Home

Lajme

Robert Shkurti – Radhët

No Comments Argëtim Letersi

Është kohë “Covidi”. Vazhdon që prej dy vjetësh. Sëmundja epidemike është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Njerëzit tashmë duken sikur janë mësuar dhe bashkjetesën me të e quajnë normale, ose të paktën, ashtu iu duket. Maska mbrojtëse është bërë pjesë e trupit. Pa të nuk mund të lëvizësh i lirë, apo të hysh në vënde publike.
Pranë pallatit ku banoj, jo më larg se tridhjetë metra, ndodhet një farmaci. Gjatë ditës më rastis të kaloj një, dy apo tre herë për të parkuar makinën. Ditët e fundit jam ndeshur me njerëz të shumtë të vënë në radhë për të hyrë në derën e prapme të farmacisë. Bëjnë tamponin e “covidit”. Herën e parë që më qëlloi të shihja një radhë të tillë, ishte para festës së Krishtlindjeve. Atë ditë, u shtanga. Nuk po kuptoja asgjë. M’u desh të pyes dikë. Më shpjegoi se po rrinte në radhë për të bërë tamponin, për të vertetuar se ishte negativ dhe kështu mund të festonte i qetë festën me të afërmit dhe miqtë e tij. Pasi u largova, m’u kujtua dekreti qeveritar i ditëve të fundit që saktësonte një gjë të tillë; duhej testi “covid” për të festuar Krishtlindjet. Në rast të kundërt, shkelësi i ligjit rrezikonte një gjobë të majme nga ana e autoriteteve policore. “Dreq o punë!” thashë me vete, dhe u dhashë këmbëve për në shtëpi.
Pasi kaluan Krishtlindjet dhe hyri viti i ri, radha për të bërë tamponin, vazhdoi përsëri. Këtë herë “radhistët” ishin më të shumtë. Arsyeja nuk ishte ajo e disa ditëve më parë, por një tjetër. Këta që rrinë në radhë janë “no vax”. Nuk pranojnë të vaksinohen kundër “covidit”. Është e drejtë e tyre, por janë shumë të kufizuar në jetën e përditshme. Madje nuk mund të shkojnë në punë, sepse nuk kanë “green pass” ndaj duhet të të paisen me testin negativ të “covidit”. Bërja e tamponit në farmaci kushton dhe duhet bërë çdo 48 apo 72 orë, por mesa duket ata që rrinë në radhë e kanë llogaritur një veprim të tillë duke marrë parasysh edhe koston e lartë.
Ku e kisha fjalën? Ah po, tek radha në farmaci. E humba pak sepse u zgjata me këto shpjegime të panevojshme, por ja që i shkrova.
Pra, siç e thashë edhe më lart, kur pashë për herë të parë atë radhë në dyert e farmacisë, u shtanga, u rrënqetha dhe më hynë të dridhura, jo vetëm nga i ftohti i dhjetorit emilian, por edhe nga ajo pamje e shëmtuar që m’u shfaq aq papritur para syve të mi të shqyer nga habia. U tremba. Ushtarë të armatosur sikur të kishin qenë ata njerëz të qetë, që me celularët në duar kalonin kohën e pritjes, nuk do të isha trembur aq shumë.
“Si është e mundur, që të trembet njeriu kaq shumë nga ca njerëz të heshtur, të qetë, të paarmatosur, që rrinë në radhë?!- mund të pyesë dikush, me të drejtë. Por ja, që unë u tremba dhe a e dini përse?
Truri im i çoroditur u kthye shumë pas në kohë. U kthye me një shpejtësi të llahtarshme në vitet e errët 70-të, 80-të, 90-të. U kthye siç kthehet pelikola e një bobine filmi, që punonjësi i kinemasë e kthen për të rishfaqur filmin, apo siç kthehet me shpejtësi shiriti i një kasete magnetofoni. Mua nuk më trembi ajo pamje. Mua më trembi kujtimi tronditës i atyre viteve, që pasi mbaroja mësimin, për nevojat e familjes isha i detyruar të qëndroja në radhë për orë të tëra te dyqani i bukës, i fruta-perimeve, i bylmetit, i vajgurit dhe tek ai më i tmerrshmi për mua; te dyqani i mishit të mërkurën dhe të shtunën. Radhën të shtunën, doja ta shmangja me çdo kusht. Më prisnin shokët për të luajtur futboll. Bashkë me tre shokë kishim formuar një katërshe dhe luanim me porta të vogla, të ashtuquajtura porta hungareze, ose siç i thonë sot; kalçeto. Luanim në fusha të ndryshme të shkollave tetë vjeçare, por më shumë te “Kristaqi” dhe te “7 nëntori”. Luanim te fusha e basketbollit, që ishte e shtruar me qymyr të zi. Të mungoja në ndeshje as që bëhej fjalë. Shokët më mbanin për më të mirin. Veç kësaj shpresoja të fitoja pesëdhjetë lekë. Ishte një bast që i vinim lojës për ta bërë edhe më të fortë. Sigurisht nuk fitonim gjithmonë.
Megjithatë, nga kjo gjëndje e vështirë, shpesh herë më nxirrte babai. E merrte ai përsipër që të qëndronte në radhë. E bënte këtë me qëllim të më linte të lirë të shtunën pasdite, të gëzoja atë pak liri fëminore kur isha në tetë vjeçare e më pas atë rinore, në të mesme. Unë fluturoja dhe ndihesha i lumtur për kaq pak gjë. Kot nuk thonë që fëmija gënjehet, lumturohet, kur i japin një karamele dhe ajo karamelja për mua ishte shmangja nga radha torturuese, stresuese dhe e tmerrshme. Ndaj u frikësova aq shumë atë ditë para festës së Krishtlindjeve. Më ringjalli të kaluarën.
Njeriun ndoshta nuk e trembka aq shumë e vërteta e sotme, por e shkuara e hidhur e një kujtimi, e një ngjarje të jetuar dhe ngjarjet e jetuara m’u kthyen me shpejtësi në kujtesën e traumatizuar nga radhët e shumta. Ishte sikur t’i thoje një të dënuari, që ka kryer një dënim vite më parë dhe ia kërkon që ai ta kryejë përsëri.
Ndoshta sot është ndryshe përsa i përket radhës ushqimore. Të rinjtë, fëmijët apo nipërit tanë, as që na kuptojnë dhe as kanë për të na kuptuar ndonjëherë për atë që kemi kaluar në atë kohë dhe aq më mirë që nuk duhet ta provojnë, por ne, brezi i viteve 50-të, 60-të, 70-të e 80-të, nuk mund të na hiqet nga kujtesa fjala radhë. Ajo është e salduar në kujtesën tonë dhe nuk ka mjek apo terapi që ta shkëpusë nga truri ynë i traumatizuar.
Megjithatë, ajo radhë na lumturonte për pak çaste, pasi kishim arritur qëllimin; blerjen e mallit ushqimor. Dilnim nga radha duke sharë e shfryrë, me ballin mbuluar me djersë e duke kundërmuar prej saj, pas një, dy, tre, apo edhe më shumë orëve që kishim qenë nën shoqërinë e saj.
1 shkurt 2022

Burimi/Facebook/Autrori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *