Home

Lajme

Ndue Lazri – ATO QË DIPLOMACIA NUK I THOTË

No Comments Argëtim Letersi

-Rreth librit “Flirti civil dhe Ambasadori” të Rexhep Hotit-
Sipas një thënieje të Napoleon Bonapartit, revolucionet i projektojnë idealistët, i bëjnë heronjtë, ndërsa frutet e tyre i gëzojnë mashtruesit. Më erdhi ndër mend ky parafrazim tek po lexoja librin e Rexhep Hotit, “Flirti civil dhe ambasadori”. Rexhep Hoti, poet, prozator e gazetar, me karrierë politike dhe përvojë në qeverisje, njohës i mirë i ambientit mbarëshqiptar dhe i politikës aktuale europiane e botërore, duket sikur është ndalur me qëllim në realitetin kosovar, mbarëshqiptar dhe europian menjëherë pas fitores së lirisë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Është momenti kur ka lindur shteti më i ri në Europë. E ky shtet i ri është si ai fëmija, që pasi i është dhënë një emër, Republika e Kosovës, ka nevojë të zgjerojë njohurinë e vet drejt botës, siç ka nevojë që edhe bota ta njohë dhe ta ndihmojë në mëkëmbjen, rritjen e përparimin e tij. Por, ende pa lindur mirë, ata që janë thirrur për ta rritur, në vend që ta rrisin me përkujdesje siç rritet një fëmijë, i vjedhin oksigjenin dhe e çojnë drejt asfiksimit.
Për të na sjellë realitetin bashkëkohor mbarëshqiptar e europian, Rexhep Hoti shkruan një libër të një natyre të veçantë, ku ndërthuren eseja historike me analizën politike, drama shekspiriane e intrigave me metaforën poetike që është filli lidhës i gjithë përmbajtjes së librit. E këto veçori të librit i shikojmë që nga prologu midis dy krijuesish e intelektualësh që vërtet i bren meraku për Kosovën e Shqipërinë, tek metafora e gjetur e ambasadorit imagjinar (që edhe aq imagjinar nuk është), tek intrigat e krerëve apo komandantëve të pasluftës në etjen e tyre për të marrë shpërblimet materiale deri tek flirtimet e hapura me ndërkombëtarët që hedhin kthetrat për të patur fitimet e veta në një shtet gati të vënë në ankand.
Duket sikur thënia e cituar nga Napoleoni është aktuale për republikat shqiptare në Ballkan. Kosovarët luftuan si heronj për t’u çliruar nga pushtimi e genocidi serb, derdhën gjakun pa kursim e shumë familje u shfarosën. Por frutet e asaj lufte po i korrin mashtruesit, mediokrit që kanë marrë pushtetin dhe flirtojnë me këdo që shfaq interesa në Kosovë, mjafton që të mbushë xhepat e qeveritarëve. Dhe populli zhgënjehet përditë nga bijtë e vet që i zgjodhi me besimin se do ta zhvillonin vendin e do ta çonin Kosovën drejt Europës.
Edhe në Shqipëri, me rrëzimin e komunizmit, njerëzit idealistë besuan në një demokraci të vërtetë, pati sakrifica të pafundme, deri edhe me jetë njerëzish, por frutet e asaj lëvizjeje mbarëpopullore që rrëzoi komunizmin, i gëzuan dhe po i gëzojnë mashtruesit, ata që e kanë vënë copa copa në shitje Shqipërinë për të pasuruar vetveten, një grup politikanësh të paaftë, të korruptuar e të kriminalizuar, që e kanë zhgënjyer e lodhur popullin, duke e sfumuar përditë e më tepër ëndrrën e tij për të shkuar në Europë.
Nëpërmjet ambasadorit imagjinar, që është përfaqësuesi diplomatik i supershtetit të botës, por që në të vërtetë është pak në rolin e diplomatit e shumë në rolin e atij që ndërhyn në punët e brendshme të shtetit ku është akredituar deri në atë masë sa të jetë ai që komandon gjithçka deri në zgjedhjen e kryeministrit e të Presidentit të vendit, autori na tregon se roli i ndërkombëtarëve dhe i diplomacisë ndërkombëtare është larg asaj që aspirojnë popujt e Ballkanit. Shqiptarët përgjatë historisë gjithnjë kanë mbetur të zhgënjyer nga fuqitë e mëdha dhe diplomacia e tyre. Edhe pas më shumë se njëqind vjetësh nga Konferenca e Londrës që vuri vulën përfundimtare mbi copëtimin e trojeve shqiptare, duket se në politikën europiane dhe në diplomacinë e saj pak gjëra kanë ndryshuar edhe sot e kësaj dite. Edhe pse libri është shkruar në vitin 2012, duket se Hoti ka profetizuar mbi ato që ndodhin sot jo vetëm në politikën e zhvillimet e republikave shqiptare në Ballkan, por edhe ato në skenën europiane, që nga dalja e Anglisë nga Bashkimi Europian dhe politika aktuale e Këshillit të Europës. Ndërhyrjet e hapura të ndonjë diplomati apo diplomateje të huaj në zhvillimet politike të republikave shiptare ku janë akredituar, janë thuajse të njëllojta me ato të ambasadorit imagjinar që e ka tipizuar aq bukur Hoti në librin e tij.
Ambasadori imagjinar, me prepotencën e përfaqësuesit të një supershteti, mendon se atij i lejohet gjithçka deri në futjen në aferat korruptive të tij personale apo të gruas së vet me mision në Bullgari. Ai nuk e ka për gjë të përdorë edhe dosjet e shërbimeve sekrete për të kërcënuar politikanë e deputetë në mënyrë që të realizohet plani i tij në zgjedhjen e drejtuesve kryesorë të shtetit të Kosovës. Kësisoj ai bëhet i gjithëpushtetshëm, ndërsa drejtuesit e emëruar janë thjeshtë buratinë në dorën e tij. Kësisoj, Hoti me librin e vet thotë ato gjëra që diplomacia nuk i thotë kurrë, por i fsheh me frohtësinë e dinakërinë e saj të përhershme.
Hoti ka kurajon që, nëpërmjet sjelljes së fakteve dhe analizave të tyre me forcë të shëndoshë logjike, të mbajë qëndrim edhe ndaj politikave të shteteve të fuqishme si Gjermania, Franca e Anglia nga njëra anë dhe Rusia apo sheikët e orientit nga ana tjetër. Veçmas mban qëndrim ndaj politikave të Brukselit. Të atij Brukseli që nga njëra anë flet për politika demokratike e zhvillimi në rajonin e Ballkanit e sidomos në republikat shqiptare të atij gadishulli dhe nga ana tjetër në hapjen e negociatave për zgjerimin e Bashkimit Europian i jep prioritet Serbisë gjakatare e pushtuese dhe jo Kosovës e Shqipërisë që historikisht kanë vuajtur nga politika serbe.
Edhe këto politika, janë rezultat i flirteve që bëjnë vetë poltikanët shqiptarë, si drejt perëndimit, ashtu edhe drejt orientit. Mjaft politikanë kosovarë me fjalë e parulla janë kundër serbit, nga ana tjetër lidhin krushqira me të, përdorin informacionet e shërbimeve sekrete serbe për të luftuar njëri-tjetrin kur bëhet fjala për të zënë poste të rëndësishme në pushtet, apo për të marrë thelat më të mëdha në korrupsionin galopant që ka mbërthyer ekonominë e vendit.
Duke qenë një nga eksponentët që ka punuar me shtypin në Kosovë, Hoti në këtë libër bën një radiografi të plotë të mediave në Kosovë e në Shqipëri, denoncon rolin e tyre gati tradhëtar ndaj problemeve themelore në të tri republikat shqiptare, shitjen e tyre tek bosët ekonomikë e politikë që i komandojnë, paaftësinë profesionale të gazetarëve, që realisht e shikojmë të gjithë ditë për ditë, aq sa na janë pështirosur ekranet dhe organet e shtypit. Gazetarë milionerë të paguar për të broçkollitur shumë pa thënë asgjë në interes të popullit, në servilosje që të përzien stomakun ndaj eprorëve të tyre që duken sikur rrinë në hije, por që populli i njeh.
Mesazhet e Hotit të dhëna nëpërmjet pasazhesh e episodesh tronditëse e domethënëse, janë të qarta e largpamëse. Në mbyllje të librit jo më kot ka vënë vizitën e delegacionit shtetëror në Libi, tek diktatori Gheddafi, si një përparësi me karakter ekonomik e politik. Duket se autori ka parandjerë politikën e sotme të hapur me preferenca ndaj Turqisë e vendeve të lindjes nga të tri qeveritë e republikave shqiptare në Ballkan, çka e shohim edhe me vizitat e Erdoganit she interesat e tij në këto tri republika. Episodi kur ministrja kosovare thuajse fare e zhveshur bën vallzimin e belit përpara diktatorit libian, merr forcën e një simboli dhe të një profecie, të një ere kulturore që fillon të fryjë në republikat shqiptare të ballkanit, çka e shohim sot hapur me serialet e shumta turke që kanë pushtuar ekranet e televizionit, me minaret e xhamive që po mbijnë gjithandej si kërpudhat pas shiut, me mbulimin e femrave me ferexhe pas pesëdhjetë vjetësh që ishin zhdukur nga reliteti shqiptar e shumë dukuri të tjera.
Të gjitha këto e bëjnë librin “Flirti civil dhe ambasadori” jo vetëm interesant e tërheqës për lexuesin, por edhe me një tingëllimë shumë aktuale, një kambanë alarmi për rrezikshmërinë e politikave të ndjekura nga politikanët tanë, si dhe të korrupsionit që si oktapod ka shtrirë tentakulat e tij në ekonominë e tri republikave shqiptare.
Janë këto politika, që bashkë me ndërhyrjen e eksponentëve të huaj që kanë interesa të ngushta në Ballkan, na largojnë nga Europa dhe na e dëmtojnë rëndë identitetin e imazhin tonë kombëtar. Ka ardhur koha që frutet e revolucionit të mos i gëzojnë më mashtruesit, por ata që me të vërtetë, me ndershmëri e përkushtim vënë interesat kombëtare përpara interesave vetjake.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *