Home

Lajme

Fenomeni Donald Veshaj dhe çiftet Shqipëri –Kosovë në BBV

No Comments Lajme Opinion

Nga Laureta Petoshati
Këtë javë filloi përsëri një fushatë anti Donald. Dhe nuk bëhet fjalë për Donald Trump, por Donald Veshaj. Nuk kam arritur dot të imagjinoj sulmin e vazhdueshëm ndaj tij si në kohën e luftës së klasave ku na mësohej se lufta e klasave nuk shuhet, por herë ulet dhe herë ngrihet. Por këtë herë lufta ishte ngritur në të tjera nivele, kapi qiellin jo vetëm në parashuta, por dhe në çmime. Po këtë herë çfarë u bëri Donaldi? Asgjë. Nuk është i detyruar ti japë llogari askujt për jetën e tij private, për ndenjat e tij, për orientimin e tij seksual, etj. Mund të dashurohet, të ndahet dhe të ridashurohet si një njeri I lirë që nuk i bën keq askujt. Herën e fundit, u vu përsëri si në bangën e të akuzuarve për histori që ishin mbaruar, por që donin ti ngjallnin nga hiri. Ende akuzojnë Beatrix për faje që nuk i ka. Bëjnë analiza krejt pa logjikë që nuk tregojnë vetëm një nivel të ulët intelektual, por edhe njerëzor. E kam për televizionin që shfaq këtë program dhe paralelisht me edhe programe të tjera, ku analizohen Vipat e Big Brother. Këtë herë Donaldin e akuzuan se ishte hapur në bisedë me një vajzë që nuk kishte më shumë se 24 orë që ishte futur në program. Ishte fjala për Egzonën, gazetaren nga Kosova, të cilës i tregoi një të vërtetë, që ky televizion, për arsyet që di, i mbulon dhe i tjetërson. Donaldi u shpreh se kishte vuajtur tre muaj pas ndarjes nga ish e dashura Bora Zemani, ndërsa kjo e fundit nuk e kishte çarë kokën. Dhe këtu Donaldi nuk gënjen, sepse vetë moderatorja Bora Zemani, në emisionin “Goca e Gra” të datës 2 tetor 2021 deklaroi se është single. Pra ajo u kujtua për Donaldin, siç thoshte vetë ai, kur ai ishte në BBV. Atëherë ç’faj kanë Donaldi dhe Beatrix? Madje një ditë, në një nga këto emisione, krahasohej ndarja e Donald Veshaj me Bora Zemanin me atë të Al Banos me Rominën! O tempora o mores! Al Bano e Romina kishin 30 vjet të martuar dhe në kishë e me katër fëmijë, kishin albume muzikore bashkë, ndërsa Donaldi me Borën as tre vjet lidhje dashurie! Kjo ndodh sepse mungesa më e madhe e këtij BBV janë analistët, që nuk janë profesionistë dhe mbi të gjitha janë të ndërvarur nga ai televizion, ku punon dhe moderatorja. Më keq janë ata që flasin në Breaking, Shqipëria live, etj, formate, ku njerëz jo profesionistë japin mendime sikur janë në pazar të peshkut dhe nuk e kuptojnë që flasin për njerëz, ndjenja dhe pasione, që përjetohen ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Madje arrijnë deri këtu sa tregojnë se sa do të zgjasë kjo, apo ajo lidhje dhe fetishizojnë njerëz, të cilët meqë janë të media sipas tyre duhen trajtuar si shënjtore apo si Shën Mëria, ndërsa të tjerët janë ashtu kalimtarë. Të gjitha këto, aq më tepër që Donaldi, më kujton ata djemtë e mirë vlonjatë, si nipat e mi, që përpiqen me mish e me shpirt për të nxjerrë në dritë talentin e tyre, më kujtuan dhe mua një libër të harruar, të cilin shumë vite përpara ma dhuroi një vlonjate e mirë, që jetonte në Itali, duke më thënë se nëse do të shkruash duhet të studjosh dhe këtë autor. Bëhej fjalë për Francesco Alberoni-n, që është sociolog, gazetar, shkrimtar dhe akademik italian. Në vitin 1979, Alberoni boton librin sociologjik dhe psikologjik “Innamoramento e amore”, që në shqip do të thotë “Procesi i rënies në dashuri dhe dashuria”. Sipas tij, njerëzit bien në dashuri kur janë gati të ndryshojnë, pra kur duan të fillojnë një jetë të re. Rënia në dashuri, sipas Alberonit, konsiston në një proces të shpejtë dekonstruksion-ristrukturimi të një gjendjeje, e cila quhet gjendja e sapolindur. Në gjendjen e sapolindur, apo sapo rënies në dashuri, individi bëhet i aftë të shkrihet me një person tjetër dhe të krijojë një kolektivitet të ri me solidaritet shumë të lartë. Prandaj përkufizimi: të biesh në dashuri, sipas Francesco Alberonit është gjendja e lindjes së një lëvizjeje kolektive të përbërë nga vetëm dy persona. A nuk ndodhi dhe kjo gjë me Donaldin? Besoj se po. Fillimisht ai ndjente mungesën e personit të dashur, me të cilën ndodhi puthja më 22 tetor 2021. Më vonë ra në dashuri, të cilën nuk ia pranonte vetes dhe që të frenonte veten brenda lojës së BBV, dhuroi varësen e famshme, që u bë si varësja te filmi “Titaniku”. Por pastaj filloi dekonstruksioni. Kemi një Donald që në sy të Semit e pyet Beatrixin për nënën, për babanë, për jetën e saj. Pastaj kemi një Beatrix që kur i çuan qenin në shtëpi, kërkonte Donaldin. Pastaj filluan lojërat si dy fëmijë të vegjël, pastaj shikimet, pastaj puthjet, pastaj ristrukturimi, pra ndërtimi i një marrëdhënieje të re. Kulmin e arritën te dhënia e lajmeve ku arritën një harmoni dhe përputhje të shkëlqyer. Sipas Alberonit, për të kuptuar nëse personi është vërtet i dashuruar, subjekti i nënshtrohet testeve të së vërtetës dhe, për të zbuluar nëse ai është reciprok, i nënshtron të dashurit testet e reciprocitetit. Këto teste provuan dhe Trixa me Donaldin me ndërhyrje të pazakonta dhe brutale edhe në Primet e zhvilluara. Sipas Alberonit procesi inkandeshent i gjendjes së sapolindur përmes këtyre sprovave krijon siguri dhe prodhon dashuri të qëndrueshme. Në teorinë e tij socio-psikologjike Francesco Alberoni shprehet se të biesh në dashuri është një proces i së njëjtës natyrë si konvertimi fetar ose politik. Madje Alberoni studjoi Divizmin, pra divat, apo yjet, si ata që thërret Arbana :Yjeeee! Divizmin, e thënë ndryshe admirimin fanatik për yjet e spektaklit apo të sportit, apo eksibionizmin reklamues prej tyre për të nxitur një admirim të tillë, Alberoni e cilësoi si thashetheme kolektive në një shoqëri masive dhe media. Këtë gjë po e shohim këto ditë. Mendoj se goditja që i bëhet Donald Veshaj, bëhet me qëllime të caktuara. Ai goditet në Prime gjithmonë kur ai ka shkallën më të lartë të publikut. Atij i tregohet dhe qimja në vezë për ta nxjerrë keq, sikur ai është djalë pa karakter se do të kthehet prapë te Bora dhe mëshirojnë Beatrix sikur ai po e merr në qafë. Mirëpo këtu fle lepuri. Sepse rivali i tij ka bërë jo gafë, por shfaqi pa dashje një tezë tepër të rrezikshme duke humbur pikët e shikuesve të Kosovës. Ai i është drejtuar Dj Dagz se vetë është shqiptar, ndërsa Dj Dagz nuk është shqiptar, por kosovar. Ndaj goditja që i bëhet Donaldit është për ti hequr votat e Kosovës dhe të atyre që admirojnë Bora Zemanin. Kam një pyetje që më ngacmon shumë: Përse një bisnesmen nga Saranda, që sot për sot është qyteti i lakmuar nga grekët dhe rusët, do të paguante 5 mijë euro për banderolën me Borën me varësen e Donaldit? Pse ky mllef ndaj një djali 26 vjeç, që në fund të fundit, nuk la një virgjëreshë, por një grua më të madhe se veten dhe me fëmijë dhe aq më tepër kishte kohë që ishte ndarë me të? Donald Veshaj nuk është as Fatos Nano, as Edi Rama e as Donald Trump, të cilët nuk i gjykon njeri për zgjedhjet që kanë bërë në jetë. Mos u vret sytë bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë me ata të Kosovës? Ky Big Brothër deri tani ka krijuar tre çifte, ku secili çift është i përbërë me një shqiptar të Shqipësisë dhe të Kosovës. Unë këtë Big Brother do ta quaja fenomeni Donald Veshaj dhe bashkimi më tepër se shpirtëror Shqipëri –Kosovë. E meqë fola për Big Brother ku marrin pjesë këngëtarë dhe artistë, të cilët me thënë të drejtën nuk po shfaqin ndonjë spikatje intelektuale, le ta lexojnë këtë libër të akademikut Francesco Alberoni, sepse pikërisht ky libër ka frymëzuar kantautoren franceze Mylène Farmer (shqiptohet Milen Farmer) për albumin e saj “Falling in Love” të nxjerrë në treg më 1999. Shpresojmë që ta lexojnë dhe ato analistet e Big Brother, që fshihen e ndërrohen me ndonjë tjetër vetëm kur ka sulm ndaj Donaldit duke na kujtuar kokën e strucit.

Burimni/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *