Home

Lajme

Rreth Flamurit …

No Comments Kulture

Si çdo vit, edhe kësaj radhe përfaqësia diplomatike e shtetit tonë në Milano, organizoi më 26 e 27 nëntor një serë veprimtari kushtuar përvjetorit të ngritjes së flamurit tonë në Vlorë. Është ndjeshmëria kombëtare ndaj kësaj ngjarjeje që shënoi kthesë të madhe historike, sepse flamuri që u ngrit më 28 nëntor 1912, pati bazë shtetin e brishtë shqiptar që u ngrit pas shekuj përpjekjesh epike mbijetese si komb.
Më 27 nëntor, organizatorët e veprimtarive festive i rezervuan katër orë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe Lidhjes së Mësuesve në Diasporë. Përgatitjet filluan më shumë se një muaj më parë. Për të realizuar më së miri veprimtarinë, aurorët tanë dërguan një kontigjent nga repertori i tyre krijues, kryesisht, libra, piktura si dhe disa elemente të etnografisë sonë të larmishme, të fiksuar në shekuj e të tashëguar deri në ditët tona. Këto ishin rigorozisht të ekspozuara me shije në sallën e eventit. Duke qenë përsëri në stuatë emergjence shëndetësore, kundër dëshirave të komunitetit tonë dhe organizatorëve të eventit, prania ishte e limituar, me qëllim që të zbatoheshin me korrektësi normat e vendosura nga autoritetet e shteti ku jetojmë. Edhe pse të pranishmit ishin ata që kishin konfirmuar pjesëmarrjen, numri ishte i konsiderueshëm, por gjithnjë konform protokollit e rregullave.
“Për atë që ke pasion, me çdo kusht, i gjen mjetet dhe mënyrat, për ta realizuar”, – më pati thënë një person italian që punon në zyrat e një komune. Ndaj nuk ishin asgjë gjashtëqind kilomentra distancë mes Pescara e Milano, për persona që dëshironin me çdo çmim të ishin prezentë mes miqve dhe pjesëmarrës në celebrimin e Ditës së Flamurit. Kështu, ishte Milano destinacioni e pikëtakimi i shumë aktivisëve, artistëve dhe mësuesve nga shumë zona të Italisë, që të bashkoheshim dhe të festonim pas dy viteve me pjesëmarrje direkte. Të pranishëm edhe Konsullja e Përgjithëshme, znj Anila Pojani, Konsulli Rezart Shkëmbi dhe Zyrtarja për Diasporën, av. Luljeta Çobanaj si dhe disa punonjës që punuan për logjistikën e mundësuan mbarëvajtjen e aktivitetit.
Aktivitetin e hapi me relatimin e saj, Dr. Lori Duka, sekretarja historike e Lidhjes e prezantuesja e talentuar, e cila gjithnjë e më tepër nxjerr në pah vlerat intelektuale e zotësitë komunikative. Ajo bëri një ekspoze të shkurtër të jetës së Lidhjes sonë. Përshëndeti Presidenti Skënder Lazaj, përgëzoi organizatorët si dhe bëri të njohur publikimin e poemës së tij më të re. Ky prezantim i ilustrua me recitimin me shumë pasion e pathos i disa vargjeve nga znj. Arjeta Pervizi. Pasion e pathos ndjesish që u pasua nga prezantimet e oratorëve që morën fjalën më pas. Pati edhe një lajm tepër të gëzueshëm për Lidhjen tonë, pasi u prezantua Antologjia Poetike e cila lindi dhe u realizua gjatë këtij viti. Botimi u mundësua nga angazhimi direkt i av. Luljeta Çobanaj dhe gatishmëria e Qendrës së Botimeve për Diasporën. Për ecurinë e këtij realizimi dhe vlerat pozitive që transmeton bashkëpunimi mes kolegësh, foli në emër të Grupit të Përkohshëm redaktorja dhe njëkohësisht, pjesëmarrësja si autore në Antologji, prof. Fabiola Sali. Pasuan me fjalën e tyre poetët dhe shkrimtarët Tonin Nikolli, Lumo Kolleshi (që kishte ardhur enkas nga Shqipëria), Mimoza Leskaj, Fatmir Gjata, Vangjelia Verori, Valbona Jakova, Robert Shkurti dhe przantimi i një autori të ri, Eltjon Bida. Në fjalën e tyre shprehën konsiderata për flamurin tonë, për vlerat e vendlindjes, rolin e artistëve në shoqëri, për probleme shoqërore, ku i më i cilësuari ishte ndjeshmëria ndaj emancipimit të shoqërisë e lufta kundër dhunës ndaj femrës. Efekt pati edhe sjellja e një palë këpucësh me ngjyrë të kuqe si simbol i paprekshmërisë së femrës, i sjellë nga Pesaro prej çiftit Vangjelia e Kastriot Verori. Me shumë kërshëri u pritën recitimet e poezive të tyre me tematika të ndryshme.
Thuajse të gjithë personat që morën fjalën, theksuan edhe rëndësinë e madhe të lëvrimit të gjuhës sonë si në veprat e tyre, si në mësimin e saj brezave që lindin jashtë trojeve shqiptare. Dhe për këtë argument, kishte menduar më së miri personali i Konsullatës. Me ftesën e tyre, ishte prezente Presidentja e Lidhjes së Mësuesve në Diasporë, plurilaureata Ariana Kosova. Kishte lajmëruar mësuesit më parë për të marrë pjesë eventin e djeshëm, ndaj kishte të pranishëm në auditor prej atyre që është angazhuar në mësimedhënie në shkollat e kurset e gjuhës sonë në disa treva të Italisë. U krijua një panel me disa mësues. Në fjalën e saj Presidentja theksoi rëndësinë që ka mësimi i gjuhës dhe mbajtja gjallë e saj në komunitetin tonë tek brezi i tretë i lindur në emigracion. Foli edhe për rolin tepër pozitiv të mësuesve të angazhuar dhe tha që, falë këtij angazhimi, numri i shkollave ka mbërritur në 85. Shifër kjo në rritje e deri diku, entuziazmante. Megjithatë, kjo assesi i përmbush ambiciet tona, ndaj ngelet për detyrë të shtojmë forcat, të bashkërendojmë më shumë punën si me autoritetet e shteteve, si me organizimet shoqërore, si me komunitetin në vendet ku jetojmë. Nxitja e interesit tek prindërit është problem tepër i mprehtë. Ndërgjegjësimi i tyre do të vijë përmes punës sonë direkte, përmes angazhimeve të enteve shtetërore e përfaqësive diplomatike, Qendrës së Botimeve për Diasporën. Fakti që këto shkolla për fëmijët është garantuar shpërndarja gratis e teksteve shkollore e plotësuese, fakti që angazhimet e fuqisë mësimdhenëse janë krjetësisht mbi baza vullnetare dhe sigurimi i ambienteve shkollore është falas për ta, duhet vlerësuar më drejt nga prindët e rinj. Ndoshta, në moshë të madhe, do të pendohen që nuk shfrytëzuan rastin, për të mësuar gjuhën tonë. Tepër prekëse fjalët e mësuesve për angazhimet dhe për ambiciet, për t’ia mësuar gjuhën tonë, ndoshta, jo gjithë fëmijëve, por, së paku, shumicës. Në fund të takimit, u shpërndanë disa komplete tekstesh mësimore që kishin mbërritur në Milano.
Me siguri, nuk kam mundësi të di axhendën e detyrimeve e punëve që ka përfaqësia jonë diplomatike. Aq më pak, të marr hiret e zëdhënësit të saj. Por ajo që them me siguri, është fakti që komuniteti ynë e ndien shumë më afër përkujdesjen. Gjatë vitit të fundit av. Çobanaj ka hyrë në kontakt thuajse me të gjitha organizimet shoqërore, për të shprehur prezencën, për t’i dëgjuar e për t’u dhënë, sa është e mundur, përkrahjen e mbështetjen. Po ashtu, edhe për shkollat shqipe. Duke qenë anëtar si në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si në Lidhjen e Mësuesve, ndiej dyfish detyrën të shpreh atë që përjetuam në takimin e djeshëm. Ne kemi zhvilluar shumë aktivitete e me pjesëmarrje të madhe gjatë viteve të kaluara. Porse eventi i djeshëm ka të veçantë se të dy Lidhjet ishin të ftuar specialë në organizimin e tyre për të kujtuar ngjarjen madhore historike. Kjo është shprehje doze të bëshme mirënjohjeje dhe konsiderate për organizimet tona, për veprimtarinë e vlefshme, për vullnetin e mirë dhe synimet gjithnjë e më shumë për cilësinë. Dhe shprehja më e mirë e cilësisë, është prezenca sopranos famoze e dy këngët që interpretoi për kënaqësinë e të pranishmëve, siç di ajo, Anila Gjermeni. Në atmosferën e kësaj mirënjohjeje, përshëndeti Konsullja e Përgjithshme, znj. Anila Pojani, e cila përgëzoi e stimuloi artistët e mësuesit.
Veprimtaria u mbyll me këmbime librash mes kolegëve, me foto të rastit, me një rinfresko, ndërsa në sallë karriget u zëvendësuan me një ekspozitë të filatelisë shqiptare me elelemte nga entografia e shumë zonave të shqipërisë.

Burimi/ LSHASHI – LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE SHQIPTARE NE ITALI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *