Home

Lajme

Me poetin Vaso Papaj, nëpërmjet një poezie.

No Comments Argëtim Letersi

Vaso Papaj, është shkrimtar e poet që ka lindur në Durrës dhe, i ngjizur, si rrallë kush, me këtë qytet, këtë qytet të madh, që nuk e nxuri kurrë, madhështinë e poetit. Shkëlqimi i Vasos i vriste sytë qytetit të madh, e të zhurmshëm bregdetar. Ndaj e la të frymonte e të formohej jashtë dyerve të tij. E la bunkierëve, baltërave, blozërave, për tja zbehur gjykimin, venitur shikimin, përgjumur ndjenjat, thënë ndryshe: gjunjëzuar në baltë, në blozë, mbyllur në bunkier, pa dritë, pa njerëz, pa jetë. Dhe, kështu do të kishte ndodhur, po të ishte një njeri i zakonshëm, por, Vaso Papaj ishte dhe është artist i madh. Llogaritë nuk qenë bërë me përmasat e tij. Ai ishte diamant që s’ kishte çfarë t’i bëjë balta, ndryshku e zgjyra, ishte prush që nuk e shuante shiu, lumi e deti, ishte sy që shihte e sheh përtej realitetit zyrtar, vesh që dëgjonte e dëgjon çdo rënkim, zemër që ndjente e ndjen çdo dhembje dhe nuk u ndje i mundur asnjëherë, po me besim te vetja, kultivoi, rriti e zhvilloi artin, si të vetmin mjet, me të cilin një njeri mund të “matet me një mal”. Kishte besim, se do të ndodhte dhe për këtë punoi, kur të tjerët flinin, i qëndroi furtunës që i thante shpirtin dhe dashuroi, për të mbajtur pranë shpresën. Këto, pak përshtypje nuk i kam marrë në kafe, por i kam gjetur në librat e tij, në prozë e poezi, ku ua ka thënë të gjithëve. Dhe, ua thotë përditë.
Gëtje-ja i madh, na ka këshilluar, se është mirë që, çdo ditë të dëgjojmë një këngë të bukur, të shohim një pikturë të bukur dhe të lexojmë një poezi të bukur, mundësisht të mësojmë, dhe ca vargje përmendësh. Ka kohë, që, këtë të fundit, ma ka mundësuar poeti, Vaso Papaj. Ai, çdo mëngjes, fut në fb. nga një poezi të tijën, të cilat unë i lexoj me qef. Poezitë e Vasos janë të dobishme dhe të bukura. Janë të dobishme, se përcjellin mesazhe të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Na rrëfejnë çfar kemi gabuar, çfarë nuk po bëjmë mirë dhe, ç’duhet të bëjmë në të ardhmen. Janë të bukura, se kur i lexon të sjellin kënaqësi, jeton e njësohesh me to dhe, ngarkohesh me emocione pozitive.
Pozia e Vasos, i këndon dhembjes dhe dashurisë. Në to dashuria ka dimensione universale. Dashuron natyrën dhe peizazhin, dashuron njeriun dhe virtytet, dashuron të bukurën, kudo që ajo shfaqet, sidomos te dashuritë e jetës së tij. Vuan dashuria e Vasos, sepse i duhen stërmundime për të mbijetuar e triumfuar. Poezia e Vasos, ulërin kundër dhembjes. Edhe dhembja, që ndjen dhe përcjell me poezi, Vaso Papaj, është universale. Ndjen dhembje për jetën dhe fundin e një fatkeqi, ndjen dhembje nga vuajtjet e pamerituara të njeriut të zakonshëm, ndjen dhembje për popullin e tij. E, shkak për këto dhembje, poeti tregon njerinë. Njerinë që privon lirinë, për njerinë. Mungesën e lirisë së popuulit të vet e vlerëson si gjëmën më të madhe, që ka sjellur shumë mënxyrë, edhe për jetën e tij. Ndaj poezia e Vasos, është qëndresë, është thirrje, është marsh, është zemrim e revoltë. Shpeshherë, i soset durimi dhe thërret: deri kur?!
Tematika, problemet, mesazhet dhe bukuritë e poezive të Vaso Papajt, duan angazhim të gjerë, ku s’do të mjaftonte as një libër e jo më një shkrim, po unë, siç e kam thënë në titull, do të
ndalem në një poezi, që i kushtohet piktorit Edison Gjergos, të cilën e ka shumë për zemër, dhe e përsërit te statusi i tij. Edhe mua më pëlqen, se kryej dy shërbime në të njëjtën kohë: shikoj një pikturë shumë të bukur dhe lexoj e ndjej një poezi, po aq të bukur.
Lexuesi merr shumë mendim, ide, estetikë dhe frymëzim për veprim, në atë poezi. Ajo flet shumë, po nuk duhet të mbetet pa vemendje e pa mbështetje, sepse ndryshe, poeti gjendet i vetëm në fushëbetejë. Është e rëndësishme që të bashkohen forcat kundër së keqes, që, e keqja të mos rritet e të mbysë vlerat e progresit, dhe ne të bëjmë vendnumuro, me hallet tona pambarim. Këto mendime më vorbulluan rreth poezisë së Vaso Papajt, këtë mëngjes, ndërsa po përjetoj poezinë:
“Edison, (Në Galerinë e Arteve)”, kushtuar krijimtarisë së, Edison Gjergjit.
Edison*
(Në Galerinë e Arteve)
Mundohem të kujtoj,
Se ç’kishin yjet atë natë mbi mal?!
I kishe mbledhur aty nga tërë qielli
Si spektatorë pa fjalë.
E ndërsa nata largohej,
Blu të zbardhur kishe hedhur me kujdes.
Mbi kanavacë,
Epikë yjesh kishe ndezur atë mëngjes.
Kurrë s’dua ta di,
Në më dëgjon, a s’më dëgjon?!
Veç sot në sytë e tu jam ulur,
Të marr dritë, mik Edison!…
Të marr dritën,
Që i dhe atij mëngjesi dhe atyre në vijim.
Sgalem i brishtë,
Që mbete përgjithmonë në fluturim.
Të shkrihem me vibrimin e penelit,
Me tingujt e lahutarit plak,
Që sa më shumë e shoh,
Me një mit më ngjan, me një Homer binjak.
Ndaj prapë ta përsëris,
Më dëgjon a s’më dëgjon?!…
Këmbëkryq në sytë e tu jam ulur,
Se dua dritë, mik Edison…
Më vijnë përpara syve
Fytyrat e të rinjve partizanë ngjyrë kobalt,
Që kohë e ndalur, e ngrirë,
Nuk mundi kurrë t’u hidhte baltë.
Lulëkuqen delikate shoh,
T’i bien fletët një nga një.
Si testament i brezit tim të humbur,
Që ngjan një ideal pa zë.
Por prapë s’do të ndahem kurrë,
Më dëgjon a s’më dëgjon?!…
Tërë muzgjeve të jetës
T’u jap nga drita jote, mik Edison.
*Edison Gjergo, piktor, autor i tabllosë “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), për të cilën u burgos dhe u internua për shumë e shumë vite
Vaso Papaj mbështet me forcën e talentit, bukurinë e shpirtit dhe zjarrin e zemrës, krijimtarinë realiste, të sinqertë e shumë të arrirë artistikisht, të Edison Gjergjit. Ai çmon vlerat e asaj pikture të mrekullueshme, hyjnizon forcën krijuese të tij dhe mallkon padijen, keqdashjen dhe ligësinë. Ka vetëm një të keqe, ka thënë Sokrati -padija dhe, ka vetëm një të mirë, -dija. Por, ai nuk ka parashikuar, se do vinte një kohë, kur padija dhe dija bëheshin bashkë, për ta mbytur njeriun, sepse ato i përdor politika. Politika e egër pa humanizëm, pa solidaritet, pa shpirt. Vaso Papaj i ka provuar këto ligësi, i ka ndjerë e shprehet, si poet.
Këto mësojmë, në poezinë: Edison, (Në galerinë e arteve), për të cilën, vetëm në një status të fb., midis dhjetra komentesh, lexojmë: Ndue Perlala:”….se dua dritë, mik Edison!…po aq artistikisht e arritur piktura, aq edhe forca e thirrjes poetike , urime mjeshter ! Lexohet me pathos poetik.”
Adriatik Durres:“Vaso…poezia jote eshte nje tjeter tabllo e bukur perball tabllosë se Edisonit….” Ervehe Molosiu: “Vargje dhe pikture qe te frymezojne…“ Yllka Prifti:“Pikture rrenqethese po aq sa poezia…“ Stefan Basko:“Poeti qe ka kaluar vete dhimbje mund te shkruaj vertet keshtu per mikun Edison!
Oh sa poezi e bukur, oh sa pikture e bukur… Edison Gjergo, ky piktor i talentuar, provoi prangat…“ Leonard Bixhili:”Mua kjo më duket vepër e mrekullueshme! Është për të ardhur keq, një vepër e tillë arti të bëhet shkaktare vuajtjesh për autorin.” Dhimiter Kolea:”Vërtet Vaso, është një pikturë rënqethëse, të gërryen me ngjyrat e fjalët e saj.” Caush Vathi Salloni Arte:”Z. VASO !… kjo poezi brilante më dha një moment tejet të ndjeshëm, duke më rrënqethur, me forcën e fjalës që, aq bukur i qëmton dhe i vendos në këtë obelisk, që ti e ngre kaq hijshëm, për një nga legjendat e pikturës shqiptare, për martirin, EDISON GJRGO.”
Këtyre fragmenteve nuk ke ç’u shton e ç’u komenton, Por poezia e Vasos kap hapësira e interesa më të mëdha. Ajo s’është thjesht dhembje, ajo është armë në duartë e intelektualëve e artistëve të të gjitha fushave, për t’u përballur me antikapët e politikës. Këtë bën Vasoja në të gjitha poezitë, ndaj emri i tij, menjëherë, të çon te poezia dhe poezia e tij të çon te dhembja.
Kujton dhe nuk harron Vasoja. Në ato kujtime, nuk shteron lumi i dhembjeve, por dhe në të tanishmen, prap derën ia mësyn dhembja. Shpresa dhe Zoti i rrinë krah poetit dhe i japin forcë të mundij dhembjen vrastare. Me zemër, mendje dhe penë ai e arrin këtë, porse noton prap në dhembje, gjersa prej saj lëngon shoqëria. E, ç’është zëri i poetit, po nuk u lexua, dëgjua e besua? Ç’është një këngë e kompozuar, po nuk u dëgjua dhe këndua. Ato janë të fjetura, për të mos thënë të vdekura. Ato kanë jetë, rriten dhe shpërthejnë si vullkan, kur pushtojnë zemrat dhe mendjet e të gjithëve, atëhere marrin forcë dhe bëhen ortek. Ndaj, t’i lexojmë, t’i dëgjojmë dhe të mësojmë prej poetëve. Të armatosemi me mendimin, ndjenjat dhe dashuritë e tyre. Shoqëria duhet ta ndjejë, dëgjojë e shikojë zemrën, mendjen, penën e zërin e poetit, dhe t’i përdorë për të shpëtuar prej dhembjes. Atëhere, poetit i krijohet kaltërsi e dritë, që e bëjnë të këndojë, se artisti ngjan me zogun: po e shtrëngove ngordh, po e përkëdhele, këndon. Vetëm mirësia në sytë e njerëzve, ia ledhaton dhe përkëdhel shpirtin poetit. Ju lutem, dëgjojeni zërin e poetit, që të kemi më pak dhembje e më shumë këngë.
Poetët janë ndjenjë e bukur që flladit shpirtërat me fjalën e ëmbël, plot melodi e bukuri rrezuese, por ata janë dhe zë i ashpër që buçet dhe oshëtin si rrufe e bubullimë që shemb dhe malet. Lexoni dhe dëgjoni poetët. Këndoni këngën e tyre dhe bëhuni më të mirë. Dëgjoni fjalën e tyre, që të bëni më mirë. Dëgjojini në kohë, se pastaj mbetemi të vonuar. U çorri maskën maskarenjëve, Sokrati, por ata e mundën, i fyu Konica, por ata nuk pyetën, i shau ashpër Ali Asllani, por mbeti vetëm, sikurse Migjeni e të tjerë. Duhen mbështetur poetët se ndjejnë më shumë, shohin më larg, janë më njerëz. Duhen dëgjuar Vaso Papaj dhe shokët e tij poetë, duhen mbështetur dhe vepruar nën dritën e mendimeve të tyre. Ata po e bëjnë detyrën si qytetarë, si patriot, si luftëtarë për më të bukurën, më të mirën më të dobishmen. Ta përdorim sot forcën e tyre, se nesër bëhet vonë.
Sa e bukur është analiza e tabllosë: “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), e Edison Gjergjit. E analizuar me kompetencë, me profesionalizëm e ndjenjë të lartë, që shpreh dashuri e dhembje, me gulç e revoltë ndaj paudhësive. Të gjitha të realizuara me poezi që këndon, me fjalën poetike, mbretëreshën e fajalës shprehëse. Të krijojnë emocione dhe të armatosin me mendim të bukur, për veprim kundër së keqes, së shëmtuarës, së ligës, por…Është vonë. Nuk i shërben mbrojtjes së Edisonit. Që të mos vriten ëndërrat për të mirën, të bukurën, të ardhmen duhet të veprojmë në kohë dhe kur, duhet sot të mos presim nesër. Të mbështesim poetët, që të mos i mundin, dhunojnë e vrasin, se vritet e sotmja dhe e ardhmja jonë. Zëri poetit, është si zë profeti, është zë shpëtimtar, kur dëgjohet. Ai është thirrje për bashkim kundër të ligës, ngado e kushdo që vjen, sepse e mira e bashkuar e tut dhe e mund atë. Dëgjojini poetët, o njerëz. Ata sakrifikojnë që të jenë pranë jush. Vuajnë më shumë, ushqehen më pak, flenë më pak, pushojnë më pak. Askush si ndihmon, sepse ata u shembin kalanë e poshtërsisë. Por ata mbijetojnë. Mbijetojnë për ne, por dhe ne duhet të bëjmë detyrën tonë, si luanë, jo si zvaranikë.
Në krijimtarinë e Vasos, në romane, në poema e poezi, bile dhe në strofa, do të gjeni përherë, metaforën,“dimër”. E ëndërroi, e luti dhe e shpresoi, por nuk e preku asnjëherë “pranverën”, sepse pranverën ja vrau “dimri”, ajo mbeti e murosur në acar, në akull. Ndaj, ai nuk rresht së menduari, së foluri e së shkruari për pranverën e ëndërruar. Ka shpresë. Ka shpresë poeti. Duhet ta besojmë e ta dëgjojmë. Të bashkohemi me të e të veprojmë, për të shpëtuar nga “dimrat”. Poeti po na ndihmon me përvojën e tij, me dashurinë e tij, me dijet dhe talentin e tij. Ta dëgjojmë. Ta dëgjojmë për të mos patur “dimër” në djep, në sofër, në shtrat, në shkollë, në punë, në atdheun tonë që, natyra i ka lënë shumë pak vend dimrit.
Nuk mjafton të thuhet: “Sa bukur është shprehur poeti!”
Meçan Hoxha, durrës, janar 2021

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *