Home

Lajme

Laureta Petoshati – Modernizmi dhe mesjeta nuk shkojnë bashkë

No Comments Lajme Opinion

Nga Laureta Petoshati
(Për sulmin revolucionar kundër Donald Veshaj)
Nga tragjeditë e Mesjetës më kanë mbetur në mendje dy: E para, “Otello”, e shkruar nga Uilliam Shekspiri, shkrimtari më i mirë të të gjitha kohërave. Dihet se Otelloja një arap i Mauritanisë dhe gjeneral i Republikës së Venedikut ra në dashuri me Desdemonën, të bijën e Brabant, i cili ishte senator i kësaj Republike. Otello rrëmben Desdemonën dhe martohet fshehurazi. Por Jagoja, një nënoficer i Otellos, i shtie atij në mendje idenë se Desdemona e tradhëton me një oficer të quajtur Kasi. Këtë gjë Otello e beson, ndaj shkon dhe e mbyt në shtrat Desdemonën. Por kur merr vesh që e shoqja qe fare e pafajshme vret dhe veten.
Ndërsa tragjedia tjetër, që ka ndodhur me të vërtetë është ajo e Kontit të Durrësit, Tanush Topia, që rrëmbeu Helenën, vajzën e Robert Anzhu I. Helena po vinte nga Italia drejt Durrësit me një anije me vela sepse do të martohej, sipas një kontrate politike, me një fisnik, që ishte princ i ishujve të Moresë. Por rrugës, anija, me të cilën ajo po udhëtonte, hasi me një stuhi dhe u ndal në Durrës. Tanushi e pa Helenën për herë të parë në kështjellën e Durrësit, ku ajo do të kalonte vetëm një mbrëmje dhe pastaj do të nisej brigjeve të Greqisë, ku e priste i fejuari i saj. Tanush Topia sa e pa Helenën u dashurua marrëzisht me të. Por edhe Helena u dashurua me shikim të parë me princin e pashëm shqiptar dhe nuk pranoi të vazhdonte udhëtimin e nisur drejt Greqisë. Ata u martuan dhe u lindën dy djem. Mbreti Robert i Napolit u zemërua nga prishja e planit të martesës, por nuk e dha veten. Më vonë ai e ftoi bijën e tij dhe Andrean në Napoli, dhe i vrau të dy.
I përmenda këto dy tragjedi të Mesjetës, si paralelizma të asaj që po ndodh në rrjetet sociale dhe në mediat tonë për jetën e vlonjatit të futur në Big Brother Vip Donald Veshaj. Edhe nëse nuk ka shpata e gjak, përsëri ka sulm, denigrim dhe fyerje të përsonalitetit. U gjykua Donaldi për Bora Zemanin sikur ata të dy kishin qenë në altar dhe kishin bërë betimin “Derisa vdekja të na ndajë.” Siç u pa në muajin e parë të BBV, kur Donaldi bënte muhabet me Semin, ai kishte pasur grindje të vazhdueshme me Borën, xhelozira, marrëdhënie jo të qetë, aq sa kishte marrë plaçkat dhe kishte ikur nga shtëpia ku jetonin bashkë. Por Donaldi mezi e kishte kaluar këtë periudhë stresi për ta harruar Borën. Mjaftoi një shkëndijë kur ajo shkoi për të takuar Semin dhe kjo u pa në puthjen e famshme të 22 Tetorit. Nuk u tha asnjë premtim, asgjë, veçse ca shkëndija dashurie që po bënin shumë vajza të fantazonin e shumë djem të kthenin kokën nga ish të dashurat. Kur një njeri kalon një stres të madh, mund t’i mjegullohet gjykimi. Ashtu iu mjegullua Donaldit ndërsa kishte një muaj brenda BBV derisa Semi i rizgjoi kujtimet dhe Donaldi nuk harroi që të jepte varësen mbi trevjetorin e njohjes. Por zoti thuhet në librat e shenjtë, gjithmonë është një hap para nesh. Mendoni që në atë punë që bën Bora, ku shkojnë e vijnë djem e vajza që duan të përputhen, do të ishte e qetë jetesa e saj me Donaldin, një tip impulsiv që tipin e femrës e shikon te nëna e tij e përkushtuar ndaj familjes deri në vetëmohim?! A do të hiqte dorë Bora nga Përputhen ku u përfol me Atdheun, që xhelozoi Donaldin?! Nuk e besoj. As ajo nuk kishte besim te Donaldi, kur u mburr dhe thoshte të kishit dhe ju një shoqe si Semi. Por aty ku mungon besimi mungon dhe dashuria, prandaj aty marrëdhënia shkërmoqet. “Dashuria supozohet të bazohet në besim, dhe besimi në dashuri, është diçka e rrallë dhe e bukur kur njerëzit mund t’i besojnë njëri-tjetrit pa pasur frikë se çfarë do të mendojnë të tjerët,”- thotë shkrimtarja psikologe Elizabeth Ann Bucchianeri. Pra mungesa e besimit shkatërroi një marrëdhënie midis Borës dhe Donaldit. Kështu që më e mira për të evituar diçka më vonë si Desdemona e Otello, ishte largimi i tij. Prandaj thashë që zoti i rregullon ca punë me dorë. Dërgon Beatrix dhe këtu ndryshon plani i perandorëve të medias dhe hierarkëve të tij bashkë me publikun. Ndodhi ajo që i ndodhi Tanush Topisë dhe Helenës. Sepse në Fjalët e Urta 19:21, në Bibël thuhet se “Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.”
Tani le të kthehemi te puthja e Donaldit dhe Borës. Pse u dhemb një puthje? Pse paskemi një mendim kontradiktor për puthjen? Sa vajza janë zhgënjyer dhe e kanë përjetuar keq qoftë dhe një puthje në “Përputhen”, “Love Story”, apo të tjera programe televizive? Mos vallë, ato i ka bërë lopa, meqë nuk i njeh njeri, ndërsa Borën, që është vajzë ekrani e ka bërë nëna?! Mendoj se këtyre inxhinierëve të këtyre burgjeve mendore për rininë, ku përfshihet dhe Bora u ndodh ajo që i ndodhi inxhinierit që ndërtoi burgun e famshëm në ishullin Italian të Shën Stefanit, por përfundoi vetë brenda. Ndaj mendoj se sulmi ndaj Beatrix, që për fat të mirë ka një emër latin që do të thotë “ajo që sjell lumturi, e bekuar” se i mori gjoja burrin tjetrës është një sofizëm, si ajo shprehja “njeriu nuk i ka humbur brinjët, njeriu ka brirë.” Pse nuk flisni për mirësinë e saj, sjelljen e saj, urtësinë e saj. Po për Donaldin pse nuk flisni për patriotizmin e tij, për talentin e tij, për shumën e lekëve që nxori nga piktura për fëmijët autikë? Ka gjëra më të mira për të folur për ta. Për dashurinë e tyre: të një vlonjati dhe të një kosovareje, që thyen kufijtë, që na i kanë vendosur padrejtësisht. Ajo, siç tha Ilir Shaqiri është një histori dashurie. Kush jemi ne që do të vendosim mbi dashurinë?! Kush jemi ne që do marrim nisma revolucionare si ti heqim nga instagrami apo të fillojmë fushata si në kohën e Mesjetës apo të qoftëlargut? Mesjeta dhe modernizmi nuk qëndrojnë bashkë: o njëra, o tjetra.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *