Home

Lajme

Ndue Lazri – IKU NJERIU, GAZETARI DHE POLITIKANI QË E DONIN TË GJITHË

No Comments Aktualitet Lajme

Sot u nda nga jeta David Sassoli
IKU NJERIU, GAZETARI DHE POLITIKANI QË E DONIN TË GJITHË
Më pëlqen ta kujtoj si atë ditë kur me daltë e me çekiç në dorë godiste mbi murin e Berlinit që po rrëzohej një herë e përgjithmonë. Apo atje në lindjen e largët mes njerëzve të dëmtuar nga tsunami. Ai ishte gjithnjë gazetar i frontit të parë e i tillë mbeti edhe kur ishte drejtues i TG1 në Rai. Gazetar i pakompromis, për të cilin mbi gjithçka vlenin realja, e vërteta, interesi i njerëzve të thjeshtë. Gjithë të tjerat ishin të dorës së dytë.
Sepse Davide Sassoli ishte mbi të gjitha njeri i thjeshtë, që i donte njerëzit dhe aspironte më të mirën për ta, njeri që me fjalën e tij dinte të luftonte ndarjet e të sillte bashkimin, të kontestonte luftën e të promovonte paqen, të shqelmonte të keqen e të vadiste të mirën. Sepse ai ishte kopshtar i së mirës. I pandryshueshëm në integritetin e tij si njeri mbeti edhe kur u fut në politikë, edhe kur u bë njeriu i institucioneve të rëndësishme të Europës, deri në detyrën e Presidentit të Parlamentit Europian.
Siç e kujtojnë shumë kolegë të tij, ai ishte i vetmi që dinte ta gjente gjuhën me të gjithë, që arrinte t’i ulte në tavolinë e të diskutonin e vendosnin për të mirën e përbashkët europiane e botërore. Ndaj edhe gëzonte stimën e respektin e të gjitha forcave politike të të gjitha ngjyrimeve.
Ai ishte simbol i mirësisë njerëzore. Roberto Benigni i intervistuar nga Sassoli kur po realizonte filmin “Pinoku” i tha që do donte që në filmin e tij të kishte si interpretues të roleve figura gazetarësh të RAIT. -Po mua cilin rol do më japësh?-e pyet Sassoli. Dhe Benigni, duke qeshur, i zgjedh figurën më njerëzore, Xhepeton.
Njerëzor dhe i drejtë deri në ditën e fundit. Në deklaratrën e tij të fundit në 13 dhejtorin e vitit të kaluar ai thoshte: Democracia është e vështirë të ndërtohet, por vritet me lehtësi. Mos ngrini mure kundër atyre që ikin nga luftrat, nga uria e të ftohtët, por ngrini mure midis morales dhe imorales, midis humanes dhe jo humanes”.
Ndaj edhe në ditën e ndarjes së tij nga jeta, përkrah mesazheve ngushëlluese nga personalitetet më të mëdha shtetërore e politike të të gjithë globit, spikasin miliona mesazhe të njerëzve të thjeshtë në thelb të të cilave tingëllonte: “Ti ishe presidenti ynë, presidenti i të gjithëve”.
Pushofsh në paqe, luftëtar i së mirës.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *