Home

Lajme

RUDI BERISHA – GJAKU YNË I DERDHUR ME SHEKUJ NDRIÇON RRUGËT E MËMËDHEUT PËR NJË SHQIPËRI NATYRALE

No Comments Argëtim Letersi

NGA RUDI BERISHA
Duke udhëtuar në mes brigjeve të atdheut, duke jetuar edhe në këtë Nëntor të kthyer në shumë beteja lufte, duke pa dheun si hapi shumë varre për gra, pleq, fëmijë, për trima dhe trimëresha që ranë për të mos vdekur kurrë, luftuan, u sakrifikuan, që populli shqiptar, kombi shqiptar, të jetë dhe të bashkohet njëherë e përgjithmonë, të bashkohen tokat e Shqipërisë Natyrale me pjesët e saj, me pjesët e tokave që padrejtësisht e me dhunë na i copëtuan, na u pushtuan dhe na i ndanë armiqtë e popullit, kombit tonë, armiqtë e Shqipërisë Natyrale.
Në këtë Nëntor ku Shqipëria feston dhe i vuri themelet e saj më 28 Nëntor 1912, ku nga ajo ditë sot bëhen 109 vjet që Shqipëria e shpalli Pavarësinë e saj, ende shumë toka shqiptare kanë mbetur jashtë kufinjve të Nënës Shqipëri, por flamuri kombëtar kuq e zi na mbajti gjallë, na mbajti të lidhur rreth vetes, aty para flamurit kuq e zi shumë gra dhe bura, shumë trimëresha dhe trima e dhanë betimin, duke u betuar në Zot, atdhe dhe flamurin kuq e zi, që do t’i çlirojmë tokat shqiptare dhe do t’i bashkojmë me Nënën Shqipëri.
Amaneti i burrave dhe grave që ranë dëshmorë duke luftuar në flakën e luftës për t’i kthyer tokat tona nën ombrellën e Shqipërisë, ai amanet na obligon dhe sot neve që të punojmë dhe të vazhdojmë rrugën e mbetur në gjysmë për të jetësuar, lartësuar amanetin dhe gjakun e tyre për një Shqipëri Natyrale.
Po gjaku i brezave që ranë dëshmorë, duke luftuar nëpër të gjitha kohërat historike, ai gjak është peshë që të gjithëve ne popullit shqiptar duhet të na rëndojë, nga kjo rëndesë ne të gjithë populli shqiptar duhet të punojmë me sinqeritet, me dashuri të madhe për vendlindjen, atdheun, për të bërë Shqipërinë Natyrale.
Ne populli shqiptar prej kohësh i kemi hartat e grisura, hartat e prera me shpatën e armikut, po neve shqiptarëve na duhet një ngjyrë e lapsit që të shënojmë vijën e kuqe në hartën botërore, duke i kthyer tokat tona në lashtësinë, duke i futur tokat tona nën kupolën e Nënë Shqipërisë dhe duke e bërë hartën e vërtetë, siç ishte dikur. Harta duhet të korrigjohet, gabimet që na i bënë fuqitë e mëdha, pushtimet që i kanë bërë armiqtë tanë, duhet përmirësuar. Thuaja se të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, na kanë hak, disa kanë obligime morale, disa kanë obligime që të na kthejnë tokën që mbajnë të pushtuar.
Por ne (shqiptarët), në radhë të parë duhet të botojmë një libër, që do të jetë për çdo klasë politike, për çdo veprimtar dhe për gjithë popullin. Ky dokument duhet të jetë dhe do të jetë dokumenti që i shënon vijat e trasha të interesit nacional gjithëkombëtar. Ky libër duhet të jetë i paprekur nga çdo shqiptar, pavarësisht pozitës që mbajnë në shoqëri.
Ky dokument duhet të formulohet nga akademitë e shkencave shqiptare, nga i gjithë populli dhe ky dokument duhet të jetë një kushtetutë që duhet të jetë i paprekshëm dhe e pandryshuar përjetësisht. Të gjithë ata/ato që do ta shkelnin ose devijonin rrugën e tyre nga këto ligje të pandryshueshme dhe të pashkelura, do të quhet tradhtar i kombit shqiptar dhe do të dënohet nga populli si tradhtar.
Po ne (Shqiptarët) duhet të jemi të lidhur ngushtë dhe të kemi moral të fortë për të punuar dhe vazhduar rrugën për të mirën e gjithë popullit shqiptar.
Ne të gjithë duhet të sakrifikojmë dhe të kontribuojmë për çlirimin e tokave, për ngritjen e monumente kulturore, historike dhe t’i kthejmë në dritë shumë figura historike që për fatin tonë të keq i ka mbuluar pluhuri i harresës. Vërtet, që të gjithë nuk kanë zemër prej shqiptari, disave ju ka bërë gjaku ujë, por çdoherë u drejtohem atyre që kanë vullnet, dashuri dhe në venat e tyre buron gjak i pastër shqiptar, ejani të gjithë bashkë të vazhdojmë amanetin, obligimin e atyre që dhanë jetë për këtë tokë, për mëmëdhe, për tokën më të bukur të Shqipërisë, të punojmë fortë që të ribëjmë Shqipërinë Natyrale.
Të dashurit shqiptarët e mi, neve nuk duhet dhe nuk guxon të na përçajë dhe ndajë politika, nuk duhet të na përçajë dhe ndajë feja, kemi një Zot, kemi një Atdhe, kemi një gjuhë, kemi një flamur kombëtar. Duhet të punojmë që mbi kullat tona të kemi veç një flamur kombëtar kuq e zi. Nuk ka ideologji politike që guxon të jetë kundër interesave kombëtare dhe kundër bashkimit kombëtar. Të gjitha ato ideologji, ato grupe apo ata individë që janë kundër bashkimit kombëtar, ata në ADN-ën e tyre nuk kanë dhe nuk ju ka mbetur fare gjak shqiptari ose nuk dinë të logjikojnë, nuk janë mirënjohës, nuk janë mëshirues në rrugët tona të vështira të lara me gjak nga burrat dhe gratë për të çliruar tokat shqiptare që më pas t’i bashkohen Shqipërisë Natyrale.
Betimi i çdo luftëtari që në nisjen e luftës së tij ka qenë të luftojmë për të çliruar të gjitha tokat dhe t’i bashkojmë me Nënën Shqipëri. Ata ose ato që sot flasin ndryshe, duke mohuar bashkimin e Shqipërisë, të tillët janë ose të shitur ose për interesa personale, karrieristë politik ose nga frika gjatë rrugës kanë ndërruar qëndrimet e tyre, duke mohuar të vërtetën tonë gjithëkombëtare, të luftëtarëve, dëshmorëve, heronjve tanë që luftuar për çlirim, liri dhe Ribashkim të Shqipërisë Natyrale.
Të dashur motra dhe vëllezër!
Në këtë 28 Nëntor të vitit 2021, në mes të kopertinave të Revistës Shqiptare “Albania-Shqipëri Natyrale”, në letrën e bardhë kemi botuar punimet e 109 autorëve, duke simbolizuar 109 Vjetorin që nga ngritja e themeleve të paluajtura të shtetit shqiptar, Shqipërisë. Ky është numri i 10-të i revistës që nga të gjithë numrat e deritanishëm, ka më së shumti autorë në numër, andaj ishte një punë e madhe, por të gjithë bashkë ia dolëm të realizojmë këtë dëshirë që kishim.
Të dashur miq!
Në radhë të parë lutem të keni shëndetin e mirë, paqe dhe harmoni në familjet tuaja! Lutem të jemi të dashur dhe të mirëkuptuar mes nesh dhe mes gjithë popullit shqiptar. Ju të gjithë që jeni bërë pjesë e Revistës Shqiptare “Albania-Shqipëri Natyrale”, që nga numri i parë i botuar më 28 Nëntor të vitit 2019 është një rrugëtim i një fillimi të ri të Revistës gjithëpërfshirëse në mbarë trojet shqiptare dhe në shpirtin dhe në mendjen e mërgimtarëve tanë në gjithë botën.
Ne të gjithë, dikush më pak, dikush më shumë, kemi dhënë nga shpirti jonë plagë, dhimbje, dashuri dhe djersë, për të qëndruar dhe për të jetësuar çështjen tonë shqiptare, për ta mbajtur gjallë dhe në këmbë të forta Revistën Shqiptare “Albania-Shqipëri Natyrale”, e cila është një revistë që sensibilizon dhe sjell fakte të reja, të pathëna për rrugët dhe çështjen tonë kombëtare. Revista ka hapësirë për të gjithë, jo kurrë për ata që kanë në mendje dhe kokat e tyre copëtimin dhe rrënimin e kombit shqiptar.
Vërtet në të gjitha faqet e kësaj reviste shqiptare që nga numri një e deri më tani në numrin dhjetë jubilar janë të shkruar me lot, gjak dhe me eshtra të shumë grave dhe burrave që na kanë sjellur këtu ku jemi, na kanë ndriçuar në vend të fanarit me trupin e tyre, duke u djegur dhe shkrirë që ne të na bëj dritë, andaj këtë dritë duhet ta ruajmë si sytë tanë, këtë dritë duhet t’ua përcjellim brezave që jetojnë sot me ne dhe t’u lëmë gjurmë të arkivuar brezave që do të vijnë pas nesh.
Çdo fjalë e shkruar është gurë i pathyeshëm në tokë, çdo fjalë e shkruar është kala e ndërtuar me kocka të dëshmorëve, çdo fjalë e shkruar është pavdekësi, andaj të jemi të gjithë duke shkruar që të jemi të pavdekshëm edhe pas vdekjes sonë.
Të dashurit e mi, në emër të Klubit Letrar “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në emër të Redaksisë së Revistës Shqiptare “Albania-Shqipëri Natyrale” dhe në emrin tim, i falënderojmë të gjithë ata /ato që nga numri i parë dhe deri në këtë numër të dhjetë, që kontribuan me fjalët e shkruara me ngjyrën e lapsit, me djersen e tyre që kjo Revistë Shqiptare te shoh dritën e botimit. Pa ju, pa ne, pa të gjithë ne bashkë, kjo Revistë Shqiptare “Albania-Shqipëri Natyrale”, nuk do të kishte jehonë kaq të madhe. Po një faleminderit shkon dhe për ata që kontribuan (duke e blerë Revistën) dhe duke i dhënë mundësi që të botohet numri i radhës.
Të dashur motra dhe vëllezër!
Të dashur ju miq të lapsit!
Unë personalisht ju kërkoj falje që ndoshta (dikush nga ju) nuk keni qenë të kënaqur në disa momente me ne, por duke u betuar në atdhe, jemi munduar që të sjellim më të mirën në interes të popullit, kombit, atdheut dhe Shqipërisë Natyrale.
Unë ju kërkoj ndjesë nëse pa dashje na ka ikur ndonjë gjë dhe ju keni mbetur të pakënaqur! Unë jam këtu në mes jush, i lindur dhe i rritur në mes të popullit tim, por megjithatë nuk jemi të pa gabuar, por ka vend dhe hapësirë për t’u përmirësuar në ditët në vijim dhe në rrugën tonë të përbashkët në vazhdim, por me shpresë dhe besim, kërkoj mirëkuptimin tuaj, kërkoj mbështetjen tuaj, për t’i dhënë krahë Revistës Shqiptare “Albania-Shqipëri Natyrale”! Ju faleminderit!
-Zoti e bekoftë gjithë popullin shqiptarë! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Rroftë Shqipëria Natyrale! Dritë dhe begati për të gjithë fëmijët, nënat, motrat, vëllezërit shqiptarë, kudo që janë, kudo që jetojnë në trojet shqiptare dhe në gjithë botën!
Me respekt e dashuri nga i juaji sinqerisht Rudi Berisha
Dardani Antike (Kosovë), më 28 Nëntor 2021

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *