Home

Lajme

Laureta Petoshati – Përgjigje pyetjeve pse më 28 Nëntor?!

No Comments Argëtim Histori

Nga Laureta Petoshati
Figura e madhërishme dhe e pavdekshme e Skënderbeut, një nga katër gjeneralët më të famshëm të historisë së të gjitha kohërave i bën nder historisë së Shqipërisë, por dhe krejt botës euro-atlantike, e cila është ngritur në bazë të parimeve të demokracisë dhe vlerave njerëzore. Data 28 Nëntor po festohet në shumë sheshe të botës dhe busti i Heroit tonë kombëtar po i zbukuron me dinjitet për të mos harruar të kaluarën e lavdishme të tij. Për të nuk pushojnë të shkruajnë, kompozojnë dhe të flasin figurat më të mëdha botërore. Mjaftojmë të kujtojmë këtu operën “Skënderbeu” të Antonio Vivaldit, apo poemën e Langfellout të përkthyer nga Noli. Intelektualët francezë kanë qenë ndër të parët që jo vetëm e vlerësuan , por e ngritën në piedestal me veprat e tyre luftën çerekshekullore të Skënderbeut për të ndaluar hordhitë e pandërprera turke në Europë. Madje së fundmi emrin e tij e përmendi edhe një deputet francez në Parlamentin Europian. Nuk ishte rastësi. Sepse turqit selxhukë ishin bërë problem pesë a gjashtë shekuj përpara se Skënderbeu të dilte në skenën e historisë jo vetëm se kishin pushtuar Jeruzalemin, vendin e shenjtë, por dhe po zgjeroheshin çdo ditë në kurriz të Perandorisë Bizantine, por dhe tokave të Europës. Edhe Perandori Aleks I i Bizantit kishte ankesa të shumta për këtë pushtim që ata po bënin. Për këtë qëllim, por dhe për të mbrojtur çdo cep të Europës nga pushtimet që vinin nga nomadët dhe myslimanët Papa Urban II mblodhi nga 18 deri më 28 Nëntor 1095 në Francë Këshillin e Klermontit me 13 kryepeshkopë, 82 peshkopë dhe 90 abatë me në krye vetë atë. Në datën 27 nëntor ai mbajti një fjalin mbresëlënës që do të ngrinte peshë gjithë fisnikërinë e kohës duke thënë se duke luftuar për fenë dhe atdheun, nuk do të bënin një sulm, por një luftë për çlirim. Natyrisht që kjo gjë ka pasur jehonë dhe në trojet tona si pjesë e Perandorisë Bizantine. Krishtërimi që u përhap në Iliri që në kohërat apostolike me ardhjen e Apostullit Shën Pal dhe që u ligjërua nga Konstandini i Madh nga Nishi i Dardanisë nuk ishte vetëm një besim fetar në atë periudhë, por dhe një kod moral sesi jetohej në atë kohë në Europë ku rendi social bazohej dhe ende vazhdon të bazohet në parimet morale të ligjit të Moisiut, që ne i njohim si Dhjetë Urdhëresat. Në ditën e fundit të Këshillit të Klermontit, 28 nëntor 1095, Papa Urban II emëron peshkopin Adhemar të Le Puy dhe Kontët e Toulouse të njohur si Konti Raymond IV i Tuluzës për të udhëhequr Kryqëzatën e Parë në Tokën e Shenjtë. Kjo ditë quhet ndryshe dita e betimit, apo dita e kontërve. Në bazë të kësaj dite do të vinin dhe kryqëzatat e tjera të mbështetura dhe nga Perandorët e Bizantit. Me këtë shpresë ishin dhe fisnikët shqiptarë, të cilët pak shekuj më vonë ranë nën pushtimin turk. Gjergj Arianit Komneni, fisniku me dy kështjella, ku në rrembat e tij kishte dhe gjak perandorak nga krushqia me Engjëll Komnenin, kur e pa se luftën që kishte bërë kundër pushtimit turk nuk mund ta përballonte dot i vetëm dhe për shkak të moshës, shkoi dhe i dërgoi lajmëtarë Skënderbeut që luftonte për Sulltanin që të vinte në Shqipëri dhe të merrte në dorë fatet e vendit dhe jo vetëm. Dhe Skënderbeu fjalimin e famshëm e mbajti në Krujë pikërisht në ditën 28 nëntor 1943 si betim fisnikësh për fe dhe atdhe. Dhe ai, luftoi si askush tjetër. Jo më kot Papa Kalisto III do ta quante Skënderbeun Atleti i Krishtit “I shenjtë si Shën Luigji, diplomat si Talleyrand, trim si Aleksandri i madh”, duke iu drejtuar me fjalët : ” Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar!” Skënderbeu do të ishte Komandant i Përgjithshëm i forcave europiane në kryqëzatën e radhës kundër pushtuesve turq që po trondisnin Europën dhe vlerat e kulturën e saj.
Vdekja e tij do të ishte humbje e madhe për shqiptarët dhe Europën.
Hakmarrja e turqve ndaj shqiptarëve ka qenë biblike. Masakrat dhe largimet janë dëshmi e një barbarie të pashoq.
Por shqiptarët luftuan gjatë për lirinë. Do të ishin rilindasit e shquar që do ta ngrinin përsëri në dritë figurën e Skënderbeut. Do të ishte një stërnip i Gjergj Aranitit, që do ta shpëtonte Shqipërinë nga zhdukja. Ai ishte Ismail Bej Vlora, mik i Hoxha Tahsinit që më 1874 do ta nxirrte nga burgu i Delvinës për ta shpënë në Stamboll ku po përgatiste një alfabet shqip me shkronja latine. Ai ishte mik me Pashko Vasën, që siç thotë vetë “ u takova me bashkatdhetarin tim.. që tani ishte qeveritar i Libanit dhe e kalonte dimrin në Bejrut.” Ai ishte pinjoll i një prej familjeve më të famshme jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Perandorinë Osmane, nipi i kryeministrit Ferid Pashë Vlora, për të cilët konsujt e ndryshëm u shkruanin qeverive të tyre çdo lëvizje. Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Calzavara, në tetor të vitit 1878 shkruan relacione për qeveritë e tij duke thënë se Abdyl Bej Frashëri ndodhej në Vlorë dhe “se bisedoi me parësinë për një autonomi shqiptare dhe të gjithë e pranuan propozimin e tij.” Përsëri konsulli austro-hungarez mbas dy vjetësh më 15 maj 1880, në relacionin e tij Nr 24 shkruan se “Syrja Bej Vlora, Xhafer Bej Vlora dhe anëtarë të tjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i japin ndihma financiare të dërguarit të Ali Pashë Gucisë dhe e përcjellin atë me vaporin Llojd për në Shëngjin.”
Po të shohim me vëmendje gjithë relacionet e konsujve të ndryshëm europianë dhe atyre osmanë, te libri “Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh” do ta kuptojmë se kush ishte ky personalitet i madh. Konsulli Petroviç i Austro-Hungarisë në Vlorë, më 14 maj 1900, kur Ismail Qemali kishte braktisur Portën, i dërgon baronit Kaliçe, ndërmjet të tjerave këtë përshkrim: “Ismail beu është personaliteti më i nderuar dhe më popullor ndër shqiptarët që jetojnë sot. Të gjithë toskët që vijnë në Stamboll nga vilajeti i Manastirit dhe i Janinës, qoftë për të ndjekur atje ndonjë çështje pranë qeverisë, qoftë edhe si kurbetçinj, kanë gjetur tek Ismail beu mbrojtën e tyre të ngrohtë. Ky me të vërtetë ka bërë çmos për bashkatdhetarët e vet. Ai me këtë rast asnjëherë nuk është udhëhequr nga interesat materiale dhe me gjithë postet e tij të larta nuk ka pasuri. Thonë se është një burrë me një inteligjencë të rrallë dhe me shumë kurajë. Patriotët në personin e tij shohin shqiptarin më të shquar, shohin në të drejtuesin mendor dhe udhëheqësin e ardhshëm.”
Kur iku nga perandoria më 1900, ku për tetë vjet u end Evropës, mbajti lidhje edhe me kolonitë shqiptare për dërgimin e librave dhe mbledhjen e të hollave për armë dhe hodhi thirrjen drejtuar shqiptarëve: “O me shkolla e qytetërim, o pa shkolla e në errësirë… Është e pamundur që një popull të përmirësojë gjendjen e tij pa shkolla dhe pa arsim. Njeriu duhet të jetë fare i verbër që të mos ndjejë nevojën e shkollës kombëtare, duhet të jetë tradhtar që të dëshirojë lënien pas dore të arsimit në gjuhën shqipe. Ata që duan të rrojnë në errësirë e padituri, pa gjuhën dhe kombësinë e tyre, dëshirojnë t’i përgatisin Shqipërisë një vdekje të turpshme.”
Më 1908 nga amnistia e përgjithshme që bëri Sulltani, ai u fal dhe erdhi në Vlorë ku i madh dhe i vogël e priti që në mol si hero, madje e mbajtën në krahë që nga vapori Llojd e deri në karrocën e tij. Ismail Bej Vlora do të ishte nismëtar i Memorandumit të Gërçes dhe do të mundësonte armë për patriotët e veriut. Dhe pavarësia do të bëhej e koordinuar edhe me Isa Boletinin. Ajo do ta vinte Europën përpara faktit të kryer. Flamuri kuq e zi u ngrit në sarajet e familjes së Vlorajve, pikërisht të Xhemil Bej Vlorës ku ishin 47 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare. Ja se si e përshkruan Mit’hat Bej Frashëri, delegat në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912: “Ismail Qemali u zgjidh kryetar i kuvendit dhe mbajti një fjalim të shkurtër për gjendjen e luftës, për hallin e veçantë të Shqipërisë të rrezikuar nga mësymjet e fqinjëve dhe mbi nevojën e një vendimi kombëtar për të shpallur mëvehtësinë e Shqipërisë…Trokitje duarsh i prenë në mes fjalën që donte të thoshte kryetari dhe populli që ishte mbledhur në kopshtin e shtëpisë, kishte buçitur jashtë në rrugë, përsëri me duartrokitjet dhe thirrjet e gëzimit. Në atë kohë një Flamur Shqiptar po ngrihej mbi portën e kopshtit dhe rrëfente shqiponjën kombiare mbi qiellin e kuq të saj. Kjo orë historike ishte afër perëndimit të diellit; ishte një kohë e vrenjtur dhe një vesë e hollë po rigonte nga retë, një vesë bekimi si lot gëzimi. Turma e njerëzisë, për të festuar këto orë me flamur në dorë dhe me këngë bëri një qarkim në rrugët e qytetit, duke qëndruar përpara konsullatave të Austrisë dhe të Italisë, si një shenjë miqësie dhe falënderjeje për mirësinë dhe mbështetjen që shpallej nga të dy këto pushtete.”
Zëvendëskryeministër u zgjodh Dom Nikoll Kaçorri, ndërsa Ministër i Arsimit Luigj Gurakuqi. Dy katolikë të shquar për ti treguar mirënjohjen papatit për ndihmën e vyer dhe të pashprehur.
Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor nga fisnikët shqiptarë ishte kurorëzim i asaj date të caktuar, që fikson nisjen dhe mbylljen e nje cikli, për ti thënë Europës se ne jemi bijtë e saj dhe ecim me vlerat e saj. Jo më kot këto figura të shquara në historinë e kombit shqiptar, goditen dhe anatemohen deri në atë pikë ca guxohet tu fshihet fytyra kur vjen këtu pasardhësi i ndonjë pushtuesi.
Sipas dokumenteve të kohës edhe në vitin 1944 dhe 1945, 28 Nëntori është festuar si ditë çlirimi. Ka fotografi të misionit anglo amerikan që përgatitën zbukurimet. Në vitin 1946 kur Enver Hoxha ishte lidhur këmbë e kokë me jugosllavët, të cilët nuk e kishin dashur ekzistencën e shtetit shqiptar, bën masakrën më të madhe në histori si satrap dhe “odium fidei”, vrasjen e klerikëve katolikë dhe përdhosjen e figurave të ndritura si Gjergj Fishta e Dom Nikoll Kaçorri dhe ndërron dhe ditën e çlirimit për tu bërë qejfin perandorive që kishin dashur zhdukjen e popullit shqiptar vetëm për karriken e tij.
Për mua Lufta Antifashiste dhe gjaku i dëshmorëve janë histori e ndritur e popullit shqiptar që u lidh me forcat aleate dhe shpëtoi copëtimin e trojeve shqiptare. Distancimi i Enver Hoxhës nga 28 Nëntori është nder që i bën gjakut të dëshmorëve, të cilët luftuan për vlerat europiane ku përfshiheshin e drejta e fjalës, e pronës dhe e jetës. Ai do të distancohej nga ajo ditë që i përkiste Europës dhe fisnikërisë së saj. Po ashtu ai do të shkëpuste dhe lidhjet me Europën dhe do të përmbyste gjakun e dëshmorëve dhe ndihmën e aleatëve të mëdhenj.
Kur do të vijë nëntori i tretë?
Nëntori i tretë do të vijë për të gjitha trojet kur ne të kemi ndërgjegje europiane sepse në bazë të kësaj ndërgjegjeje ne kemi mbijetuar dje dhe kemi shkruar historinë tonë që na nderon të gjithëve.

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *