Home

Lajme

Ilia Karanxha – HUMANISTËT E SHEKULLIT XV-XVI PËR FIGURËN E SKËNDERBEUT

No Comments Argëtim Histori

Historia e Skëndebeut apo përmëndja e veprave të tij luftarake nuk mund të bëhej pa përshkruar, ku më shumë e ku më pak, nga autorë të ndryshëm aspektet e jashtëme fizike apo karakterin e këtij Kalorsi të Madh.
Marino Segono (? – 1486), si i pari biograf i Skënderbeut, në mos e ka njohur atë personalisht, fakt që ka pak të ngjarë, ka pasur mundësi të merrte informacione nga persona që kanë qënë fare afër Skënderbeut. Shkrimet e këtij peshkopi në përgjithësi nuk bazohen në burime të shkrojtura por kryesisht nga kontaktet e ndryshme e të shumta me njërëzit.
Në atë kohë zona e Ulqinit, Tivarit me Manastirin e Rotecit ishin shkelur shumë herë nga vetë Skënderbeu. Për më tepër kishin kalur vetëm 12-13 vjet nga vdekja e tij dhe nuk mund të ishte një punë e vështirë për një peshkop të mblidhte informacionet e nevojshme nga bashkëluftëtarë të afërm apo dëshmimtarë sypamës të Skënderbeut.
Veç këtyre kontakteve le të kujtojmë këtu martesat e sundimtarëve të Malit të Zi me familjet princore shqiptare. Stefano Černoevič ( ? – rreth 1490) që ishte martuar me të motrën e Skënderbeut, Maria Kastriotin ndërsa i biri i saj Giovanni (ose Ivan) Černoevič (1469-1514) kishte marrë për grua Jozafa Arianitin, pra motrën e Andronika Arianitit d.m.th. gruan e Skënderbut.
Në këto kushte është mëse normale që dëshmive të Segonos t’u jepet nje vlerë me e madhe në ballafaqim me shkrimet e më vonëshme biografike. Është Segono ai që na informon se në oborrin e sulltanit Skënderbeu edhe pse qëndronte si peng : “qysh nëntëmbëdhjetë vjet u bë sanxhak d.m.th. udhëheqës i një kompanie kalorsish. E me që kishte pamje mbretërore u bë shumë i nderuar nga Murati…”
Në vazhdim Segono na flet për shpatën e Skënderbeut që me një të goditur priste në mes një dem dhe se për të njëjtën shpatë ishte interesuar edhe vetë sulltan Mehmeti. Dëshmia duket se nuk ka qëne një legjendë qytetare dhe këtë fakt nuk do mungojë ta përmëndë edhe Marin Beçikemi.
Në lidhje me trimëritë e forcën fizike të Skënderbeut vlen si fakt i vërtetë edhe nga dëshmia e pavarur që na ka trasmetur Marc Antonio Coccio Sabelico (1436-1506) mbi të jatin e tij i cili ishte krenar që e kishte parë personalisht Skënderbeun që “bënte trimirërira aq të mëdha dhe aq të shumta sa që me të drejtë ai vetëm u kallte armiqve më shumë tmerr se gjithë kalorësia”.
I njohur me këto dëshmi të drejtpërdrejta në të njëjtën hulli do të shkojë edhe humanisti ynë Marin Beçikemi -ndryshe Barleti(1468-1526 )i cili si mjeshtër i përshkrimeve nuk do mungojë të na paraqitë pamjen fizike të Skënderbeut :
“Si peng tek turqit, ai ishte i admiruar nga të gjithë për shtatin e tij prej atleti. Ishte trup madh e i drejtë (si filiz), kishte krahë, të tillë që nuk ishin parë kurrë në ndonjë burrë, më të hijshme, qafën e fortë dhe të qëndrueshme, ashtu siç shquhet mes lojtarve të krahut, shpatullat me një gjërësi të mrekullueshme, ngjyra e bardhë, e fshehur poshtë mantelit të kuqëremtë, paraqitja e syve jo të tmershëm, jo të humbur por të këndshëm. Këto tipare ndihmonin shumë virtutet e tjera e duket që bënin të rriteshin të mirat e shpirtit”.
Ky përshkrim i detajuar nuk mund të quhet një krijim i fantazisë të humanistit tonë por një pëshkrim realist i cili ishte frut jo vetëm i kontakteve me njerez të një gjaku me Skënderbeun por tashmë duket evidente se para botimit të veprës së madhe ai kishte siguruar një portret origjinal të Skënderbeut të ngjashëm me atë që ishte realizuar edhe tek kodi i Fenesteles në minjaturë ku Skënderbeu gjithashtu ishte paraqitur vërtet me një “mantel të kuqëremtë” .
Si veti shpirtërore, gjithmonë sipas Beçikemit (ndryshe Barleti), ai ishte fetar, shpirtmadh, i thjeshtë, me zakone të prera, shpirtgjërë, i madhërishëm e gazmor. Pastaj, përveç një urtësie të thellë, kishte një kurajo e guxim të jashtëzakonshëm, e një forcë shpirtërore e fizike të paharitëshme. Skënderbeu kishte një karakter të ndezur (në momente të këqija kafshonte buzën deri sa i dilte gjak), nuk munt të duronte plogështinë, ishte i hetur për gjakun e armikut mbi të cilët sulej me furri si ndonjë vetëtimë e i pa përmbajtur si vërshimi i përenjëve.
Një burrë me gjithë këto cilësi të shkëlqyera ngjante, sipas të thënave të Beçikemit, një figurë pothuajse hyjnore, një “homo prope divinus”. “Pa dyshim – shkruan albanologu i shquar F. Pall – shkrimtari tonë ka shkuar pak si larg duke na pikturuar këtë portret. E me gjithë këtë, po të kemi parasysh virtutet me të vërtetë të jashtëzakonshëme të Shqiptarit, për të cilin flasin edhe burime të tjera, besojmë se Umanisti nuk e ka tepruar shumë nga të gjitha anët”.
Kështu para se autori anonim i vitit 1541 (për të cilin kemi sugjeruar P. Giovio ) të merte penën e të shkruante jetëshkrimin që paraqitëm më lart ky portretizim letrar i bërë nga autori shkodran të cilin e quan “Barletano”qëndronte mbi tavolionën e tij të punës. Nga ky historian anonim për profilin fizik të Skënderbeut kemi këtë përshkrim:
“Portreti i tij (i Skëndërbeut) qe i mahnitshëm e shumë i bukur, ai kishte një trup të madh e të regullt, me gjymtyrë të fuqishme e të forta, i gjërë në shpatullat, me ngjyrën e lëkurës të bardhë, me sy të çiltër e të gëzueshëm, me hundë si të shqiponjës e në tërësi i fortë e i shëndetshëm; me qënë se unë kam mundur të siguroj portretin e tij të vërtetë (al naturale3), nuk po zgjatem më rreth kësaj (çështje) të them gjë tjetër…”
Në variantin e autografuar nga Giovio të publikuar gati pas dhjetë vjetësh më 1551 e të përkthyer më vonë italisht nga L. Domenichi portretizimi i Skënderbeut paraqitet pak ndryshe:
“Skëndërbeu ishte kaq i lartë, me një trup me kaq shumë muskuj, me gjymtyrë aq të forta, me një hundë të kërcyer e të harkuar (por në mënyrë të hijshme) që përfaqësonte pa dyshim një hero të vërtetë. Dhe këtë paraqitje të bukur e konstatojmë se e kanë trashëguar akoma shumë pas tij zotërinjtë e kësaj familje të cilët u vendosën në Pulje, siç mundëm ta shikonim nga krahasimi i atij portreti që ne kemi në Muze e në mënyrë të veçantë tek Ferrando stërnipi i tij Markezi i qytezës të Sant Anxhelos, i cili vdiq në ditët e Pavisë i vrarë nga dora e mbretit .
Dy dëshmitë në përshkrimin fizik të Skënderbeut nuk janë në kontraditë me njëra tjetrën dhe as me paraqitjen që na trasmeton Beçikemi. Ndryshimet në këto portretizime letrare janë vetëm të karakterit sasior. Diku gjejmë më shumë informacione e diku më pak por personazhi i përshkruar nuk ndryshon në imagjnatën tonë shëmbëlltyrën e tij.
Del pyetja se kush është burimi i vërtetë i këtij përshkrimi, i kësaj njohje nga ana e Giovios? Veprat e shkrojtura apo piktura e portreti të tij i cili përmëndet në të dyja dëshmitë e mësipërme? Nga këto dëshmi duket një lidhje e ngushtë mes përshkrimit letrar dhe faktit se autori e kishte gjetur portretin “al naturale”. Ndërkohë lihet të kuptohet tamam me ato karakteristika të fizikut të Skënderbeut. Pra lidhja mes portretizimit letrar e atij ikonografik është mjaft e ndjeshme. Në rastin e parë nuk përmëndet Muzeumi i cili ishte në fazën e rindërtimit dhe për trashëgimtarët e Skënderbeut shënohet gjetkë se ata ishin vendosur në Terra d’Otranto në dukatin e Sanpietros (Galatina) e cila ju dha si dhuratë nga mbreti i Napolit Ferante Kastriotit. Fakti vihet në relacion si një dëshmi e provë e meritave të Skënderbeut gjatë fushatës së tij në Itali.
Në dëshminë e dytë (publikuar më 1551) kur Giovio përmënd Muzeun e trashëgimtarët e Skënderbeut duket se bëhet fjalë për të njëjtin portret për të cilin kishte folur më 1541. Me qënëse jetëshkrimi i mësipërm qëndronte poshtë portretit mbetet disi e paqartë në se informacioni mbi aspektin fizik vijnë nga portreti, nga studimet apo kontaktet me familjarët e Skënderbeut nga ana e Giovios. Mund të meret sa njëra aq edhe tjetra. Ndërsa në rastin e parë përmëndet nipi i vërtetë i Skënderbeut, më 1551 na flitet për një tjetër Ferrante Kastrioti i vrarë në betejën e Pavias, që ka ndodhur në fillim të shkurtit më 1525, e Giovio duhet ta ketë takuar e njohur atë përpara kësaj date kur këta Kastriotas u angazhuan totalisht në instancat më të larta të Curies Romane dhe tek Papa Leoni X për një çështje divorzi të vëllait të tij Alfonso Kastrioti.
Gjatë qëndrimit të Giovios në Napoli gjatë viteve 1527- 1528 ai ka takuar apo dëgjuar edhe për të tjerë pasardhës të familjes Kastrioti: një Jovana (Giovanna) Kastrioti e cila ishte këshilltarja më e besuar e mbretëreshës. Për vashën e bukur Anxhela Kastrioti që gjithashtu bënte pjesë mes damave më të zgjedhura që shoqëronin mbretëreshën në veprimtaritë e saj.
Kur Giovio përmënd trashëgimtarët e Skënderbeut e aspektet e jashtëme fizike të bukurisë së tyre sigurisht që ka parasysh të gjithë këta persona që ka njohur por merr si prototip më 1551 Feranten (vdekur më 8.II.1525) mbasi ky me sa duket kishte fizik të lartë e të shdërvjellët prej atleti si të Skënderbeut e nga ana tjetër kishte fituar edhe një farë nami në oborret princore të Italisë. Nga burime të tjera mësojmë gjithashtu se edhe nipi i vërtetë Ferante Kastrioti(1479-1561) dukë në San Pietro (Galatina) ishte gjithashtu shtatlartë. Ky kishte mbetur një zotëri i provincës shumë më pak i njohur në nivel kombëtar se sa i pari. Bile në vitet e fundit të jetës së tij ishte larguar komplet nga drejtimi i dukatit duke u mbyllur në formë krejt private jetën e tij. Pikërisht me këtë Ferante ka qënë në kontakt edhe Marin Beçikemi të cilit më 1522 i dedikonte veprën e Historisë.
Shtatlartësia e Skënderbut është konfermuar dhe nga një dokumeti i gjetur dhe i publikuar nga At Valentini. Në këtë dokument me të cilin Skënderbeu i ishte drejtuar Signorisë të Venedikut shkruhet :
“Në lidhje me robat që siç na është premtura do të na jepen dy herë në vit ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatëshme për trupin tim, ashtu siç ju janënë dhënë edhe Zotërinjëve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje aq jepmëni; Sidoqoftë bëni ç’ka t’i pëlqejë Zotërisë Suaj në lidhje me rrobat që më duhen”.
Në përputhje me këtë kërkesë nga ana e Skënderbeut, Venediku ja plotësoi në një farë mënyre dëshërin duke i dërguar 18 krahë rroba ndërsa princërve të tjerë shqiptarë vazhdoi t’u dërgonete nga 16 krahë roba të kushtueshme dy herë në vit. Sipas këtij fakti At Valentini duke bërë llogaritë përkatëse (1 karah = 0.58 m) i bie që Skënderbeu të ishte i lartë afërsisht 2 m mbasi për të bërë një veshje shpenzonte gati 7.12 ml plaçkë.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *