Home

Lajme

Skender Lazaj – SHQIPERIA SI AJKUNA

No Comments Argëtim Letersi

  • PJESA I –
    (per miqte e mi nga sot e ne vazhdim do publikoj per çdo dite te 536 strofat e poemes se librit me te fundit )

Vajto, Ajkunë birin pa kthim,
Itakë, Odiseun tënd vajto!
Shpirti juaj në dënesa klith
ndaj vdekjen thirreni: Shpejto!

Vajto rrugët e mallkimit
që bijtë ia bëri Odisesë kllounë,
por si Odiseja ata s’u kthyen
nga rrug’ e mërgimit, vajto Ajkunë!

Djepin Itakë, gjemisë në lot vaj
Itakën e ninullave epike vajto.
Penelopa të mos presë Odiseun e saj,
por këmishën e vdekjes të thurë ajo.

Itaka ishte e vetme mbi tokë,
Odiseu ishte një fillikat.
Odisetë e sotëm janë miliona në botë,
por kanë vetëm një Itakë…

T’i ndalësh Ajkunës lotët e zisë,
Penelopës këmishën e vdekjes t’i shthurësh.
Vendlindjen kurrë mos e braktis,
veç me Itakën tënde të mburresh.

Ndaj mos e braktisni Shqipërinë,
Itakën e vetme, të bukurën e dheut!
Mund të jetë ikje e pa kthim,
jo të gjithë kanë fatin e Odiseut!

Mos braktis të bekuarat vende
për një tjetër vend më të mirë,
se do bredhësh gjithë jetën tënde
si çifuti nëpër shkretëtirë…

Mos e merr jo, atë rrugë,
të nëmurën rrugë, të mallkuar,
se vendi i huaj është burg
ku do dergjesh krejt i harruar…

Nëse i nëmur s’do të rrosh
mos braktis të bekuarën vendlindje,
se dheut kot do t’i rëndosh,
do endesh rrotull si një hije.

Mos i braktisni trojet tuaja
të kërkoni troje të tjerë,
gjithë ç’ju sheh syri të huaja
ka dukje mjalti, po është vrer.

Ti kërkon fatin, por s’e gjen
se fati ka këmbë gjarprinjsh.
Fytyrën kurrë s’ta rrëfen,
herë engjëll duket, herë përbindësh.

Kjo është kohë e delenxhinjve,
kohë pa din, pa nder, pa besë.
Lufton me erën e mullinjve
një jetë të tërë, gjersa vdes.

Erë mullinjsh është dhe fati
që ti të kërkon tërë një jetë,
po larg rrallëkush e kapi,
përveç se në vendin e vetë.

Në do të jesh i rëndë si guri
ngri jetën atje ku ke lerë.
Ku i ra koka rëndon burri,
s’ka peshë në dhera të tjerë.

Ndër ne një fjalë popullore
thotë “guri i rëndë në vend të vet.”
Prandaj e kini vetë në dorë
se ç’peshë do keni në jetë.

Udhë që nisen, udhë që priten,
o udhë të nëmura kurbeti!
Oh, sa bij nënash zhduken, vriten
dhe sa të tjerë i hëngri deti!

Sa e sa hëngrën humnerat,
sa të tjerë arma e shkrepur.
Sa e sa të tjerë s’i pa më dera
të gjallë jo, po as të vdekur!

Sa nëna shamizeza presin
me shpresën gjallë tërë një jetë,
si korbat në varreza mbesin,
si qyqe që vajtojnë djemtë…

Vajtojnë nënat bijtë e humbur,
pa një gur varri të mbështeten,
netëve flokët duke shkulur
fatzezat vdesin e nuk treten…

lk e ik e s’ke të sosur,
o rrugë e gjatë tridhjetë vjet!
Nga sytë, këmbët të marrosur…
Vatan i shkretë, mbetur shkretë.

Pa zënë ëndrrat edhe ngjizen
e udhët mbushen gaz e shpresë.
Shpresat rrudhen, zënë e fiken
dhe fatet priten mes për mes.

Dehje shpresash, dehje ëndrrash,
krahët nderur qiell më qiell.
Nuk mbarojnë histori gjëmash,
jetë tretur detesh, thellë, thellë…

I turren “tokës së premtuar”
mu si stuhi shkulmerrëmbyer,
brigjesh të huaj, të hutuar
përplasen ethshëm të zhgënjyer…

Ëndrrabukurat rinore
përkundur në djepin e shpresës,
si ujërat trojeve ranore
treten si pikëlat e vesës.

Kurbeti plagë që s’rrëfehet,
murtajë që vetëm vret e vret.
Nuk gjendet digë të mbajë dhembjet,
cunamë që vetëm mbysin jetë.

Cunam që ngrihet në re –
shpirti i trupave të humbur.
Nga thellësitë detin e ngre,
malet rrafshon e i bën pluhur…

Zoti vetë s’i i duroi
ato drama njerëzimi,
na braktisi, na harroi,
s’tha një fjalë ngushëllimi…

Veç në një vend zoti bekon,
atje ku rron e ku ke lindur.
Nëse ikën, nëse shkon
dije, dritën ta ka fikur.

Nëse prej hallit një ditë
ti prej atdheut largohesh,
ruaje si dritë te sytë,
të kesh dritë, të orientohesh.

Mbroje atdheun si sytë,
siç e mbron biri një nënë,
fute thellë, atje, në shpirt
nëse sytë e tu s’e nxënë.

Me vete mbaje përherë,
thellë atje, në shpirtin tënd.
Nëse shpirti nuk ta merr,
në zemër hapi një vënd.

Mëmëdheut dili zot
kudo qofsh e kudo shkfosh,
porsi nënën duaje fort,
si një bir përherë ta mbrosh!

Mos lejo një mendjembrapshtë,
“endacak” ty të të thotë.
“Vij – thuaj – nga kohë e lashtë
kur të tjerë s’kish mbi tokë.

Unë vij përtej, nga legjenda
ku historitë ngrenë tallazët.
Kur s’ish çfaqur ende hëna
gjyshërit e mi qenë pellazgët!

Nipër pellazgësh ne jemi,
jemi bij ilirësh ne.
Ndaj krenarë brez pas brezi,
bekuar mbi këtë dhe.

Iliri – kryq e tërthor;
prej Danubit në Azi,
Adriatik, Jon, Egje, Bosfor
gjer përtej Detit të Zi…

Ilirë, grekë e romakë
krah për krah në shekuj rrojtën,
kur s’kishte Evropë plakë
ata qytetërime mbollën.

Njëzetë perandorë ilirë,
Romë e Kostadinopojë,
lindur Dardani, Epir
bij së njëjtës shqiponjë.

Porsa lindi krishtërimi
për të krishterë liria,
nga qiejt erdhi bekimi;
katër Papë nga Iliria…

Po të shanë nga mëmëdheu
sidomos në gjuhën tënde,
të gjallë të përpiftë dheu
nëse ke me ta një mendje!

Po ta shanë në gjuhë të nënës
më të shtrenjtën gjë që ke
është gjëmë e shkuar gjëmës,
ndaj dhe kot që rron mbi dhè.

S’ka më t’madhe neveri
sesa kur në gjuhën tënde
dikush shan vendin e tij…
E dëgjon e ngel pa mendje.

Nënën kurrë s’mund ta shajë,
vetëm në qofsh ti përbindësh,
ndaj s’mund të jetë bir i saj,
ndoshta ndonjë soj kopilësh…

Bashkë me qumështin e gjirit
fisnkëria t’u mëkua.
Se ti je nga soji i trimit
që shekujsh për burrë u shqua.

Që kur luftohej me gurë
fisnikëri rridhte në vena.
Se fisnik nuk bëhesh kurrë,
fisnik të lind vetëm nëna.

Nëse ndodh të shajnë atdheun
kurrë mos rri duarkryq,
po kujtoje Skënderbeun
që luftoi me shpatë e kryq…

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *