Home

Lajme

Tre përfundime të Historikut të Dukatit të vitit 1984 për Luftën e Dukatit

No Comments Argëtim Histori

Për ata që duan sot e kësaj dite të përçajnë dukatasit, Dukatin me Tërbaçin, unë mbi luftën e Dukatit kam një shkrim të babait tim, të cilin ai e ka botuar para 10 vjetëve në gazetën “Dukati”.
Tre përfundime të Historikut të Dukatit të vitit 1984 për Luftën e Dukatit
Nga Xhelo Petoshati
Të paktën që nga viti 2000 e këtej, në disa organe shtypi, duke përfshirë edhe gazetën “Dukati”, disa autorë, pjesëmarrës ose jo në Luftën Nacionalçlirimtare, kanë shfaqur mendimet dhe pikëpamjet e tyre për Luftën e Dukatit. Është fjala për sulmin partizan që u bë kundër Dukatit, më datën 30 nëntor duke u gdhirë një dhjetori i vitit 1943. Për këtë ngjarje, janë shkruar dhe disa libra, përmbajtja e të cilave kundërshton njëra-tjetrën, sepse disa autorë këtë luftë e quajnë të drejtë, disa të tjerë të padrejtë. Natyrisht, këto kundërshtime në vetvete, nuk kanë ndonjë gjë të keqe, sepse kërkohet që të dalë e vërteta e kësaj çështjeje. Por për të arritur te kjo e vërtetë duhet të hiqet dorë nga politizimi i problemeve. Kjo për faktin, se historia duhet të jetë e paanshme nga politika, por kjo ka qenë e vështirë që të arrihet, sepse në tërë historinë e njerëzimit, ai që ka qenë në pushtet, është përpjekur që ta shkruajë atë sipas oreksit dhe prirjeve të veta. Më tepër kjo ka ndodhur në vendin tonë, ku para viteve 1990, për 50 vjet me radhë, ka mbizotëruar dhe udhëhequr partia shtet. Por edhe sot, ka akoma njerëz që nuk kanë arritur të kuptojnë se një nga parimet më të spikatura që krijoi demokracia, është pikërisht mënjanimi i bazës ideologjike dhe vendosja e këtij sistemi në përputhje të plotë me dialektikën e zhvillimit dhe të progresit që po bën shoqëria jonë gjatë këtyre 21 vjetëve. Mirëpo me gjithë arritjet, përsëri këto kohët e fundit, kam parë e lexuar disa shkrime, që nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i teorisë së luftës së klasave, e cila ka qenë një fenomen që tashmë i ka kaluar koha. Nuk është aspak logjike, madje është e pamoralshme që njerëzit, mirë për së gjalli, por edhe mbasi janë ndarë nga jeta, t’i ndajmë nëpër shkrime nga njëri-tjetri për shkaqe të bindjeve të tyre politike, për të cilat secili nga këta kundërshtarë të atij regjimi ka pësuar dhe ndjerë në kurriz përndjekjet më të egra, jo vetëm për vete, por edhe për njerëzit e tij më të afërt. Në këtë kuptim, nuk duhet hedhur baltë mbi njëri-tjetrin me një fjalor arrogant e mjaft banal nga njerëz që humbasin vlerat e etikës.
Tani le të futemi në temën e Luftës së Dukatit, për të cilën është spekuluar dhe po spekulohet shumë, si nga ata që e dinë të vërtetën e kësaj lufte, ashtu dhe nga të tjerë që nuk kanë hedhur asnjë pushkë apo nuk kanë haber fare se çfarë është bërë në atë kohë. Që të dy palët janë jashtë loje. Në një artikull të kohëve të fundit, të gazetës javore “Kushtrim Brezash” nga një autor për këtë luftë, midis të tjerave shkruhej: “Dijeni, se edhe atëherë janë bërë analiza për atë luftë, janë bërë edhe vërejtje, por kurrë për drejtësinë e saj, veçse për organizimin dhe zhvillimin e betejës.” Mirëpo ky konkluzion, është në kundërshtim flagrant me historikun origjinal të fshatit, i cili është diskutuar dhe miratuar nga të gjitha organet shtetërore dhe partiake të asaj kohe. Janë të njohura mbledhjet që janë bërë nga ana e komisionit dhe miratimi i tij përfundimtar më datën 24 prill të vitit 1984. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë të gjithë komunistët e Dukat Fshatit dhe Dukat Fushës, ku është mbajtur një procesverbal ku janë hequr dhe shtuar çështje të ndryshme në materialin e këtij historiku. Pavarësisht, se ky komision ka qenë tërësisht i politizuar dhe i njëanshëm, në disa çështje të kësaj lufte, i ka vënë mirë pikat mbi i. Veçanërisht, në faqen 168, janë nxjerrë tre përfundime të rëndësishme, të cilat nuk mund të anashkalohen nga askush. Po i citoj fjalë për fjalë, të tre përfundimet sipas Historikut të Dukatit të vitit 1984, për Luftën e Dukatit
Përfundimi i parë: “Lufta mbi fshatin Dukat e nxitur dhe udhëhequr nga armiku i partisë dhe i popullit Mehmet Shehu, nuk dha asnjë rezultat të mirë. Vetëm se e dëmtoi punën e partisë dhe zgjerimin e lëvizjes Nacionalçlirimtare në Dukat dhe në krahinë.” Natyrisht, kaq mund të thoshin ata në atë kohë, sepse dihet që Mehmet Shehu nuk ishte i vetëm, apo protagonisti kryesor i asaj lufte, por ai ishte Hysni Kapo. Në një letër që ndodhet në arkivin e shtetit Dosja Nr.18, faqe 177, data 30 nëntor viti 1943, e cila është hartuar nga serbi Dushan Mugosha, dhe i drejtohet Mehmet Shehut, ku ky i fundit kritikohet se nuk ka organizuar dhe koordinuar mirë punët me Besnikun (Hysni Kapon) për zbatimin e shpejtë të këtij plani, e urdhëron atë, shprehimisht: “Duhet të mendohet për një sulm duke koordinue luftën me Besnikun, si dhe me forca të tjera të brigadës, tue përdorë zjarrin më të tmerrshëm dhe duke qenë të pamëshirshëm…Shiko se sa forca të duhen për me shkelë Dukatin dhe kërkoi menjëherë.” Ishte pikërisht zbatimi i këtij urdhri që u ndërmor ky sulm ogurzi mbi fshatin Dukat. Emisarët serbë, të cilët kryenin rolin e këshilltarëve si Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi, kërkonin me çdo kusht që Dukati të bëhej shembull kasaphane për interesat e tyre armiqësore ndaj popullit tonë. Prandaj nuk mund të thuhet se në atë sulm kishte mungesë organizimi, përkundrazi ishte bërë një plan luftimi me të gjitha hollësitë e tij, nga këta organizatorë. Në këtë sulm, merrnin pjesë forcat e Brigadës së Parë dhe të Pestë Sulmuese, dy nga formacionet luftarake më të kompletuara dhe më të afta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në ndihmë të këtyre brigadave kishin ardhur gjithashtu edhe forca territoriale nga fshatrat kufitare me Dukatin. Dukati nuk sulmoi askënd, përkundrazi u sulmua në mënyrë të befasishme në mes të natës, kur në atë kohë nga ky fshat ishin dhe tridhjetë familje që njerëzit e tyre i kishin të rreshtuar në forcat partizane dhe të tjerë simpatizantë priteshin të dilnin dhe të bëheshin pjesë e këtyre forcave. Por ky sulm i padrejtë, e ngadalësoi këtë proces duke vënë pikëpyetje për ndershmërinë e këtyre drejtuesve të njësive partizane në sytë e popullit të Dukatit dhe jo vetëm.
Po si mund të justifikohet ky sulm luftarak mbi një fshat të tërë, pa marrë parasysh se aty jetonin gra, pleq e fëmijë të pafajshëm?! Kjo ishte një kapriço e sëmurë, një kokëfortësi e atyre që komandonin këto njësi luftarake që nxiteshin dhe urdhëroheshin nga serbi Dushan Mugosha si përfaqësues i një shteti me pikëpamje shoviniste që më se një shekull nga ajo luftë po bënte plane të tipit Naçertanie, që Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ilia Garashanin-i (1812-1874) figurë kryesore e regjimit konstitucional, si strumbullar i pikëpamjeve të zgjerimit të Serbisë, këtë pikëpamje të tij e paraqiti në mënyrë të sistematizuar në dokumentin sekret të cilin e quajti Naçertanie (1844) që do të thotë Projekt, d.m.th. Plan. Edhe sulmi mbi Dukat ishte pjesë e këtij plani për zhdukjen e shqiptarëve dhe vendosjen e shtetit të tyre nën vasalitetin serb. Gjiri i Dukatit duhej të ishte nën vasalitetin e tyre.
Po si mund të justifikonin veten baballarët tanë që kishin dalë në luftë për të përzënë armikun që kishte pushtuar atdheun dhe jo për të goditur e vrarë fëmijët, nënat, gratë dhe vëllezërit e tyre?! Kjo ishte e papranueshme dhe jashtë çdo logjike njerëzore.
Të gjithë moshatarët e mi të asaj kohe, nga tetë deri në dhjetë vjeç, e kujtojnë shumë mirë atë sulm të tmerrshëm se si na vërshëllenin plumbat në rrëzë të veshit kur dilnim dhe hynim nëpër shtëpitë tona në lagjen Thilpat, ku ishte drejtuar i gjithë ai sulm me mortaja? Për t’u ruajtur nga këta plumba e predha artilerie që vinin si breshër, nja dy tre familje duke përfshirë dhe familjen tonë, ishim strehuar te shtëpia e xha Xhafer Ali Tahirit, e cila ishte më e mbrojtur për shkak të pozicionit të saj. Por nuk ishte e thënë që edhe këtu mund të shpëtonim nga rreziku i goditjes. Madje, ne fëmijët, duke luajtur në oborrin e shtëpisë kemi shpëtuar për mrekulli pa u bërë fërtele nga një predhë mortaje 60 mm, e cila vinte nga Hunda e Golashit, duke rënë para nesh, që për fatin tonë të mirë nuk shpërtheu. Ndërsa tani, disa nga këta që e kanë përjetuar atë ndodhi, dalin e na thonë nëpërmjet shkrimeve të tyre se ajo ishte një luftë e drejtë, kur në fakt ishte një sulm i padrejtë, apo ishte për bisedime. Po ku bëheshin bisedimet në mes të natës, kur dihet që ato bëhen me marrëveshje e përfaqësues.
Përfundimi i dytë: “Në botimin e librit të parë dhe të dytë të Brigadës së Parë Sulmuese në drejtim të Luftës së Dukatit, nuk është shkruar realisht, sepse aty jepen gjëra të paqena, se në fshat ishin 400 gjermanë, etj, që nuk kanë asnjë të vërtetë me realitetin.” Mirëpo, numri prej 400 forcave gjermane do t’i shërbente komandës së forcave partizane për të justifikuar jo vetëm sulmin që do të ndërmerrnin mbi fshatin Dukat, por edhe për humbjet që pësuan prej 17 partizanësh dhe shumë të tjerë të plagosur. Dhe këto humbje i pësuan nga qëndresa e patundur dhe heroike e 15 dukatasve, sepse shumica e burrave të fshatit ishin në punë të tyre, me bagëti, me bujqësi dhe me punë të ndryshme. Nga ky sulm u vranë tetë dukatas dhe u plagosën tetë të tjerë, midis këtyre të fundit katër prej tyre ishin gra. Versioni i ndodhjes së forcave gjermane në Dukat bie poshtë edhe nga fakti se në fshat nuk u gjend asnjë trup gjermani i vrarë apo i kapur rob nga forcat partizane. Nga ana tjetër, forcat partizane kishin marrë masa të forta organizative dhe ushtarake duke vendosur trupat e tyre për të bllokuar të gjitha shtigjet dhe rrugët nga mund të priteshin ardhjet e forcave gjermane “në ndihmë” të Dukatit. Kështu, një batalion i Brigadës së Pestë Sulmuese i komanduar nga Abaz Shehu kishte zënë pozicione luftimi që nga konakët e Hysen Kushtës, buzave të Gjoleket e duke dalë në brinjë mbi konakët e Velo Çelos. Qëllimi i vendosjes së këtyre forcave në fushë, ishte që të parandalonte ardhjen e trupave gjermane nga Vlora. Po kështu, një pjesë e forcave partizane ishin vendosur në Hundën e Moçalit, në pritje të ardhjes së gjermanëve nga drejtimi i Llogorait. Pra, të gjitha hamendjet për ndodhjen e forcave gjermane në Dukat, bien poshtë. Këto forca erdhën në fshat në orën katër pasdite të datës një dhjetor të vitit 1943, kur forcat partizane ishin tërhequr nga Dukati, mbas 14 orëve luftimi.
Përfundimi i tretë: “…Mehmet Shehu me sulmin mbi Dukat dhe vrasjen e dy Derojve (është fjala për vëllezërit Bino e Selim Binoj –Xh.P.) u bëri një shërbim të madh Ballit Kombëtar dhe reaksionit, të sabotonin lëvizjen Nacionalçlirimtare në fshatin tonë duke u dhënë armë atyre të përçanin popullin.”
Pushkatimi në Kula, i këtyre dy vëllezërve të pafajshëm dhe të paarmatosur, duke i marrë nga shtëpia e tyre në Sotiran, ishte një krim i shëmtuar i asaj lufte. Ata që sot e kryejnë këtë lloj krimi përgjigjen para Gjykatës së Hagës duke marrë dënimin e merituar kushdo qofshin.
Një nga vlerat e spikatura të Dukatit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ishte dashuria, harmonia, respekti dhe kompaktësia midis të gjitha familjeve dukatase, pavarësisht përkatësive politike të krijuara midis tyre në atë kohë. Në çdo rast (tre – katër të tilla) kur forcat gjermane janë futur në fshat për ndonjë sulm, arrestime, apo bastisje, të gjitha familjet së bashku, pa asnjë dallim, jemi shpërngulur dhe strehuar nëpër shpellat e Kozërës e gjetkë. Po ashtu, nuk pati asnjë denoncim nga asnjë dukatas që i përkiste Ballit për familjet tona partizane te forcat gjermane, të cilat mund të na kishin djegur shtëpitë, mund të na vrisnin apo çonin në internime siç ka ndodhur në shumë raste në fshatra apo qytete të tjera të Shqipërisë e më gjerë. Kjo është e vërteta historike dhe kjo nuk duhet mohuar nga askush.
Në fakt, sulmi mbi Dukat siç dihet, i nxehu mjaft gjakrat e njerëzve në fshat, veçanërisht të disa të rinjve kokëkrisur, që kërkonin të hakmerreshin ndaj familjeve të pafajshme partizane, por mençuria e burrave më të moshuar, të drejtuesve kryesorë të çetës nacionaliste që gëzonin respekt dhe autoritet në popull, por edhe për shkak të lidhjeve familjare dhe miqësore me njëri-tjetrin, e qetësuan situatën për një kohë mjaft të shkurtër. Natyrisht, është e vërtetë se për shkak të kësaj situate nga ana e udhëheqjes së çetës nacionaliste u bënë edhe disa izolime të përkohshme të familjeve partizane, apo edhe ndonjë gjyq, por që vendimet që u morën mbetën formale pasi nuk u zbatuan asnjëherë dhe shërbyen për t’i hedhur ujë zjarrit të hakmarrjes derisa u shua plotësisht.
Është e lehtë, apo një fjalë goje, të thuash edhe sot e kësaj dite që lufta kundër Dukatit, ishte një luftë e drejtë dhe padrejtësinë t’ia hedhësh popullit të Dukatit, për shkak të asnjanësisë që mbajti ai atë kohë për mbrojtjen e fshatit dhe pronës nga djegia dhe shkatërrimi, por e vërteta edhe pse e hidhur duhet thënë qoftë dhe kundër zotit. Gjithashtu Dukati nuk mund të ishte pro gjermanëve sepse është i njohur fakti që Dukati më 11 shtator të vitit 1943 ishte i pari fshat në Shqipëri që i priti autoblindat gjermane me grykën e pushkës në afërsi të Përroit të Shkallës. Prandaj forcat gjermane, këtë goditje e mbanin vëth në vesh dhe prisnin rastin më të parë për të gjetur ndonjë shkak për t’u hakmarrë kundër tij. Përveç kësaj, Dukati ishte nën mbikëqyrje të rreptë të forcave gjermane për shkak të lidhjeve që ai mbante me misionet anglo-amerikane, të vendosura në Gjongjilekë, apo në Gjirin e Gramës. Kështu që Dukati ishte nën trysninë e trefishtë: partizanëve, gjermanëve dhe aleatëve anglo-amerikanë. Këta të fundit, i trembeshin ndonjë denoncimi që mund t’u bëhej prej dukatasve te forcat gjermane, gjë që nuk ndodhi kurrë.
Që Lufta e Dukatit ishte e padrejtë, kjo nuk kërkon shumë mend nga askush, sepse kjo padrejtësi qëndron në faktin se ajo u bë pa asnjë shkak të qenësishëm, veçse për arsye shoviniste të emisarëve serbë duke vrarë njerëz të pafajshëm nga të dy palët ndërluftuese. Jo më kot rapsodi popullor e cilësoi atë luftë qysh atëherë si “një taksirat që të vjen tjetri e të gjen në prag.”
Në përfundim të këtij shkrimi, ju bëj me dije se në faqen 325 të Historikut të Dukatit të vitit 1984, në një nga pikat kryesore të tij, thuhet se: “Shënime të tjera që bien në kundërshtim me këtë material, nuk duhet të merren parasysh.” Atëherë, mua më lind e drejta të pyes këta historianë që këmbëngulin dhe bëjnë deklarime në shtyp në kundërshtim me ato që janë vendosur në atë kohë, përderisa nuk është bërë ndonjë material tjetër historik mbi këtë çështje nga ndonjë komision i ri pluralist, ku e gjejnë këta të drejtën të bëjnë këto deklarime e zezë mbi të bardhë mbi fshatin tonë!?
E bëra këtë shkrim i detyruar nga ndërgjegjja ime, edhe pse kisha vendosur prej kohësh që të mos i rikthehesha asaj ngjarjeje që më ka tronditur fëmijërinë time dhe nuk më është shlyer sot e kësaj dite nga kujtesa. Por duke parë se po abuzohet, nuk mund të rri pa thënë të vërtetën, e cila na bën të lirë dhe vendos paqe në shpirtrat tanë të trazuar.
Ne këto foto janë dëshmitarë okularë të asaj lufte Xhelo Petoshati e Xhemil Vangjeli, së bashku me korrierin e forcave aleate Bilbil Vangjeli. Majori Anthony Quayle, Kapiteni Sterling Hayden dhe në shpellën e Karaburunit “Syri i detit” Nik Kukiç, Dejl Mekadu, Hodo Meto dhe gjenerali italian Adolfo Infante

Mund të jetë një imazh i 2 persona, ambiente të jashtme dhe teksti që thotë ""S'JAM FASHIST PO DUKAT TERBA TAKSIRAT GJEN LAVDI TE RENEVE NE LUFTEN E DUKATIT 30-11-1943 BEQIR ELMAZI BIMO DERO MUSA ALICKA MURAT BODO MUHAREM BEQIRI SALO MEHILLI SELIM DERO SHYQYRI NEZHA SULEJMAN PILLA KY QE PRAG'"
Mund të jetë një imazh i 4 persona dhe njerëz të ulur
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Burimi/Facebook/Laureta Petroshati

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *