Home

Lajme

Edith Harxhi – Gëzuar 2022 dhe na qoftë një vit i mbarë.

No Comments Aktualitet Lajme

Të dashur miq, sonte është nata e ndërrimit të moteve. Viti 2021 ka qenë një vit shumë sfidues me histori suksesi dhe dështimi në të njëjtën kohë. Kemi humbur me dhimbje miq, të afërm dhe të dashur nga virusi vdekjeprurës që ka dy vjet që ka kapluar njerëzimin dhe vazhdon të na prekë çdo segment të jetës me gjithë detyrimet dhe shtrëngimet që vendosin qeveritë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat tona.
Në vitin që po lejmë Shqipëria është varfëruar disa herë më shumë, ku 40% e popullsisë jetojnë nën nivelin minimal të varfërisë. Është shtuar pabarazia dhe hendeku midis shumë të varfërve dhe shumë të pasurve si dhe po thuaj se po shuhet çdo ditë e më tepër shtresa e mesme e cila vazhdon të marrë rrugët e mërgimit. Rinia nuk sheh më shpresë dhe shpopullimi çdo ditë e më tepër po provon se është i qëllimshëm.
Tenderat abuzivë, korrupsioni galopant dhe PPP-të vazhdojnë me lehtësi të fryjnë xhepat e disave dhe të shtojnë pagat e majme për një grup të caktuar që paguhet për të mbrojtuar qeverinë dhe politikën.
Zgjedhjet e 25 prillit u manipuluan dhe vullneti i sovranit u tjetërsua para ditës së zgjedhjeve. E gjitha kjo ndodhi para syve të një opozite inekzistente e cila shiti të gjitha kauzat e saj për karrigen e ish-kryetarit.
Më pas, Aleati ynë kryesor SHBA vendosi Liderin Historik të të djathtës në Shqipëri në një pozicion të paprecedent për vendin tonë. Lideri historik nisi betejën e tij personale ligjore për dinjitet dhe kërkoi me të drejtë fakte mbi këtë vendim.
Këto muaj më në fund, demokratët morrën fatet e tyre në duar dhe votuan në shumicë dhe me transparencë largimin e ish Kryetarit nga detyra dhe nisën ndryshimin e munguar prej 8 vitesh.
Ky vit mund të quhet si viti i opozitës dhe më në fund u zgjuan të gjithë dhe kuptuan se disa e kishin pasur detyrë shkatërrimin e opozitës në Shqipëri.
Skandalet e qeverisë nuk rreshtën dhe i vunë kapakun dy të fundit, ai i nxjerrjes së të dhënave personale të qytetarëve që tregoi edhe më tepër pabarazinë dhe abuzimin me pushtetin, si dhe skandali i prodhimit të një harte të re gjyqësore që pas pesë vitesh tregoi rrënimin e plotë të gjyqësorit në vend dhe rrëzimin e mitit të reformës në drejtësi.
Kosova dhe shqiptarët në rajon nuk janë më mirë se ç’ishin një vit më parë, me gjithë ndryshimin e elitave politike në shumë vende të rajonit. Dialogu Kosovë Serbi ka ngecur edhe për arsye se tre liderë autokratë në Ballkan kanë nisur me ngulm aventurën më të re të ringritjes së idesë së vjetër te Serbisë së madhe dhe ish-Jugosllavisë me anë të Open Balkans.
Duke hyrë në vitin e ri 2022, më vjen ndër mend shprehja e vjetër angleze “It has to get worse in order to get better” – duhet të bëhet më keq që të bëhet më mirë! Por më duket se tani ne e kapëm fundin dhe na duhet vetëm të gjejmë forcën të ngrihemi.
Jam e sigurt dhe besimplotë se viti që vjen do të ketë plot ngjarje të mëdha dhe do të na ofrojë sigurinë dhe qetësinë që na ka munguar prej vitesh. Shpresa nuk vdes, por ne duhet të kthehemi fuqishëm si popull vital që jemi, si patriotë të mirë dhe kombdashës, si aleatë të fuqishëm.
Prandaj me bindjen e fortë se shqiptarët janë populli më sfidues dhe vital në Ballkan, viti i ri do të hyjë me shpresën e madhe të rimëkëmbjes dhe orientimit tonë drejt mirëqënies dhe ngritjes sonë shpirtërore dhe morale.
Revolucioni i shpresës po troket në derë në këtë ndrim motesh. Yjet shqiptarë nëpër botë, djemtë dhe vajzat që na ndriçojnë fytyrën dhe imazhin në botë duhet të jenë pjesë e këtij revolucioni.
Gëzuar për shumë vjet dhe ta nisim ndyshimin nga vetja duke bërë secili prej nesh një bilanc për të shkuarën duke marrë përgjegjësi dhe të thurim plane për të ardhmen.
Gëzuar 2022 dhe na qoftë një vit i mbarë.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *