Home

Lajme

Mirësevini në Antwerp, kryeqyteti i kokainës në Europë! Si po e marrin bandat shqiptare tregun e drogës

No Comments Aktualitet Lajme

Një gangster shqiptar me një pasaportë britanike false u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Antwerp, si pasojë e një lufte për kontrollin e trafikut të drogës në qytetin belg, që në fakt shikohet si kryeqyteti i kokainës në Europë. Bledar Muça u qëllua me 6 plumba ndërkohë që po kthehej në apartamentin e tij, disa metra larg stacionit të policisë. Dy vrasësit janë ende në kërkim ndërsa autoritetet shprehen se kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë.

Muça, 39 vjeç, u filmua në vitin 2016 teksa mbante një pistoletë për të qëlluar policinë në Shqipëri. Ai qëndronte në Antwerp dy vitet e fundit dhe ishte një nga anëtarët kyç të një bande shqiptare droge që e ka epiqendrën e kontrabandës së drogës në qytetin belg, por edhe në Britani, pjesën tjetër të Europës dhe Amerikën Latine.

Tradicionalisht Antwerp njihet për tregtinë e diamanteve, por së fundmi po pushtohet nga gangsterët shqiptarë. Paratë e përfituara nga industria multimiliardere e kokainës ka korruptuar edhe zyrtarë në pozicionet më të larta. Një shef inspektor dhe një administrator spitali janë ndër të arrestuarit e fundit. I pari u vu në pranga mbi dyshimet se informonte bandat kriminale, ndërsa tjetri për përpjekjet për të korruptuar punonjës banke për të kaluar transferta parash.

Gangsterët si Muça shënjestrojnë njerëz në pushtet, por që janë në borxhe ose po humbin pagesën e kredive. Kështu ata janë më vulnerabël dhe më të gatshëm ndaj ofertave nga bandat e krimit. Vrasja e Muçës në rrugët e Antwerp-it hedh dritë mbi trafikun e kokainës në këtë qytet. Ky trafik droge është përshkruar si “cunami” që ka goditur qytetin dhe me të ka sjellë me vete korrupsion, dhunë, vrasje etj…

Gjatë vitit të kaluar është gjetur një sasi rekord prej 90 tonë kokainë me vlerë 13 miliardë Euro në Portin e Antwerp. Dhuna ka shpërthyer në qytet me shpërthime granatash dhe të shtëna nga makinat në lëvizje janë bërë normale atje. Kryebashkiaku i Antwerp, Bard De Wever, ka thënë se biznesmenë që mbështeten nga paraja e pistë e dalë nga trafiku i drogës po kërkojnë që të infiltrohen dhe të influencojnë politikën e qytetit.

Një zyrtar ka përshkruar se si disa dyqane rrinë bosh, por me letra regjistrojnë përfitime të mëdha. Po ashtu në Antwerp, çmimi i pronave është duke u rritur si pasojë e parave të pista. Vitin e kaluar De Wever u vu në mbrojtje 24 orë në 7 ditë të javës sepse bandat donin që ta vrisnin.

“Antwerp është porti i parë i tregtisë europiane me Amerikën. Ne jemi krenarë për këto marrëdhënie të forta tregtie, të cilat krijojnë lidhje të ngushta mes qytetit tonë dhe Amerikës Latinë. Por sidoqoftë trafiku i kokainës në vitet e fundit është rritur në mënyrë eksponenciale. Pasojat për qytetet portuale janë të pashmangshme. Fatkeqësisht edhe vendet burim si Kolumbia vuajnë pasoja gjithashtu. Impakti i krimit të organizuar dhe parasë së pistë është duke minuar zhvillimin e shoqërisë sonë”, ka thënë kryebashkiaku.

Antwerp është bërë kryeqyteti europian i kokainës për shkak të “portës” hyrëse të mallrave nga Amerika e Jugut. Kartelet kolumbiane të drogës vendosën që ta kthenin qytetin port në epiqendrën e importimit të kokainës për tregjet europiane, ruse dhe Lindjen e Mesme. Rritja e furnizimeve tregon gjithashtu se kërkesa për kokainë në Europë është e madhe. Goditjet ndaj bosëve të drogës në SHBA, ku kërkesa për kokainë lulëzoi nga vitet 1980, kanë çuar gjithashtu në kërkimin e tregjeve të reja nga kartelet.

Aftësia e bandave kriminale për të korruptuar punonjës dhe zyrtarë në Antwerp ka tërhequr kartelet amerikano-latine. Ky qytet ndodhet edhe pranë Holandës ku dërgohet për t’u prerë dhe për t’u bërë gati për tregun. Daily Mail kaloi dy orë duke udhëtuar përreth portit javën e kaluar ku ekzaminoi kontenierë të ndryshëm, pa pasur asnjë problem nga autoritetet.

Zyrtarët që duhet të zbatojnë ligjin, por edhe punonjës të portit targetohen nga bandat e drogës me shuma të mëdha parash për të marrë informacione ose për t’i lënë të lirë që të marrin kokainën që fshihet nëpër kontenierë. Sipas burimeve të Daily Mail, trafikuesit ofrojnë shifra nga 50 mijë Paund deri në 80 mijë paund për punonjësit.

Në disa raste trafikantët kanë arritur të korruptojnë punonjësit që të ndryshojnë ngarkesat e kontenierëve kur ka pasur raste operacionesh policore.

Vitin e kaluar si pasojë e një serie aksionesh policore në kuadër të “Operacionit Qielli”, një prej aksioneve më të mëdha antidrogë, u zbulua një rrjet i korruptuar zyrtarësh, pjesa më e madhe e të cilëve kishte akses në databazën e qeverisë me të dhënat personale të qytetarëve belgë. Më shumë se 200 shtëpi u kontrolluar në Belgjikë dhe 48 të dyshuar u arrestuan. Në atë operacion autoritetet sekuestruan një sasi të madhe diamantesh, parash, bizhuterish, makinash luksoze, armësh si dhe uniformash policie false.

Kryeprokurori i Antwerp Franky De Keyzer e krahasoi luftën kundër bandave të drogës si një “lojë macja me miun” ku kriminelët luftojnë për të qëndruar një hap përpara ligjit. Një nga “lojtarët” e mëdhenj të trafikut të drogës në Antwerp është Nordin El Hajjioui, 34 vjeç, i cili ka lindur në këtë qytet, por jeton tashmë në Dubai ku deri më tani ka mundur që t’i rezistojë përpjekjeve për ta deportuar atë në Belgjikë.

Pjesa më e madhe e kokainës që dërgohet në Antwerp besohet të jetë nga Kolumbia. Antwerp tradicionalisht ka gëzuar lidhje historike tregtare me Amerikën e Jugut, duke importuar një sërë mallrash nga qymyri dhe mineralet te kafeja dhe lëngu i portokallit, gjë që e bën më të lehtë fshehjen e kokainës brenda tyre.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit pretendojnë se pjesa më e madhe e kokainës që dërgohet përmes Antwerp përpunohet më pas në Holandë, nga ku shpërndahet në të gjithë Evropën.

Burimi/tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *