Home

Lajme

Ndue Lazri – LAMTUMIRË MJESHTËR DHE MIK I FJALËS SË ËMBËL

No Comments Lajme Opinion

Ai bënte pjesë në grupin e poetëve durrsakë që erdhën gati të gjithë sëbashku menjëherë pas të madhit Moikom Zeqo, si Bashkim Hoxha, Petraq Risto, Ilia Dede, Bardhyl Agasi, Bardh Matraxhiu etj. Në këtë grup ishte edhe Demir Gjergji nga Manza. Që atëherë e njoha si emër, në fillimin e viteve ’70, plot gjysmë shekulli më parë. Si të gjithë ne që ishim në fillimet tona, edhe ai botonte në gazetat e shtypit letrar e në “Zëri i rinisë”. E njoha edhe nëpërmjet shkrimeve gazetareske e më vonë personalisht. E na lidhi ajo miqësi që lidh krijuesit.
Emigracioni na hodhi në anë të ndryshme të globit. Kurse Demiri qëndroi në Atdhe, ku vazhdonte të shquhej si poet, si shkrimtar e si gazetar. Me emisionin e tij në Radio Tirana ishte bërë përhapës i vlerave letrare nëpërmjet takimeve e intervistave me shumë poetë e shkrimtarë, ku një vend të veçantë u kushtonte atyre nga Diaspora. Kam patur nderin të jem dy herë i ftuar në emisionin e tij, në bashkëbisedime shumë të këndshme letrare. Ai ishte edhe redaktori i librit tim të parë me poezi, ndërsa unë pata nderin të bëja një recension të plotë rreth romanit të tij “Biri i Botës”, ku në masë të konsiderueshme shpaloste thuajse jetën e tij. Një roman i bukur që dëshmonte rritjen dhe nivelin e tij jo vetëm si poet, por edhe si prozator i pjekur.
Sa herë shkoja në Tiranë e takoja, pinim ndonjë kafe e bisedonim si miq të vjetër. Bashkë me botuesin Roland Lushi e shumë poetë, gazetarë, shkrimtarë e artistë erdhi edhe në takimin që organizuam në bar “Ciak”, ku u bë edhe promovimi i librit tim që ai kishte redaktuar.
Demiri ishte mjeshtër i fjalës artistike, por edhe mjeshtër i fjalës së ëmbël me të gjithë, promovues i veprave të shumë autorëve të rinj. Ndonëse vetë ishte poet me një përvojë 50-vjeçare dhe autor i shumë librave në poezi e në prozë, me krijuesit më të rinj ulej në bisedë si i barabartë, gjente për ta fjalën e mirë, të ëmbël e të ngrohtë, pa u vënë kurrë në rolin e mësuesit. Thjeshtësia e kishte karakterizuar në gjithë jetën e tij. Ndaj edhe kishte shumë miq e dashamirës në tërë krahinat e Shqipërisë e kudo në Diasporë.
Me dhimbje mësova sot ndarjen e tij të parakohshme nga jeta. Ai që dinte t’u bënte autorëve surpriza aq të bukura me intervistat në emisionin e tij në Radio Tirana, si dhe me interpretimet e ngrohta në studion e tij DeRada, sot na bëri një surprizë të hidhur, duke marrë rrugën për në pavdeksi. Ngushëllime bashkëshortes së tij, Meli, djalit e vajzës, gjithë të afërmve dhe kolegëve me të cilët ka punuar në Radio e ka bashkëpunuar në fushën e krijimtarisë.
Të qoftë udha e mbarë e dheu i lehtë, miku im. Në kujtesë na mbetet buzëqeshja jote e çiltër dhe zëri yt aq i ngrohtë në biseda e në recitime, ndërsa në duar na mbetet vepra jote e pasur në poezi e në prozë. Lamtumirë Demir Gjergji, mik i mirë e fjalëmbël.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *