Home

Lajme

Akil Kraja – ANALIZE : Zgjidhja përballë humbjeve të (pa)evitueshme të Lulzim Bashës.

No Comments Lajme Opinion

Përtej narratives së aktorëve të përfshirë, ndarja mes 11 dhe 18 dhjetorit brenda PD-së duhet analizuar mbi të gjitha në optikën e impaktit elektoral të pritshëm. Cila datë e çon PD-në drejt fitores? Këtu na ndihmon teza kryesore e kampit pro 18 dhjetor. Sipas tyre një PD e mbështetur nga ndërkombëtarët, dhe pse e përçarë, ka shanse reale të rikthehet në pushtet. Por a është kjo tezë e vërtetë?
Diku nga mesi i vitit 2022, Shqipëria do të ketë zgjedhje vendore për shkak të humbjes së mandatit të konfirmuar nga gjashtë kryetarë socialistë. Një sukses jo i vogël i ligjit të dekriminalizimit. Përballë një partie që kandidon kriminelë, fitorja e opozitës duhet të jetë më e lehtë. Por numrat dhe situata në terren japin një panoramë tjetër. Ndalemi fillimisht tek dy bashkitë kryesore, ato të Durrësit dhe Shkodrës.
Gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021, PS morri 50% të votave të Bashkisë Durrës. Inaugurimi së fundmi i qindra banesave të reja post-tërmet do të përdoren me gjasa për të siguruar të njëjtin rezultat dhe gjatë zgjedhjeve vendore të ardhshme. Edhe sikur opozita të bashkohej rreth një kandidati të vetëm, rezultati nuk duket optimist me një PD që ka mbledhur 42% dhe një LSI me 6%. Ndërkohë, rikujtojmë se kryetari i degës PD Durrës ka dhënë së fundmi dorëheqjen; tre nga gjashtë deputetët e listës PD Durrës, Paloka, Bylykbashi dhe Duka, kanë shprehur rezerva të forta ndaj lidershipit aktual të Bashës; dhe se 75% e Kryesisë së degës kanë firmosur në mbështetje të 11 dhjetorit, pa harruar dhe figura lokale me peshë si Gazmend Oketa. Përçarja në nivel lokal kombinuar me peshën numerike, bën që Durrësi të duket një histori e mbyllur në favor të PS-së.
Optimizmi opozitar duhet gjetur tek numrat e bashkisë Shkodër. Më 25 prill PD ka marrë e vetme në këtë bashki 45% të rezultatit zgjedhor. Kjo i siguron me gjasa PD-së Kryetarin e Bashkisë së ardhshëm. Por dhe këtu situata është e nuancuar. Pikësëpari në terma kandidatësh. Voltana Ademi ka dalur kundra vendimit të Lulzim Bashës duke mos e djegur ‘mandatin’ e saj lokal. A do të jetë ajo sërisht kandidate? Nga ana tjetër, 70% e kryesisë së PD-së Shkodër mbështesin 11 dhjetorin. Dhe sikur këto të mos mjaftonin, PS dhe PSD së bashku kanë marrë 39% të votave. Nëse shtojmë dhe LSI-në me 12%, LN 2% dhe Bindjen me 1%, shumica e Këshillit Bashkiak Shkodër nuk është e garantuar nëse opozita nuk ka konsensus rreth një kandidati unik. Një kryetar që nuk ka mbështetjen e këshillit do të thotë një Bashki e paralizuar. A do të ishte kjo realisht një fitore për PD-në?
Situata për opozitën në bashkitë e tjera është dhe më e zymtë. Duke qënë se harta elektorale e 25 prillit i përkon asaj të zgjedhjeve vendore të ardhshme, rezultati i fundit është një indikator i fortë për atë çka mund të ndodhë. Kështu, më 25 prill 2021 PS ka marrë e vetme në bashkitë Lushnjë dhe Vorë nga 54% respektivisht, dhe në Rrogozhinë 51%. Ndërkohë në Dibër, PD më 25 prill ka marrë 49%, PS 41% dhe LSI 8%. A do ta rifitojë PD Dibrën nisur nga ky rezultat inkurajues? Vështirë të thuhet. Kjo pasi kryetari dalës i Bashkisë Dibër ishte i PS-së dhe se dosja famëkeqe 184 e një manipulimi zgjedhor në shkallë të gjërë u zbatua pikërisht në këtë bashki. A do të ripërsërisë PS pas disa muajsh të njëjtin model manipulimi zgjedhor si më 2016?
Në total, në 6 garat elektorale që do të zhvillohen vetëm pas pak muajsh, PS duket se e ka të sigurtë matematikisht fitoren në 4 prej tyre. PD vetëm në Shkodër. Ndërkohë Dibra mbetet për t’u parë. Në rastin se Lulzim Basha do të jetë ende Kryetar i PD-së, cili do të ishte justifikimi i tij nëse ky rezultat konfirmohet? A mjafton më fshehja pas “masakrës zgjedhore”? Cilëndo rrjedhë të marrin ngjarjet, opozita do të shkojë në zgjedhjet vendore të 2023 me vetëm 1 bashki të sigurtë, Shkodrën. Me një parti humbëse në nivel kombëtar e vendor; me një grup parlamentar të ndarë dhe me dy forumet rinor e atë të gruas kundra; me një bazë anëtarësie që ka firmosur publikisht largimin e tij në mbi 70%; me aleatë të cilët e akuzojnë për mos-konsistencë… në këto kushte rezultati për Lulzim Bashën në zgjedhjet vendore të 2023 do të ishte katastrofik në shumicën e bashkive të vendit. Sërisht “masakër zgjedhore”? A mund të fitojë vallë një opozitë e tillë edhe nëse ka mbështetjen e ndërkombëtarëve? Dhe ja ku erdhëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. A mundet të jetë Basha drejtuesi i një fushate fituese pas 12 vitesh opozitë ?
Humbjet e (pa)evitueshme të Lulzim Bashës mund të adresohen vetëm në një mënyrë. Më dt. 11 dhjetor, në darkë, pas votimit të Kuvendit Kombëtar, ai duhet të japë dorëheqjen si Kryetar i PD-së duke pranuar faktin e kryer. Në fjalën e tij, ai duhet të pranojë realitetin e ri post-kuvend duke mbledhur rreth vetës çdo demokrat që e mbështet dhe duke shpallur fraksionin e parë të një PD-je pluraliste. Duke përqafuar këtë realitet të ri, ai do të kthehej në garantin e bashkimit, jo të përçarjes të PD-së. Në promotorin e fjalës së lirë, jo të heshtjes pasive. Në mbështetësin e demokratëve pro-amerikan që proklamon se mbron, jo në përçarësin e demokratëve të shitur, të llumit apo pijanecë. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e tij në krye të një opozite, sigurisht tejet të vështirë, por që zgjat prej 8 vitesh. Ai do të fitonte respektin e mbarë demokratëve por dhe të shqiptarëve duke ndihmuar në rithemelimin e një PD-je fituese për të ardhmen. Kjo është e vetmja zgjidhje.
Në të kundërt, nëse më 12 dhjetor, Lulzim Basha do të vijonte me të njëjtën kokëfortësi, verbëri dhe arrogancë duke u fshehur pas abuzimit numerik se gëzon 95% mbështetje; duke mohuar projeksionet elektorale të mësipërme; duke pranuar gënjeshtrën e këshilltarëve që e rrethojnë se fitoren do të ja sjellin ndërkombëtarët… ky do të ishte vetëm konfirmimi i trishtë se diçka e pengon Lulzim Bashën të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së.
Përtej shkollimit në perëndim, unë dikur projektoja vetveten tek profili i Lulzim Bashës. Dhe besoj, ai ka parë gjithashtu diçka përderisa më besoi njëra pas tjetrës rolin e një koordinatori, të drejtorit të të parit fondacion të PD, të këshilltarit bashkiak, të asistentit në marrëdhëniet me jashtë, si dhe të autorit në hartimin e disa raporteve zgjedhore dhe programeve të PD-së. Si një produkt politik i tij, unë duhej të isha mbështetësi më i palëkundur i vendimmarrjeve të tij, duke reflektuar vlerat dhe risitë mbi të cilat u tentua të ndërtohej opozita e viteve 2013-21. Pikërisht se kërkohet t’i qëndrojmë besnik ndaj këtyre vlerave, sot, përballë zgjedhjes mes “fjalës” dhe “heshtjes”, unë zgjedh të parën. Kjo është gjithashtu një mënyrë për t’i dhënë të drejtë në besimin e tij të shkuar ndaj meje dhe ndaj çdo koordinatori, demokrati e votuesi që kërkojmë një forcë politike realisht perëndimore dhe demokratike. Duke mos na besuar sot, ai në fakt mohon vetveten. Më 11 dhjetor, zgjidhja e vetme e Lulzim Bashës është çlirimi nga gjithçka që e pengon të jetë lideri perëndimor që publiku ka njohur dhe besuar prej vitit të largët 2005. Me 11 dhjetor, ai duhet të jetë pjesë dhe jo pengesë e rithemelimit të PD-së.
Akil Kraja
Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *