt, sinqerisht
Diana Ziu Toçe Kompozitore
Vangjel (Vango) Toçe Aktor.
Tiranë më 19/11/2021…D.Ziu…

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *